Reagimi i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi për situatën konfliktuale të krijuar në zgjatimin e “Bulevardit të Ri”

433
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta e ka ndjekur me shumë shqetësim situatën konfliktuale të dy ditëve të fundit të krijuar në Tiranë për shkak të ndërhyrjes së autoriteteve publike për prishjen e banesave, me qëllim realizimin e projektit të zgjatimit të Bulevardit të Ri, në zonën e quajtur “Bregu i Lumit”.

 

Në lidhje me këtë situatë të krijuar, Presidenti Meta shprehet shumë i shqetësuar mbi sjelljen e autoriteteve publike për të ndërhyrë përtej çdo lloj logjike njerëzore, si dhe për përdorimin e forcave të Policisë së Shtetit për të ndërhyrë në banesa në mënyrën brutale dhe aspak profesionale.

 

Përzgjedhja e kohës së ndërhyrjes për të nxjerrë qytetarët nga shtëpitë e tyre dhe mënyra e veprimit, duket një logjikë jo shtetërore, por tinzare dhe nuk reflekton asnjë mbështetje ligjore.

 

Presidenti vlerëson se përdorimi i gazit lotsjellës duke detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre është një akt i papranueshëm.

 

Presidenti i Republikës, i bën thirrje autoriteteve publike, Bashkisë Tiranë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, IKMT, IMT të Bashkisë  Tiranë, që :

         Të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut,  që gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duhen domosdoshmërisht të mbrohen;

 

         Të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore për shpronësimin për interes publik, të të gjithë personave që preken nga ky projekt, si të atyre që gëzojnë një çertifikatë pronësie, por edhe të atyre që nuk kanë mundur të ligjërojnë dot banesat e ndërtuara edhe pse janë aty prej mëse 20-vitesh;

 

         Presidenti i Republikës, vlerëson se realizimi i këtij projekti urban të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, nuk duhet të pengohet dhe as të vonohet, por vënia në zbatim e tij, nuk duhet të shkatërrojë të ardhmen dhe jetën e shtresave më të pamundura të shoqërisë;

 

         Institucionet publike duhet të angazhohen për ta zgjidhur ligjërisht problemin dhe nëse një akt nënligjor që rregullon gjëndjen nuk ekziston, ai mund të krijohet dhe të vihet në zbatim. Kjo është detyra primare e qeverisë, që brenda parashikimeve të ligjit dhe në respektim të parimeve, të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese, duhet të mundësojë një zgjidhjeje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe për interesin publik në tërësi;

 

         Qeveria dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë vullnet për zgjidhjen e këtij konflikti. Banorët kanë kërkuar dëmshpërblim për shtëpitë e tyre dhe nga konflikti që ka lindur rezulton se kërkesat e tyre nuk janë trajtuar në themel as nga Bashkia Tiranë dhe as nga Qeveria.

         Banorët kërkojnë dëmshpërblim për banesat e tyre pasi janë aty prej mëse 20 vitesh dhe shteti edhe pse e njeh gjëndjen prej vitesh, nuk mundet t’i trajtojë ata si zaptues, pasi çdokush meriton të drejtën për të patur një strehë dhe për të rritur fëmijët e tij si gjithë të tjerët.

 

         Qeveria në raste të ngjashme dhe identike me këtë rast, kur ka patur vullnet, ka mbajtur qëndrime pozitive përgjatë viteve 2011, 2012, 2015 në zbatimin e disa projekteve të infrastrukturës rrugore, të tilla si zgjatimi i Bulevardit Zogu I (pjesa parë), pjesa tjetër e Unazës së Madhe (segmenti Pallati me Shigjeta-Kopshti Zoologjik), si dhe Unaza hyrëse e qytetit të Vlorës. Në mungesë të kuadrit ligjor për rregullimin e çështjeve të shpronësimit të objekteve të palegalizuara që prekeshin, qeveria ka ndërhyrë duke nxjerrë akte nënligjore dhe duke i trajtuar me respekt e humanizëm banorët që janë dëmtuar nga realizimi i këtyre projekteve respektivisht: me VKM nr.563/2011, VKM nr.560/2012, VKM nr. 133/2015. Trajtimi i ndryshëm që i bëhet banorëve sot, tregon shenja të dukshme diskriminimi dhe njëanshmërie, që duket se kanë prodhuar këtë konfikt brutal të shtetit me qytetarët e tij.

 

         Qeveria e Republikës së Shqipërisë, është një, pavarësisht se kush është forca politike që drejton dhe ajo duhet t’i trajtojë qytetarët në mënyrë të barabartë. Qeveria duhet të garantojë qytetarët e prekur nga realizimi i projekteve publike, të kenë mundësi të rifillojnë jetën e tyre me sa më pak dhimbje dhe kosto, që vijnë për shkak të humbjes së banesës së tyre.

 

 

Për këto arsye, Presidenti i Republikës, i kërkon:

 

Avokatit të Popullit, të hetojë urgjentisht të gjitha veprimet e Policisë së Shtetit;

 

Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të hetojë veprimet e institucioneve shtetërore në trajtimin e rastit në fjalë;

 

Organit të Prokurorisë, të nisë menjëherë verifikimet përkatëse për të analizuar në detaj të gjitha veprimet arbitrare të organeve publike dhe Policisë së Shtetit, si edhe të dërgojë përpara drejtësisë të gjithë personat përgjegjës ;

 

Organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të hetojnë dhe të reagojnë për çdo akt dhune të panevojshëm që Policia e Shtetit dhe institucionet shtetërore kanë ushtruar sot ndaj qytetarëve të pambrojtur.