Raporti konfidencial i Policisë trondit Ministrinë e Brendshme

803
Gazeta “Telegraf” po publikon sot të plotë dhe pa asnjë ndryshim, një “raport të brendshëm”, të hartuar nga një njësi hetimore speciale brenda Ministrisë së Brendshme Shqiptare, dërguar drejtuesve të lartë të Shtetit Shqiptar, institucioneve të shërbimeve inteligjente shqiptare e të huaja që monitorojnë sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, me përparësi masat në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër terrorizmit. Raporti bënë prezent pasojat e rënda që ka shkaktuar tentativa për të zëvendësuar sistemin “AFIS/APIS” të Policisë Shkencore Shqiptare, me një sistem “AFIS/APIS” të prodhimit të firmës “Sagem”, me qëllim që të mos kryhet “Ndërfaqja” midis sistemit “AFIS” të policisë shqiptare dhe të kompanisë “Aleat”. Gjithë kjo “lojë” ka ka nisur prej kompanisë koncesionare monopol “Sagem” dhe është lejuar me heshtje e me mos zbatim ligji prej strukturave kontrolluese e kontratuale të shtetit shqiptar. Siç dihet, firma “Sagem” vazhdon e prodhon pasaporta e karta shqiptare të pa sigurta, 100% më të pa sigurta edhe se pasaportat “karton” të vitit 1991, madje edhe pa cilësi fizike e teknike, me mundësi të plota për manipulim të dhënash identifikuese. Sot po publikojmë pjesën e parë të “raportit sekret” të hartuar prej Ministrisë së Brendshme, që në fakt ëhstë dhe duhet të përbëj një “sirenë” alarmi për të vepruar urgjentisht jo vetëm për bllokimin e prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit prej firmës “Sagem”, por edhe për çuarjen e saj përpara ligjit për një krim në ndihmë të botës së krimit që ka hapësira fshehje e shpëtimi për shkak të shërbimit të pasigurt e jo të plotë teknologjikisht në server, duke shkëputur edhe ndër-veprimin krahasues me sistemin verifikues të gjurmëve të gishtave, pëllëmbëve të duarve e të dhënave të tjera identifikuese që disponon Policia e Shtetit. Çfarë ka ndodhur e po ndodh prej 8 vitesh, me (pa)sigurinë e pasaportave, kartave e të serverit të të dhënave identifikuese? 
“Sagem” nuk realizon “Ndërfaqen” e gjurmëve të gishtave, bllokon lidhjen e sistemit “AFIS” me sistemin “AFIS/APIS-Papillon 7” të policisë
Në sektorin e Daktiloskopisë të Drejtorisë Policisë Shkencore ndodhet i instaluar që nga viti 2002, muaji tetor sistemi “AFIS/APIS PAPILLON-7”, i cili deri sot ka funksionuar normalisht, pa asnjë defekt apo problem. Ky sistem është blerë me fondet buxhetore të Policisë së Shtetit. Por çfarë ndodh me këtë sistem? Për një periudhë 12-vjeçare, me anën e këtij sistemi, në shumë raste krimesh është realizuar një numër shumë i madh identifikimesh të “Gjurmëve Papilare” (gishta dhe pëllëmbë), të zbuluara në vend-ngjarje të ndryshme krimesh, të ndodhura në të gjithë territorin e Shqipërisë. Deri më sot, janë identifikuar mbi 9800 gjurmë papilare (gjurmë gishtash dhe pëllëmbësh) të autorëve të veprave penale dhe në “Database”-n e këtij sistemi, numri i kartelave daktiloskopike, ka arritur në 262 mijë copë. Në bazë të kontratës koncesionare, firma koncesionare “Sagem”, apo “Aleat”, ose së fundi edhe me emrin “Safran Morpho” siç i ndryshon identitetet e saj në çdo vit, që përpara se të fillonte prodhimi i Kartave të Identitetit, pra qysh para vitit 2008, duhej të realizonte “Ndërfaqen” (Interface) midis sistemit “AFIS CIVIL” që është prodhim “Morpho” dhe sistemit “AFIS/APIS-Papillon 7” të Policisë së Shtetit Shqiptar, në mënyrë që të bëhej krahasimi i gjurmëve të gishtave “on-line” i çdo personi që aplikonte për kartë, apo pasaportë në sistemin “AFIS” të Policisë së Shtetit, përpara se atij t’i prodhohej Karta e Identitetit, apo Pasaporta Biometrike. Kujtojmë dhe saktësojmë, se detyrimi i firmës “Sagem” përcaktuar në kontratën koncesionare është ky: 
Neni 3
Dhënia e Koncesionit 
3.1.2 Koncesioneri, do të sigurojë shërbimin e hartimit, përcaktimit, zhvillimit, zbatimit dhe operimit të Sistemit, i cili do të drejtohet përmes sistemeve të mëposhtme:
(ii) Sistemi i të Dhënave Biometrike. 
