Raporti sekret/ 75% e shqiptarëve janë me armë në shtëpi, 30% lëvizin me “kobure në brez”

682
Ende 18 vjet pas armatosjes masive të popullatës dhe krimeve të shumta që kryhen me armë ilegale, nuk po nis një “ofensivë” konkrete për ç’armatosje, duke ia lënë në dorë rastësisë, kur ka informacione, ose kur ndodh një krim dhe shteti vihet në lëvizje, lidhur me këtë shqetësim mendojmë se është koha të nis një operacion total mbi gjithë territorin, sidomos në zonat rurale e periferike të qyteteve, qoftë i parcelizuar e i shkallëzuar në kohë, qoftë edhe zonal në lagje, në bllok, në mjedise publike, mbasi ç’armatosja nuk bëhet me aksione pas ndodhjes së një krimi dhe vetëm në makinat dhe kafenetë e zonës ku ndodh krimi…
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, zhvilluar 3 ditë më parë dhe 10 ditë pas akteve terroriste të ndodhura në Paris, në përcaktim të masave mbrojtëse e parandaluese, evidentoi edhe një fakt shqetësues, të krijuar e të mbartur qysh 18 vite më parë, shkaktuar prej shkërmoqjes së shtetit në ngjarjet e vitit 1997. E kemi fjalën për amët që qarkullojnë në territorin shqiptar jashtë kontrollit të shtetit. Këtë shqetësim e bënë prezent një raport special me burim shërbimet e huaja inteligjente, të cilin shteti shqiptar prej 1 viti e ka mbajtur sekret, por edhe e ka lënë në “harresë”, me neglizhencë pothuajse të plotë. 
Çfarë thotë raporti?
Sipas raportit sekret, hartuar nga 3 agjenci shërbimesh inteligjente të shteteve perëndimore, të specializuara për investigime ne terren, me objekt “armatosjet dhe armatimet ilegale në komunitet”, rezulton se në Shqipëri 75% e familjeve shqiptare, minimalisht posedojnë një armë luftarake zjarri dhe municion luftarak që përdoren prej këtyre armëve. Po sipas këtij raporti, rezulton një tjetër shifër alarmante, sipas të cilës 30% e shqiptarëve qarkullojnë nëpër mjedise publike me “kobure në brez”. Në raport ka edhe të dhëna, që evidentojnë se përveç armëve të zjarrit, prej shqiptarëve disponohen edhe lëndë shpërthyese industriale si granata, bomba, barut e dinamit e madje edhe armë të rënda luftarake, të shkatërrimit në masë, por edhe armë shpërthyese artizanale. Raporti në fjalë, skeduar me shënimin “Sekret” dhe rekomandimin “Për veprim urgjent”, prej 1 viti është paraqitur dhe gjendet në tavolinën e 2 krerëve të lartë të shtetit shqiptar, konkretisht të Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Mësohet se dy krerët e shtetit, raportin për këtë situatë të rëndë për sigurinë në vend, ia kanë përcjellë dy institucioneve që kanë në varësi, konkretisht Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Nuk dihet, nëse janë bashkërenduar apo jo punët mes këtyre institucioneve kryesore të specializuara të sigurisë kombëtare, për të menaxhuar këtë realitet të rëndë, që ka lidhje me sigurinë kombëtare dhe sigurinë e jetës së qytetarëve, si burim për krimin individual e atë të organizuar, por fakti është ky: prej 18 vitesh e veçanërisht në 5 vitet e fundit, në të gjithë zonat e Shqipërisë ndodhin pothuajse përditë krime me armë zjarri. Siç dihet dhe siç raporton edhe vetë shteti në rate krimesh me armë zjarri, rezulton se këto armë posedohen dhe përdoren në mënyrë të paligjshme prej qytetarëve që bëjnë krime. Vetë-armatosja e popullsisë, bërë që prej vitit 1997 e në vazhdim, nuk po ndalet. Armë zjarri automatike pa leje dhe lëndë shpërthyese, rezulton se mbajnë shumica e shqiptarëve në shtëpi, në mjedise