Raporti, si përdoren paratë nga bashkitë e reja

668
Bashkitë e reja, të dala nga reforma administrativo-territoriale, i janë nënshtruar një vëzhgimi për mënyrën e shpenzimit të fondeve dhe manaxhimit të të ardhurave. Sipas “Co-PLAN”, raporti i hartuar paraqet një analizë të performancës, tendencave dhe situatës financiare të 61 bashkive të reja në tremujorin e parë të vitit 2017. Në këtë kuadër raporti analizon shkurtimisht burimet e financimit të bashkive, koston e qeverisjes vendore dhe mënyrën e përdorimit të burimeve financiare publike në nivel vendor. Për të ndihmuar në analizë, raporti ofron krahasime të të ardhurave dhe shpenzimeve në terma vjetorë me tremujorët e parë të viteve të mëparshme, dhe prezanton disa konkluzione mbi tendencat e financave vendore. 

Në tremujorin e parë të vitit 2017, burimet totale të shpenzuara në nivel vendor ishin gjithsej 12.2 miliardë lekë ose 43% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2016. Rritja kryesore vjen nga transfertat e pakushtëzuara dhe ato specifike të dhëna për funksionet e transferuara rishtazi tek bashkitë, të cilat arritën në 6.5 miliardë lekë (ose 19% më shumë); të ndjekura nga transfertat e kushtëzuara të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Fondi për Zhvillimin e Rajoneve të cilat për tremujorin e parë të 2017 rezultojnë 1.2 miliard lekë (ose 358% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2016). Ndërkohë, nëse konsiderojmë vetëm taksat dhe tarifat vendore së bashku me burimet mbi të cilat ushtrojnë autoritet të plotë, rritja është 64% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016. Në tremujorin e parë të vitit 2017 të ardhurat nga taksat vendore janë dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat vendore janë rritur me 15% në terma vjetore. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës. Nëse eliminohet efekti i Bashkisë së Tiranës, rritja e të ardhurave vendore nga taksat dhe tarifat vendore do të ishte sërish pozitiv, por në nivelin më modest prej rreth 13% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016.

Të ardhurat nga taksat e ndara përfshijnë të ardhurat nga taksa vjetore e automjeteve, nga e cila bashkitë përfitojnë 18% të totalit të të ardhurave të mbledhur në juridiksionin e tyre. Të ardhurat e transferuara nga qeveria qendrore tek bashkitë nga kjo taksë ishin rreth 329.8 milion lekë, ose 32% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2016. Të ardhurat nga burimet e tjera vendore përfshijnë të ardhurat nga asetet dhe donacionet e ndryshme të brendshme dhe të huaja, të cilat në tremujorin e parë të vitit 2017 ishin rreth 137.4 milion lekë, ose 34% më shumë se në tremujorin e parë të 2016.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja është zëri që kontribuon më tepër në të ardhurat e veta të bashkive, përkrah kontributit të të ardhurave nga taksat e pasurisë së paluajtshme, tarifat e shërbimeve dhe ato të menaxhimit të aseteve. sikurse specifikuar më sipër, rreth 1.3 miliardë lekë nga 1.7 miliardë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë mbledhur në bashkinë e Tiranës, duke nënkuptuar që në 60 bashkitë e tjera janë mbledhur rreth 400 milion lekë nga kjo taksë. E thënë ndryshe mbi 80% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja janë mbledhur në bashkinë e Tiranës. Me ndryshimet e kuadrit ligjor në vitin 2015, Tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël e ka humbur pothuajse plotësisht peshën e tij në buxhetet vendore. në tremujorin e parë të 2017, të ardhurat nga ky burim kanë shënuar një rënie prej 93% në krahasim me tremujorin e parë të 2016. Të ardhurat e mbledhura nga bashkitë nga taksa mbi ndërtesat janë rritur me rreth 30% në tremujorin e parë të 2017 në krahasim me tremujorin e parë të 2016. Ndërkohë, rritja e të ardhurave nga taksa e ndërtesës është shoqëruar me një rënie të të ardhurave nga taksa mbi tokën bujqësore prej rreth 10% në terma vjetorë. Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve të pastrimit dhe gjelbërimit janë rritur me 24% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016, ndërkohë që të ardhurat tarifat për shërbimet administrative kanë mbetur në pothuajse të njëjtët nivel si në tremujorin e parë të 2016. Nga ana tjetër, të ardhurat nga menaxhimi i aseteve, dhënia me qira e ambienteve, parkingjeve, tarifat nga kopshtet dhe çerdhet etj., kanë sjellë një rritje të të ardhurave me rreth 32% në krahasim me tremujorin e parë të 2016. 

