Sigal

Po të kishte qenë për Ballin, Shqipëria do të ishte rreshtuar me nazifashiznin, Romën, Berlinin e Tokion! Ishte Enver Hoxha gjenial ai që e rreshtoi vendin tonë me anglo-sovjeto-amerikanët, duke “groposur” kështu çdo tentativë ndryshe të Ballit Kombëtar!

 Historia e ka damkosur Ballin, si bashkëpunëtor të fashisto-nazistëve

Jakup B. GJOÇA

Muharrem Xhafa, ish Sekretar i Parë i KQPPSHnë intervistën për gazetën “Telegraf” u përgjigjet akuzave të kryeballistit Adriatik Alimadhi dhe thotë se Ballin Kombëtar e ka damkosur Historia si bashkëpunëtor me fashistët e nazistët. Shoku Muharrem thotë se heroizmin e heronjve dhe dëshmorëve komunistë partizanë nuk e mohon askush, sepse LANÇ e radhiti Shqipërinë në Aleancën e Fitimtarëve, ndërsa Balli do ta radhiste në krahun e nazistëve. Shoku Muharrem thotë se ballistët e vrarë, që luftuan në kran të fashisto-nazistëve nuk duhet të varrosen në Varrezat e Dëshmorëve, ndërsa në Muzeun Historik Kombëtar Balli e ka vendin tek …tradhtarët e Atdheut. Shoku Muharrem Xhafa deklaron për gazetën “Telegraf” që Mithat Frashëri nuk duhet të varroset në Shqipëri, përderisa ai organizoi e drejtoi një organizatë tradhtare e bashkëpunëtore të pushtuesve të huaj!

– Shoku Muharrem, kryeballisti Alimadhi në një intervistë për “Telegraf” komunistët partizanë i cilësoi “kriminelë”. Ju si i përgjigjeni?

– Po të ishte për kryeballistin Alimadhi, unë nuk do te përgjigjesha fare, por e bëj këtë për nder të atyre burrave e grave të mëdhenj të Kombit! Pse, i nderuar Gjoça, prisnit t’i cilësonte heronj Alimadhi?! Alimadhi “mbushet” edhe kur i përmend komunistët partizanë! Kush është ai budalla, që pret Alimadhin të flasë për heroizmin e heronjve, e dëshmorëve, e partizanëve dhe veteranëve të lavdishëm, (ndjesë që po i përmend ashtu si më vijnë në mendje) e Qemal Stafës, Vojo Kushit, Bules e Persefonit, Bardhok Bibës, Mujo Ulqinakut, Pal Mëlyshit, Mustafa Kaçaçit, Heronjve të Shkodrës, Heronjve të Vigut, Hysni Kapos, Gogo Nushit, Spiro Kolekës, Spiro Mojsiut, Jaho Gjolikut, Myslim Pezës, Haxhi Lleshit, Shefqet Peçit, Margarita e Kristaq Tutulani, Reshit Çollaku, Bejto Fasllia, Xhemal Selimi, Abdy Bekteshi, Qemal Llazanit, Bajram Korvafës, Memo Metos, Kajo Karafilit, Abaz Shehut, Kahreman Yllit, Xhule Çirakut, Abdyl Bizhgës, Abdyl Hakiut, Sul Domit, Zeqiri Meros, Rrahman Parllakut, Hasan Kërxhaliut, Nuri Luçit, Lym Ketës, Xhoxhi Robos, ah, sa keq që nuk i përmend të gjithë, me në krye Gjeneralin e Kryekomandantin e Madh, Enver Hoxha! Alimadhi mund të thotë se komunistët partizanë “kanë ngrenë edhe mish italianësh e gjermanësh, po deshe ti që nga 1920-a, po këtë e ka nga dëshpërimi dhe me një të dëshpëruar nuk e vlen të merresh. Ndaj e lemë Aliun t’i gëzohet dëshpërimit! Një ndihmë mund t’ia japim: Nëse ballistët kanë qenë pula e keca, nuk e vë dorën në zjarr se s’ka ndodhur kjo që thotë Alimadhi, sepse ndonjë pulë a kec edhe komunistët partizanë e kanë ngrënë! Luftë civile?! Përrallë ballistësh! As fëmijët, nipat e mbesat e tyre nuk i tërheq kjo përrallë e mykur! Ai që flet për luftë civile gjatë LANÇ-it në Shqipëri, ai shfaq nivelin e tij mediokër për njohuritë rreth luftës civile! Në fakt, Balli e ballistët këtë kërkonin të bëhej, po PKSH-ja me Komandant Enver Hoxhën në krye, ua dogji kartat në Mukje, para e pas Mukjes! Historiografia shqiptare e botërore ka pranuar se gjatë LANÇ-it ka pasur elementë të luftës civile, nxitur e imponuar nga Balli e Legaliteti. Ato përpjekje i shmangu e demaskoi Enver Hoxha! Po të kishte qenë për Ballin, Shqipëria do të ishte rreshtuar me nazifashiznin, Romën, Berlinin e Tokion! Ishte Enver Hoxha gjenial ai që e rreshtoi vendin tonë me anglo-sovjeto-amerikanët, duke “groposur” kështu çdo tentativë ndryshe të Ballit Kombëtar!

-A ka meritë Balli Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore?