– Verifikimet e Aplikimeve kundrejt regjistrave të jashtëm, kur është e mundur në varësi të procesit të biznesit (Regjistri Kombëtar i Shtetasve, Regjistri i Policisë së Shtetit dhe Sistemi Automatik i Shenjave të Gishtave të Policisë (AFIS). 
Neni 30
Të dhënat e Autoritetit 
30.3 Në masën që të Dhënat e Autoritetit mbahen dhe/ose procesohen nga koncesionari. Koncesioneri do të furnizojë këto të Dhëna të Autoritetit ndaj këtij të fundit, siç do të kërkohet nga Autoriteti në formatin e përcaktuar me hollësi në programin 2 (Kërkesat e Autoritetit). Programin 3 (Zgjidhja e Koncesionerit) dhe ose në programin 22 (Menaxhimi i Daljes).
Neni 38 
Detyrime të Posaçme të Autoritetit
38.4. Autoriteti i garanton Koncesionerit aksesin në të dhënat e sistemit ekzistues Papillon AFIS. 
Prej 8 vitesh/ “Sagem” ofroi shërbim të pa sgirutë, punon pa sistemin e regjistrimit dhe zbulimit të gjurmëve të gishtave 
Pra, siç rezulton dhe nga këto nene të kontratës, kompania koncesionare “Aleat” duhet të realizonte “Ndërfaqjen” e sistemit “AFIS” të gjurmëve të gishtave të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike të shqiptarëve, me sistemin “AFIS/APIS” të Policisë Shqiptare dhe kjo jo pa qëllim, mbasi policia do të kapte të gjithë personat në kërkim, të cilët do të aplikonin për këto dokumente identifikuese, duke përdorur gjeneralitete të fallco ose ato origjinale, sepse gjurmët e gishtave të tyre, të depozituara në sistemin “AFIS/APIS” të Policisë së Shtetit, do t’i zbulonin në momentin që ata do të aplikonin, po kështu edhe për personat që do të tentonin të ndryshonin identitetin, do të ndodhte e njëjta gjë. Por në fakt, kjo procedurë edhe sot e kësaj dite nuk është realizuar akoma, në një kohë që rreth 95-98% e shqiptarëve, janë pajisur me këto dokumente identifikuese. 
Që në vitin 2008, përpara se të nënshkruhej kontrata koncesionare e Ministrisë së Brendshme me firmën fituese të tenderit Aleat, për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, nga ana e përfaqësuesve të kësaj kompanie, është insistuar pranë institutit të Policisë Shkencore, që në vend të sistemit “AFIS/APIS PAPILLON-7”, kjo kompani të instalonte një sistem të ri “AFIS” prodhim i “Morpho”, duke anashkaluar kërkesën e ndërfaqes (lidhjes të dy sistemeve Afis midis tyre për të kontrolluar të dhënat biometrike, pra gjurmët e gishtave) midis sistemit aktual Afisd/Apis të Policisë Shqiptare. Më pas, gjatë takimeve të ndryshme me përfaqësuesit e “Safra Morpho”, nga ana jonë është insistuar vazhdimisht, se sistemi “MetraMorpho”-“AFIS-APIS” i ofruar nga kompania “Aleat”, nuk plotësonte të gjitha kërkesat tona, sepse në atë kohë, sistemi “Afis Morpho” nuk mund të krahasonte gjurmët e gishtave dhe të pëllëmbëve të vend-ngjarjeve të rënda që nuk janë parashikuar, që kanë imazh në fotografi me zmadhim jo natyral, pra jo 1 me 1, por me zmadhim më të madhe se ai natyral. 