Shpenzimet e qeverisjes vendore
Shpenzimet në tremujorin e parë të vitit 2017 janë më të ulëta se totali i burimeve në dispozicion të bashkive për periudhën. Në fakt ky fenomen mund të ndodhë, sidomos në 3-5 muajt e pare të vitit, kur bashkitë janë në fazën e procedurave të prokurimit për kontrata të reja për punë dhe shërbime publike. Në total, në tremujorin e parë të vitit 2017, shpenzimet e përgjithshme vendore, të financuara me fonde të vetë bashkive dhe transfertave të kushtëzuara nga ministritë apo konkurruese nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve janë rreth 70% më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2016. Evidentohet një rritje të shpenzimeve për personelin prej rreth 850 milionë lekë ose 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përtej financimit të funksioneve të reja, kjo rritje e shpenzimeve për personelin mund të reflektojë pjesërisht rritjen e nivelit të pagave të të punësuarve në bashki dhe/ose rritjen e numrit të të punësuarve në bashki. Në të njëjtën mënyrë, shpenzimet operative në tremujorin e parë të vitit 2017 janë rritur me 52% në krahasim me tremujorin e parë të 2016. Pjesa e buxheteve vendore që kanë shkuar për investime është rritur ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2017. Në krahasim me tremujorin e parë të 2016, investimet e financuara nga vetë bashkitë apo transfertat konkurruese (nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban) janë rritur me 266% ose rreth 2.6 miliard lekë.

Megjithëse është ende herët për të dalë në konkluzione përfundimtare, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative territoriale për eficiencë operacionale dhe reduktim të kostove administrative. Nga ana tjetër, megjithëse, kostot operacionale nuk duket të vijnë në ulje, duhet të mbahet në konsideratë fakti se bashkitë kanë rritur shpenzimet për investime.

Shpenzimet kapitale, ose investimet publike, përbëjnë një zë të rëndësishëm të buxheteve vendore dhe një parakusht për zhvillimin ekonomik vendor. Shpenzimet për investime në tremujorin e parë të vitit 2017 janë rreth 3.5 miliard lekë, me një rritje prej 266% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016. Shpenzimet për investime në shërbimet bazë vendore të cilat përfshijnë funksione si pastrimi dhe largimi i mbetjeve, mirëmbajtja e qytetit, gjelbërimi, ndriçimi publik etj., janë 15 herë më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2016, dhe më të lartat në 8 vitet e fundit. Në të njëjtën mënyrë, investimet në infrastrukturën për bujqësinë, peshkimin dhe pyjet janë rreth 33 herë më të larta se investimet e kryera në këto sektorë në tremujorin e parë të vitit 2016. Investimet në infrastrukturën e transportit rrugor janë rritur me rreth 100% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016.

Një element tjetër i rëndësishëm që evidentohet është fakti se, në tremujorin e parë, shpenzimet për investime, janë shumë të luhatshme ndër vite, luhatshmëri e cila deri diku nuk shpjegohet me tendencën e të ardhurave nga taksat dhe tarifat dhe transfertën e pakushtëzuar. E thënë ndryshe, investimet e në nivel vendor, duket se reflektojnë më shumë transfertat e kushtëzuara nga ministritë apo grantet konkurruese nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve. Megjithatë, duhet mbajtur në konsideratë që për vetë natyrën e tyre, shpenzimet kapitale kërkojnë më shumë kohë të materializohen dhe performanca e tyre në kohë varet nga disa elementë, përfshirë këtu procesin e prokurimit i cili shpesh herë, në rastet e projekteve të reja të investimeve mund të kërkojë shumë më shumë kohë se vetëm një tremujor.

Në tremujorin e parë të vitit 2017 kemi një rritje të shpenzimeve për funksionet publike vendore, sidomos në kompetencat e bashkive për pastrimin, gjelbërimin, ndriçimin publik dhe mirëmbajtjen e zakonshme të territorit. Një tjetër rritje e konsiderueshme evidentohet në shpenzimet për shërbimet e përgjithshme administrative (administrata e bashkive dhe institucioneve të tyre të varësisë), e cila sikurse evidentuar edhe më herët në këtë raport, mund të lidhet metransferimin e funksioneve të reja në nivel vendore, rritjen e nivelit të pagave të nëpunësve vendor në kuadër të ndryshimeve ligjore për sa i përket nivelit të pagave, apo thjesht një preferencë e disa bashkive për të pasur një administratë më të madhe. Shpenzimet për funksionet e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit janë rritur me 15 herë nga një mesatare prej rreth 9 milion lekë në tremujorin e parë të viteve 2010-2016, në 958 milion lekë në tremujorin e parë të vitit 2017.