publike, në punë e në vende të fshehta. Këto armë dhe poseduesit e tyre, faktikisht janë krejtësisht jashtë kontrollit të shtetit. Jo se shteti nuk ka dëshirë t’i “pastrojë” këto armë, por sepse nuk po nis një “ofensivë” konkrete vendimtare për ta realizuar këtë detyrim, duke ia lënë në dorë rastësisë, kur ka informacione, ose kur ndodh një krim e shteti vihet në lëvizje, por edhe në këto raste, ndodh ajo që nuk duhet të ndodh: Ndalohet armë-mbajtësi pa leje dhe çohet në gjyq, ndërkohë që duhet të nis një operacion total mbi gjithë territorin, sidomos në zonat rurale e periferike të qyteteve, qoftë i parcelizuar e i shkallëzuar në kohë, qoftë edhe zonal në lagje, në bllok, në mjedise publike. Sepse çarmatosja nuk bëhet me aksione pas ndodhjes së një krimi dhe vetëm në makinat dhe kafenetë e zonës ku ndodh krimi. Kjo “punë” kërkon përhershmëri…
Fakti/ 90% e krimeve bëhen me armë ilegale
Ka një tregues shqetësues në bilancin e krimeve që ndodhin në Shqipëri: 9% e këtyre krimeve bëhen me me armë luftarake që posedohen në mënyrë të paligjshme. Ky fakt përbënë së fundi një pistë veprimi prej shërbimeve sekrete dhe policisë së shtetit shqiptar, por pa ndonjë bilanc që premton. Policia e shtetit, ka arritur të realizoj disa aksione të zbulimit dhe sekuestrimit të armëve e municioneve luftarake, si dhe të lëndëve shpërthyese e të armëve artizanale që përdoren në raste krimesh me atentate. E ndërsa forca goditëse e policisë ka qenë efiçente, forca zbuluese ka qenë dhe është e dobët, për të mos thënë inegzistente. Janë zbuluar armë e arsenal armësh, por këto kanë qenë produkt burimi informacionesh sporadike të raportuara nga klanet e poseduesve të armëve, apo individëve e grupeve të botës së krimit, si hakmarrje për prishje pazaresh mes tyre. E po kështu veprimi ndëshkues ligjor i shtetit ndaj armë-mbajtësve të paligjshëm, ka qenë jo në përputhje me ligjin, ose më saktë, në Shqipëri vepron një bazë ligjore “liberale” ndaj atyre që kapen me armë pa leje, duke dhënë ndëshkime me gjoba e burgosje simbolike, aq sa më shume vite burg dënohet një xhepist autobusi, apo hajdut super-marketi, se sa një persona që kapet me armë e municion pa leje! Natyrisht që baza ligjore i takon për rishikim e esktremizim ndëshkimi legjislativit, ndërsa hetimi, skedimi, evidentimi, zbulimi dhe “pastrimi” i armëve pa leje është detyrë e shërbimit sekret dhe e shërbimit policor, pa përjashtuar këtu veprimtarinë informuese të pushtetit lokal. Rastet e shumta të ndalimeve për armë-mbajtje pa leje, tregojnë se kemi zgjerim të këtij fenomeni në përmasa të frikshme, aq sa në shoqërinë shqiptare është krijuar bindja, se armët janë bërë dhe përdoren lirshëm si “pajim personal e familjar” dhe se, vetë-mbrojtja prej tyre, bëhet vetëm me armë, gjë që çon në armatosje ilegale të popullatës. Dhe kjo bindje, madje ky realitet që ndodh përditë e rëndomë në jetën shqiptare, duket se nuk përbën shqetësim për shtetin, aq sa në institucionet dhe shërbimet që trajtojnë këtë problem, thuhet qetësisht e me shpërfillje: “E dimë që ka armë në përdorim antiligjor”! Por nuk jepet përgjigje, se përse nuk veprohet për t’i pastruar ato! Logjika është e thjeshtë e nuk ka nevojë për koment: Mbajtja e një arme, ka si qëllim të vetëm krimin, qoftë edhe kur ajo përdoret në rast sulmi, apo grabitjeje për vetëmbrojtje, por edhe mbajtur në shtëpi e “në brez”. Kjo ndodh, prej psikozës së frikës së krimit dhe rasteve të shumta të pasigurisë që