Historia 7 vjeçare e mashtrimit të “Sagem” për pajisjen me sistemin “AFIS” 
Pasi përfaqësuesit e firmës “Safran Morpho” u njohën edhe teknikisht me kërkesat tona, morën përsipër për të na paraqitur një sistem “AFIS” me të njëjtat parametra, ose mundësisht më të avancuara se sistemi aktual “AFIS/APIS PAPILLON-7”. Gjatë muajit prill 2009, ata na paraqitën arkitekturën e sistemit të ri “Afis MetaMorpho”, duke pretenduar se kishin plotësuar të gjitha kërkesat tona teknike. Nga ana jonë u kërkua, që specialistë shqiptarë të gjurmëve të gishtave, të mund të bënin një testim të një sistemi “Afis MetaMorpho” në një nga vendet, ku “Sagem Morpho” kishte instaluar sistem të tillë, me qëllim për të parë se si realisht punon një sistem i tillë me një “Database” reale kriminale. Kjo vizitë, u planifikua për tu bërë gjatë muajit dhjetor 2009 në Gjermani, por në momentin e fundit, ajo u anulua dhe nga ana jonë nuk u bë e mundur, që të bëhej një testim i tillë. Edhe sot e kësaj dite, kjo vizitë nuk është bërë e mundur nga pala franceze “Sagem”. Më pas gjatë muajit shtator 2009 u sollën pranë Drejtorisë së teknologjisë dhe Informacionit dhe Institutit të Policisë Shkencore të gjitha pajisjet “Hardware” dhe “Software” për një sistem “Afis MetaMorpho” dhe 15 copë “Live Skaner”. Nuk ka asnjë dokument zyrtar për këtë dërgesë. Gjatë muajit tetor 2009, ata bënë instalimin e posteve të punës së sistemit “Afis MetaMorpho” në ambjentet e Sektorit të Daktiloskopisë dhe 1 pajisje “Live Skaner”. Në ambjentet e Dhomës së Serverave të Drejtorisë së Teknologjisë dhe informacionit, u instaluan serverat dhe pajisjet ndihmëse të sistemit, duke shfrytëzuar rrjetin e komunikimit të IT të Policisë së Shtetit. Gjatë kësaj periudhe, u bë paraqitja dhe shpjegimi i të gjithë proceseve të punës të sistemit “Afis”, me qëllim për të na demonstruar aftësitë e sistemit të ri “Afis”. Gjatë kësaj kohe, ne na u tregua vetëm funksionaliteti i sistemit dhe nuk u bë asnjë testim për rezultatet e kërkimit, sepse sistemi i ri nuk ka “Database”. Gjithashtu, na u tregua dhe realizimi i mundësisë, që sistemi i tyre “Afis” do të përpunonte dhe krahasonte gjurmët papilare me zmadhim të panjohur, pra jo në zmadhim natyral. Na u theksua, se kjo zgjidhje ishte bërë vetëm për Shqipërinë dhe se kjo zgjidhje, nuk ishte testuar në asnjë sistem “Afis” tjetër të prodhuar dhe instaluar prej tyre. Pra, kompania “Safran Morpho” këtë zgjidhje teknike e realizoi vetëm për policinë shqiptare. Kjo zgjidhje është e pa testuar në asnjë “Database” reale të asnjë prej sistemeve “Afis” të prodhuara e instaluara nga firma “Safram Morpho”. 
Sistemi “AFIS” i ofruar prej “Sagem”, me mangësi të shumta dhe nuk jep garanci shërbimi
Gjatë demostrimit të aftësive të këtij sistemi, nga ana e specialistëve të Sektorit të Daktiloskopisë, u kontstatua se disa funsione të sistemit “Afis” kishin mangësi që konsistonin në: 
1. Gjatë trajtimit të gjurmëve me rrotullim nga kartelave daktiloskopike, u vu re, se zona e skanimit të gjurmëve të gishtave ishte më e vogël se madhësia e tyre, gjë që nuk bënte të mundur skanimin e të gjithë imazhit të gjurmëve, duke lënë jashtë skanimit një pjesë të gjurmëve të gishtave 
2. Gjatë procesit të krahasimit të gjurmëve të gishtave dhe atyre të pëllëmbëve të vendit të ngjarjes me gjurmët respektive të listës së kandidatëve, rezultoi, se karakteristikat e veçanta të zgjedhura për krahasim tek gjurmët objekt ekspertimi, nuk kishte karakteristikën korresponduese respektive të zgjedhur tek gjurma model krahasimi, fakt ky shumë i rëndësishëm për punën krahasuese të ekspertit të gjurmëve të gishtave. Ky funksion është prezent në sistemin “AFIS/APIS PAPILLON-7” dhe është shumë i dobishëm për ekspertët kriminalist.
3. Gjurmët e pëllëmbëve të zbuluara në vendngjarje, për qëllime krahasimi ndaheshin në 8 zona të ndryshme, gjë që ndikonte në kohën e përfundimit të kërkimit të këtyre gjurmëve, që në krahasim me sistemin aktual “AFIS/APIS PAPILLON-7” ishte 8 herë më e lartë, pra, ndikon në marrjen e një përgjigje e cila varion nga 40 deri në 60 minuta, në një kohë që sistemi aktual “Afis” e kryen për 5 minuta. 