Përfundime
Në tremujorin e parë të vitit 2017 evidentohet një përmirësim në financat vendore. Të ardhurat dhe financimet e përgjithshme janë rritur me 43% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016. Burimet kryesore të rritjes janë transfertat ndërqeveritare të kushtëzuara (+358%); transfertat e pakushtëzuara dhe ato specifike për funksionet e reja (+19%); dhe taksat dhe tarifat vendore që administrohen nga vetë bashkitë në autonomi të plotë(+64%). Në tremujorin e parë të vitit 2017, ndërkohë që të ardhurat nga tarifat e shërbimeve janë rritur me vetëm 15% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016, të ardhurat nga taksat janë dyfishuar. Megjithatë, një analizë më e detajuar, tregon se dyfishimi i të ardhurave nga taksat vendore, vjen i gjithi nga të ardhurat e mbledhura nga Taksa e Ndikimit në Infrastrukturë në Bashkinë e Tiranës. Nëse eliminohet efekti i Bashkisë së Tiranës, rritja e përgjithshme e të ardhurave vendore nga taksat dhe tarifat vendore do të ishte sërish pozitiv, por në nivelin më modest prej rreth 13% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016. Kjo normë rritjeje, megjithëse pozitive, mbetet tepër e ulët në krahasim me sfidat me të cilat përballen bashkitë e sapokrijuara. Problemet strukturore të administrimit të taksave dhe tarifave vendore vazhdojnë të mbeten prezent. Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, është taksa më e rëndësishme që administrojnë bashkitë. Peshën më të madhe e zë taksa mbi ndërtesat në zonat urbane. Taksa mbi tokën bujqësore mbetet shumë e ulët (vetëm 18% e totalit) ndërkohë që, në tremujorin e parë të vitit 2017 nuk evidentohet asnjë e ardhur nga taksa për truallin urban. Administrimi i kësaj të fundit paraqitet shumë i vështirë për mungesën pothuajse totale të regjistrave. 

Në total, në tremujorin e parë të vitit 2017, shpenzimet e përgjithshme vendore, të financuara me fonde të vetë bashkive dhe transfertave të kushtëzuara nga ministritë apo konkurruese nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve janë rreth 70% më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2016. Sikurse pritej, me transferimin e funksioneve të reja tek bashkitë, evidentohet një rritje të shpenzimeve për personelin prej rreth 850 milion lekë ose 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, përtej financimit të funksioneve të reja, kjo rritje e shpenzimeve për personelin mund të reflektojë pjesërisht rritjen e nivelit të pagave të të punësuarve në bashki dhe/ose rritjen e numrit të të punësuarve në bashki. Nga ana tjetër, në krahasim me tremujorin e parë të 2016, investimet e financuara nga vetë bashkitë apo transfertat konkurruese (nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Urban) janë rreth 3.5 miliard lekë, me një rritje prej 266%. Investimet në shërbimet bazë vendore të cilat përfshijnë funksione si pastrimi dhe largimi i mbetjeve, mirëmbajtja e qytetit, gjelbërimi, ndriçimi publik etj., janë 15 herë më të larta se në tremujorin e parë të vitit 2016. Në të njëjtën mënyrë, investimet në infrastrukturën për bujqësinë, peshkimin dhe pyjet janë rreth 33 herë më të larta se investimet e kryera në këto sektorë në

tremujorin e parë të vitit 2016. Investimet në infrastrukturën e transportit rrugor janë rritur me 100% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2016. Luhajtjet e forta në nivelin e investimeve në tremujorët e parë varen nga disa elementë, përfshirë këtu kuadrin ligjor për prokurimin publik i cili kërkon ndjekjen e disa proceseve të cilat mund të tejkalojë periudhën e një tremujori, dhe që në një në tremujor të caktuar mund të ecë më shpejt se në një tremujor tjetër.

Në të njëjtën kohë, një performancë e lartë në tremujorin e parë nërealizimin e investimeve të planifikuara, mund të lidhet me faktin që pjesa më e madhe e investimeve të jenë projekte në vazhdim, për të cilat, procedurat e prokurimit janë kryer më herët. Megjithatë, analiza sugjeron se performanca e investimeve është më tepër e lidhur me fondet e vëna në dispozicion nga qeverisja qendrore nëpërmjet Fondit për Zhvillimin e Rajoneve sesa me performancën e të ardhurave të veta dhe transfertës së pakushtëzuar.
Sigal