Raporti/ Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

1273
Vjollca KUTA
Drejtori i rezervave Irfan Dashi, ka emëruar emigrantë me diploma “importi” të panjësuara nga MAS
Raporti/Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, zbulon skandalet e punësimeve të paligjshme, ja abuzimet që duhen çuar para drejtësisë
Një nga zyrtarët kryesorë, rezulton i emëruar me “karton importi” universitar “Master i Shkencave” në Institutin Teknologjik të Larisës-Greqi, por që ende nuk ka paraqitur, as diplomë bazë universitare shqiptare dhe as të huaj, por vetëm një “Master”, të cilin drejtor Irfani ia ka futur në dosjen e personelit, pa kërkuar më parë njësimin e këtij dokumenti, siç e detyron legjislacioni shqiptar në fuqi 

Dosja me skandalet e shumta të Irfan Dashit, bërë gjatë ushtrimit të detyrës si Drejtor i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, njëherazi kryetar i PS në Njësinë Bashkiake Nr. 6 në Tiranë, ka nisur të hapet nga drejtësia, duke marrë indicie edhe prej shumë denoncimeve që janë bërë nga zyrtarë të institucionit që ai drejton, nga biznese që kanë pasur lidhje në ankande blerjesh materiale me Rezervat e Shtetit, por dhe nga militantë të “rilindjes” në zonën e Kombinatit në Tiranë, të cilëve siç shprehen ata, u janë premtuar e u janë shitur vende pune. Këto denoncime për “Irfanin e Kombinatit”, kanë nisur të dërgohen në zyrën e anti-krimit ekonomik, në prokurori e deri tek kryeministri Rama, menjëherë pas rënies së “sulltanit” të zonës së Kombinatit, deputetit dhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri që e kishte emëruar sit ë besuar në krye të rezervave të shtetit, por edhe e kishte pajisur Dashin me fuqi partiake në atë zonë dhe që pas çdo denoncimi për abuzime e mbronte nga ligji! Denoncimet që bëheshin për abuzimet e Irfan Dashit, nuk çoheshin në zyrat e drejtësisë por mbaheshin të fshehta edhe kur ato ishin zbuluar prej institucioneve shtetërore. Një prej skandaleve të shumta, që po nisim të publikojmë sot, ka dalë nga “sënduku” ku mbahej i fshehur qysh prej muajit korrik 2016 dhe është dërguar në tre drejtime: Në zyrën e ministrit të Brendshëm Xhafaj, në tavolinën e kryeministrit Rama dhe në “postën” e prokurorisë! Flitet për një raport përfundimtar të muajit korrik 2016 me objekt: Mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit”, firmosur nga komisionerja, sipas të cilit konfirmohen zyrtarisht skandalet e punësimeve të paligjshme, të bëra nga drejtori Irfan Dashi në të gjithë nivelet e administratës, madje edhe në disa funksione drejtuese, abuzime që duhen çuar para drejtësisë
.
Çfarë u kontrollua në rezervat e Shtetit?
Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit është institucion qendror në varësi të Ministrit të Punëve të Brendshme. Në nenin 6, pika 6, të ligjit të posaçëm është përcaktuar në mënyrë të shprehur se: “Punonjësit e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe degëve rajonale të saj gëzojnë statusin e nëpunësit civil”. Pra, ky institucion i administratës shtetërore, ka qenë pjesë e shërbimit civil edhe me ligjin nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”.