ofron shteti, duke mos arritur të siguroj mbrojtje të jetës e pronës së popullatës edhe nëpërmjet ç’armatimit! Shifrat e krimeve, që bëhen me armë zjarri luftarake që mbahen e përdoren pa leje, tregojnë se ato janë në qarkullim masiv brenda komunitetit. Këtë e thotë edhe raporti sekret i shërbimeve të huaja inteligjente që monitorojnë situatën e sigurisë në Shqipëri në kuadrin e sigurisë rajonale e globale, raport ky i paraqitur që përpara një viti tek krerët e shtetit shqiptar, si informacion shqetësues dhe rekomandim për veprim urgjent, sipas të cilit 75% e familjeve shqiptare janë të armatosur me minimalisht 1 armë zjarri automatike të llojit të ndryshëm, ndërkohë që po sipas raportit në fjalë, 30% e shqiptarëve qarkullojnë në mjediset publike me “kobure në brez”, si masë vetë-mbrojtëse prej frikës se krimit dhe për të bërë një krim të paramenduar! Po kështu, armë ilegale janë edhe lëndët plasëse që përdoren për krime duke u vendosur në banesa, pasuri, automjete e në mjedise publike për terror
Shqetësimi/ 40% e krimeve me armë prej moshës nën 18 vjeç
Ka një tregues tjetër statistika e krimeve që ndodhin në Shqipëri me armët që mbahen në mënyrë të paligjshme. Sipas ligjit, armë luftarake me leje mbajnë kategori të caktuara prej shtetit, ndërkohë që po kështu pajisjen me armë gjahu qytetarë që plotësojnë 10 kritere sigurie. Edhe me armë gjahu me leje, kanë ndodhur krime, kryesisht brenda familjes. Por shumica e krimeve në Shqipëri kanë ndodhur e po ndodhin me armët pa leje, të cilat përdoren për gjakmarrje, për grabitje e pas konflikteve të momentit në familje, për prona, për moral, për interesa biznesi, për konflikte bixhozi e për motive të shumta sociale, të cilat shumë qytetarë e fise vendosin t’i zgjidhin me “grykën e pushkëve” që mbajnë në mënyrë të paligjshme, të siguruara gjatë trazirave të vitit 1997, ose të blera në burime trafiku e tregje armësh krimi. Shqetësimi që ndeshet në këto lloj krimesh është fakti që 40% të krimeve bëhen prej armë-mbajtësve të paligjshëm të moshës nën 18 vjeç, ose siç quhen adoleshentë. Madje, alarmi qëndron në faktin, që armët pa leje dhe përdorimi i tyre prej individëve të kësaj moshe janë realitet edhe në shkolla, Bar-Kafe, mjedise sportive, autobusë, lojëra fati, tregje e mjedise publike, gjë e cila është prezent në shoqërinë shqiptare. Sipas të dhënave, janë 30 OJF dhe 5 institucione publike, të cilat organizojnë, financojnë e bëjnë aksione sensibilizues për dorëzimin e armëve, por këto janë vetëm thirrje të cilat nuk kanë bërë efekt. Kujtojmë, që në qeverinë e parë të pas vitit 1997, u shpall edhe ky premtim: brenda 3 muajve, do të mblidhen të gjithë armët luftarake! Pasi u mblodhën disa pushkë, arka fishekësh e granata të ekspozuara në shkallët e kryeministrisë, ky premtim, ose më saktë ky detyrim shtetëror e ligjor u harrua, u braktis. Ky premtim u dëgjua deri në vitin 2009 e tashmë nuk flitet më për çarmatim të popullatës. Raporti që flet për 75% të familjeve shqiptare të armatosura në mënyrë të paligjshme dhe krimet e shumta që ndodhin pothuajse përditë me këto armë, krijon përshtypjen se më shumë armë ka populli se sa shteti! 
———————————————–
Ja 10 krime, që kryen me armët e mbajtura ilegalisht
1. Vrasje, plagosje
2. Sulme mes grupesh
3. Rrëmbime personi
4. Sulme ndaj policisë
5. Grabitje bankash
6. Grabitje me dhunë
7. Kërcënime për jetën
8. Shpërthime në automjete
9. Shpërthime në banesa
10. Shpërthime në pasuri
Sigal