4. Të drejtat e ekspertit të gjurmëve të gishtave janë të cunguara, duke mos i lejuar atij të kryejë importin e imazheve në formatin NIST, si dhe mosnxjerrjen e të dhënave për qëllime statistikore për punën e çdo përdoruesi të sistemit. 
5. Posti i punës ku ishte instaluar aparati fotografik digital për kapjen e imazheve të gjurmëve të gishtave, nuk funksiononte për shkak të problemeve me kalibrimin e pajisjes. 
6. Pajisjet Live Skaner kanë proces manual në procedurën e marrjes së imazheve të gjurmëve të gishtave dhe pëllëmbëve, duke patur një pedal për të shtypur me këmbë për të kaluar nga një veprim tek tjetri, në një kohë që Live Skaner Papillon këtë proces e kanë në mënyrë automatike. 
7. Pajisjet Live Skanera nuk kanë aftësinë të bëjnë kompensimin e tërheqjes së lëkurës në gjurmët e gishtave gjatë procesit të rrotullimit të tyre, në një kohë që pajisjet Live Skaner Papillon i kryejnë këto procese në mënyrë automatike 
8. Në pajisjet Live Skaner, nuk ishte i mundur printimi i fotografisë sinjalistike, i shkëputur nga formati i kartelës daktiloskopike, që aktualisht Live Skaner Papillon e kryejnë duke prituar deri në 9 kopje me përmasa të ndryshme të këtyre fotografive sinjalistike (ballore dhe profil djathtas). 
9. Në pajisjet Live Skaner, nuk mund të realizohej kërkimi në “Database” e tyre të personit me të dhëna alfanumerike, po ashtu edhe kërkimi me një gjurmë gishti në “Database” e Live Skaner, në një kohë që Live Skaner Papillon, i kryejnë këto procedura
Prova që tregojnë shpërfilljen, mashtrimet, abuzimet dhe pa sigurinë e sistemit që ofroi “Sagem” 
1. Të gjitha këto mangësi të vërejtura, ju bënë prezent specialistëve të “Safran Morpho” dhe ata premtuan se do të bëjnë përpjekje për t’i zgjidhur këto probleme sipas kërkesave tona, por deri sot nuk ka as reagim shkresor e jo më zgjidhje.
2. Gjatë muajit nëntor 2009, u realizuan edhe 3 trajnime për ekspertët e gjurmëve të gishtave, laborantët e sistemit dhe laborantët e vendit të ngjarjes të 6 Laboratororëve Rajonalë të Policisë Shkencore. 
3. Gjatë kësaj periudhe trajnimi, u bë e mundur testimi real i sistemit dhe aftësive të tij, duke bërë testime reale me gjurmët papilare të vendit të ngjarjes dhe kartelave daktiloskopike respektive. 
4. Gjatë kësaj periudhe u konstatuan, se asnjë prej vërejtjeve të mësipërme, nuk ishte dhënë zgjidhje. Mangësitë në pajisjet Live Skaner të “Safran Morpho”, i evidentuan dhe laborantët dhe ekspertët kriminalistë, që kryenin trajnimin në 10-15 nëntor 2009 në Tiranë.
5. Nga testimet që ju bënë funksionit të mundësisë së krahasimit të gjurmëve të vendit të ngjarjes, me zmadhim të panjohur, u konstatua, se ky proces kishte shumë mangësi që lidhen me saktësinë e sistemit për krahasimin e këtyre kategori gjurmësh të vendit të ngjarjes. Nga testet e kryera, rezultoi, se sistemi nuk bënte të mundur identifikimin e personit me gjurmën e pëllëmbës me zmadhim të panjohur, duke humbur nga lista e kandidatëve personin i cili kishte formuar gjurmën e pëllëmbës. Ky test u krye në një “Database” vetëm me 30 Kartela Diktoloskopike, në prani të 5 ekspertëve kriminalistë të Sektorit të Diktoloskopisë.
6. Edhe ky problem iu bë prezent specialistëve të firmës “Safran Morpho” për të parë mundësinë e korrigjimit të këtij problemi.
7. Që nga nëntori e deri më sot, nuk kemi pasur asnjë kontakt të mëtejshëm me Safran Morpho dhe sistemi “Afis” dhe pajisjet Live Skaner janë po në atë gjendje që janë sjellë që para 5 vjetësh.
8. Po kështu një fakt shumë diskriminues është dhe kostoja e mirëmbajtjes vjetore:
9. Sistemi aktual “Afis Papillor 7” i policisë së shtetit, ka një kosto vjetore 41.00 Euro.
10. Sistemi “Afis” i firmës “Sagem”, ka një faturë mirëmbajtjeje vjetore 800.000 Euro. 
Sigal