• Monitorimi, kontrolli dhe vlerësimi i zbatimit të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, dhe akteve nënligjore të dala në bazë e për zbatim të tij. Çfarë u kontrollua?
1. Pozicionet e shërbimit civil, sipas strukturës dhe organikës analitike të institucionit. 
2. Dosjet individuale të çdo nëpunësi civil, mënyrën e fillimit të marrëdhënieve financiare, si dhe çdo të dhënë tjetër për pranimin në shërbimin civil. 
3. Përshkrimet e punës për pozicionet e punës pjesë e shërbimit civil, nëse ato janë të hartuara në përputhje me formatin standard të miratuar. 
4. Të dhënat profesionale të çdo nëpunësi civil, si nivelin e edukimit, fushën kryesore të studimeve, përvojën në punë etj., për të parë nëse nëpunësit e emëruar në pozicionet e shërbimit civil, i plotësonin ose jo kërkesat e për vendet e punës. 
5. Materialet që pasqyrojnë planin vjetor të pranimit në shërbimin civil, rastet e plotësimit të vendeve të lira me procedurën e konkurrimit të hapur, procedurën e lëvizjes paralele dhe procedurën e ngritjes në detyrë, të realizuara pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për nëpunësin civil”, vlerësimet e punës dhe shënimet që shoqërojnë ato, etj. 
Abuzimet/Punësime me “diploma-kartona” të huaja, pa verifikim dhe njehsim nga MAS
Kontrolli i kryer nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, zbuloi se është shkelur Ligji nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, në lidhje me deklarimin e statusit të nëpunësve dhe punonjësve aktualë të institucionit në momentin e fillimit të efekteve të ligjit. Çfarë rezulton? Grupi i punës këqyri dosjet e personelit për të verifikuar nëse ato janë krijuar dhe administrohen në përputhje me përcaktimet e nenit 17, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar dhe kërkesave të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 117, datë 05.03.2014 “Për përmbajtjen, procedurën dhe administrimin e dosjeve të personelit e të regjistrit qendror të personelit”. Konkretisht, një nga zyrtarët e përzgjedhur dhe i emëruar me urdhër klientelist të Irfan Dashit dhe të përdorur prej për punët e pista të drejtor Fanes, rezulton i emëruar në kundërshtim të plotë me ligjin, mbasi është pranuar vetëm me “karton importi” universitar “Master i Shkencave” në Institutin Teknologjik të Larisës-Greqi, por që ende nuk ka paraqitur në Burimet Njerëzore të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit, as diplomë bazë universitare shqiptare dhe as të huaj, por vetëm një “Master”, të cilin drejtor Irfani ia ka futur në dosjen e personelit, pa kërkuara më parë njehsimin e këtij dokumenti, siç e detyron legjislacioni shqiptar në fuqi dhe nuk duhej bërë ky emërim zyrtari me këtë copë karton të pa verifikuar dhe të pa njehsuar nga Ministria e Arsimit Shqiptar! Një tjetër rast abuzimi, lidhet me faktin, që prej drejtor Irfanit është lejuar vazhdimi i punës i një zyrtari tjetër të kësaj drejtorie i cili rezulton të ketë paraqitur dosjen me diplomën dhe certifikatën e notave të shkollës së lartë 3 vjet pas emërimit të drejtor Irfanit në këtë detyrë, listë notash e lëshuar në dt. 28. 06. 2016, pasi denoncimeve që janë bërë tek ish-ministri Saimir Tahiri. E sikur të mos mjaftonin këto, Komisionieri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ka konstatuar se në kupolën e Drejtorisë së Rezervave të Shtetit, drejtori Irfan Dashi ka punësuar edhe 3 zyrtarë të “preferuar: të tij, të cilët rezultojnë me diploma universitetesh “kioska”, që janë mbyllur nga MAS dhe pa asnjë njehsim të diplomave, por të njohur nga drejtor Dashi i rezervave të shtetit. Kontrolli i bërë në administratën e rezervave, ka zbuluar edhe 2 zyrtarë të tjerë, të cilët sipas diploma-kartonëve me të cilët i ka emëruar Irfan Dashi, thuhet se kanë kryer studimet e larta jashtë Shqipërisë, por që ende nuk kanë sjellë dosjet e plota dhe nuk i kanë njësuar ato në Ministrinë e Arsimit. Në vijim, gazeta “Telegraf”, do të publikojë fakte nga abuzimet që janë bërë me punësimet klienteliste e anti-ligjore, ankandet që anulohen e ribëhen nga 5 herë më urdhër të drejtorit Dashi, ndihmat materiale që janë dhënë nga donatorët e huaj dhe bizneset vendase, shitjet e shumë mallrave dhe produkteve me çmime të lira si skarco, zhdukje materialesh dhe produktesh në gjendje tregu, por gjoja të groposura si të dëmtuara, fakte nga falsitetet e auditit të brendshëm që ushtrohet nga ky drejtor dhe shumë skandale të tjera! 
Sigal