– Balli Kombetar ka vetëm “një meritë” në Luftën e Dytê Botërore! Kjo “meritë e tij” qëndron në faktin se Balli Kombëtar ka qenë gjithnjë në anën e pushtuesve gjermanë, u ka shërbyer atyre kundër interesave të atdheut! Tjetër meritë Balli nuk ka. PKSH-së u përpoq boll ta kthente Ballin në rrugë të mbarë, po ai ishte betuar në krah të gjermanëve pushtues, kishte edhe besim tek ata, edhe besimin e mbështetjen e tyre! Kush ka dëshirë të njohë më shumë veprimtarinë e Ballit gjatë LANÇ-it, ai le të lexojë dokumentet e shkruara të vetë gjermanëve pushtues, pastaj edhe të aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë e pastaj edhe arkivat shqiptare të kohës së Luftës së Dytë Botërore!

– A duhet që ballistët e vrarë të varrosen në Varrezat e Dëshmorêve?!

– Ata ballistë, që ikën nga radhët e Ballit Kombëtar dhe u rreshtuan në njësitë partizane të LANÇ-it dhe u vranë në luftë kundër gjermanëve, po! Sa di unë, ata janë varrosur si dëshmorë trima atje ose në varrezat e dëshmorëve të rretheve bashkë me shokët e tyre të tjerë partizanë, pavarësisht nga e kaluara e tyre. Ndërsa ballistët, që janë vrarë në krahë të gjermanëve kundër partizanëve, ata nuk e kanë aspak vendin në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut. Domethënë, ballistët antishqiptarë e bashkëpunëtorë të pushtuesve nuk kanë vend në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut! Sa kohë ata ballistë nuk qenë bashkë në luftë me partizanët kundër pushtuesve gjermane dhe u vranë bashkë me gjermanët kundër partizanëve, as sot nuk mund të jenë, të bëhen bashkë në të njëjtat varreza! A duhet të kenë edhe ata një varr? Sigurisht, por jo si çlirimtar!

– A duhet që historia e Ballit Kombëtar të hyjë në Muzeun Historik Kombëtar! Nëse po, si të vlerësohet!

– Duhet, pa tjetër duhet, por ashtu siç është e vërteta e historisë së Ballit, jo e manipuluar dhe e shtrembëruar! Balli Kombëtar duhet të hyjë nê Muzeun Historik Kombëtar si bashkëpunëtor i gjermanëve, si një organizatë politike antishqiptar, se kjo është e vërteta e Ballit! Po do të thoni ju se kjo sot nuk i intereson shtetit borgjez! E di edhe unë këtë! Po dua t’i kujtoj shtetit borgjez se Ballin e kanë cilësuar bashkëpunëtor të nazistëve vetë nazistët! Po kështu dua t’i kujtoj shtetit borgjez se bashkëpunëtorët e fashizmit dënohen edhe në Gjermani, edhe në Itali, edhe në Angli, edhe në SHBA, edhe në Francë, edhe në Rusi, edhe në Greqi! Një shtet mund të jetë borgjez, po duhet patjetër të jetë antifashist!

– A është metaforë historike letrare, historia e Ballit me pulat?

– Më së pari duhet thënë se Balli u bë për interesa karrieriste e pushteti shtojcë e keqe, bashkëpunëtor e shërbyes i pushtuesve të huaj. Nofka që iu vu si “pulaxhinj” gjatë Luftës nga i madhi Shevqet Musaraj te “Epopeja e Ballit Kombëtar” i shkonte përshtat, çka e ka trajtuar pastaj më gjerë e më me shumë argumente, shkrimtari ynë popullor, Dritëro Agolli! Që të dy kanë qenë (Shevqeti e Dritëroi) personalitete e partizanë të orëve të para kundër pushtuesve të huaj dhe nuk mund të mos merren në konsideratë! Sigurisht, kjo nofkë a metaforë, siç thoni ju, kishte mision të vinte në lojë Ballin Kombëtar e veprimtarinë e tij.

– Cili është vlerësimi juaj për Mithat Frashërin? A duhet të prehen në Shqiperi, si hero, eshtrat e tij?

– Unë nuk kam vlerësim tjetër, veç atij të Enver Hoxhës për Mithat Frashërin, të cilin Enveri e çmonte si njeri të kënduar, si i biri i Abdyl Frashërit të madh, po që nuk eci në gjurmët e babait, e tradhtoi! Mos harro se Mitat Frashëri ia mbathi dhe, në mos kam harruar, më 1949, e vranë të tijtë natën në gjumë, në një hotel në SHBA! Ai qe kryetari i Ballit, jo pa mend si ata që erdhën pas tij e këta budallenjtë e sotëm! Ama, nuk ka asnjë arsye të prehen në Shqipëri si “hero” eshtrat e tij, përderisa ai organizoi e drejtoi një organizatë tradhtare e bashkëpunëtore të pushtuesve të huaj! Pas 500 vjetësh, LANÇ-i dhe Enver Hoxha, epoka e Enverit, do të kenë më shumë jehone se epoka e Skënderbeut, se njerëzit qetë do të thonë : Ishin Enveri dhe epoka e tij që bënë të mos harrohet Skënderbeu dhe epoka e tij!

– Faleminderit!