Raporti i SHKB: Për 6 muaj të vitit 2015, janë arrestuar 28 policë

552
Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë arrestuar 28 efektivë policie, për të cilët është dhënë edhe masa disiplinore “përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit”. Të dhënat janë publikuar në raportin “Për punën dhe performancën e shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat për periudhën Janar-Qershor 2015”, të cilin “GSH” e boton sot të plotë. Raporti thekson se gjatë këtij 6-mujori, janë 125 efektivë policie të cilët vazhdojnë të hetohen në gjendje të lirë. Veç kësaj, në raportin e SHKB-së, publikohen të gjitha shkeljet që janë vënë re gjatë punës së përditshme të punonjësve të policisë, të gjitha rastet e arrestimit të efektivëve, si dhe ndryshimet që janë bërë në strukturën e policisë.
Arrestimet
“Rastet më të spikatura, për nga mënyra e hetimit të tyre, duke përdorur teknikat dhe metodat proaktive të hetimit apo si rezultat i denoncimit nga ana e qytetarëve; denoncimit në median vizive e rrjetet sociale, janë: Arrestimi i kryeinspektorit Hamëz Demushi dhe bashkëpunëtorit të tij për trafik të lëndëve narkotike, aktivitet kriminal me shtrirje në Shqipëri e Kosovë. Pas arrestimit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike prej 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë, dhe 0.5 kg e dyshuar heroine; arrestimi i inspektor Leonel Begaj dhe kryeinspektorit Lirim Lamaj, pasi duke keqpërdorur detyrën kishin pajisur me pasaportë një person të shpallur në kërkim dhe të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për 25 vjet; arrestimi i nënkomisarit B.A. dhe komisarit I.R., për mosreferimin të materialeve proceduriale në rastet e 7 aksidenteve me pasojë dëmtime të personave dhe njëkohësisht nxjerrjen e automjeteve nga pikat e bllokimit; ndalimi i Kol Kukaj, Agim Hysko dhe Besjana Martini, ish-punonjës të Drejtorisë së Prokurimeve, në Policinë e Shtetit, për abuzime me prokurimin publik për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytetin e Tiranë, i zhvilluar në dhjetor të vitit 2010; arrestimi i Nevila Mamo dhe Genci Reçi, dy drejtues të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, të cilët nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kanë abuzuar me detyrën, duke shpërdoruar fondet publike, me një dëm ekonomik shkaktuar buxhetit mbi 6 milionë lekë të reja, për një periudhë 2-vjeçare; ndalimi i drejtuesit A.B., me detyrë shef i Sektorit të Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana dhe nënkomisares L.A., me detyrë specialiste e këtij sektori, për veprën penale “shpërdorim detyre”; arrestimi i nënkomisarit A.Z., i cili në zonën që mbulonte, kishte favorizuar ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe në disa raste duke keqpërdorur atributet që i jep detyra kishte fshehur kallëzime të qytetarëve duke mos i referuar ato pranë organit të prokurorisë, kundrejt shpërblimit financiar; arrestimi i shefit të policisë kriminale komisarit A.L., i cili duke keqpërdorur atributet që i jep detyra kishte favorizuar ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit nga disa subjekte të qytetit të Elbasanit, kundrejt shpërblimit financiar; arrestimi i inspektorit të PKK Kakavijë Mentor Cane, inspektorit të PKK Qafë–Botë, Sokrat Guga dhe shtetasit Erald Çaça, për kontrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë”, janë rastet që përmenden në raport lidhur me rastet e arrestimit të punonjësve të policisë. Ndërkohë, aty thuhet se për periudhën janar-qershor, prokuroria vazhdon hetimet për 132 persona, nga të cilët: 2 punonjës policie i nivelit të mesëm drejtues, 37 punonjës policie i nivelit të parë drejtues, 86 punonjës policie të nivelit zbatues, 4 punonjës policie civil, 3 punonjës të gardës dhe 19 bashkëpunëtorë të tyre. Raporti vë theksin edhe tek ankesat që kanë bërë qytetarët pranë SHKB-së lidhur me performancën e punonjësve të rendit, nga të cilat ka rezultuar se për 4 efektivë, është bërë referimi në prokurori, ndërsa për 33 punonjës policie, është sugjeruar fillimi i ecurisë disiplinore pranë strukturës kompetente të Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.
Inspektimet
Në raportin e SHÇBA, citohet se për një periudhë 6 mujore janë bërë 7 inspektime në struktura të ndryshme të policisë, nga të cilat kanë rezultuar disa shkelje. Konkretisht, janë evidentuar raste të moszbatimit korrekt të procedurave standarde të punës të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore “për të huajt”; raste të moszbatimit korrekt të procedurave standarde të punës në lidhje me procedurat e trajtimit të personave të kthyer (INAD) nga palët homologe; raste të moszbatimit korrekt të procedurave të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet juridiksionale midis autoriteteve të huaja në çështjet penale; janë konstatuar mangësi në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me palët homologe në fushën e menaxhimit të kufijve dhe parandalimit të krimit ndërkufitar, ndërsa thuhet se edhe pse është rritur cilësia e verifikimit të dokumentacionit për lëvizjen e lirë të personave, duke shtuar në të njëjtën kohë numrin e refuzimeve në kufi të shtetasve me tendencën e kërkimit të azilit, rekomandohet një punë më e mirë në zhvillimin e intervistave të shoqëruara me analiza risku, me qëllim ulje e numrit të shtetasve të kthyer nga palët homologe.
Struktura e re
Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2015 është synuar rritja profesionale e personelit të shërbimit dhe diversitetit gjinor, të arritura me rekrutimet e reja kryesisht me arsim juridik, duke zëvendësuar personelin me background policor apo nga shërbimet informative, në funksion të rregullimit të raportit të barabartë midis personelit me gradë dhe personelit pa gradë. Ndërsa, në raport thuhet se vlen të theksohet se është rritur ndjeshëm numri i femrave të punësuara në radhët e policisë, të cilat nga rreth 5%, aktualisht zënë rreth 18 % të totalit të personelit. Por, raporti në një pjesë të tij thekson se pas implementimit të strukturës së re të policisë, shumë punonjës do të dalin në reformë. Një gjë e tillë përshkruhet në pjesën kur flitet për realizimin e buxhetit që ka pasur policia për 6 mujorin që lamë pas dhe në rastin e realizimit të fondit për “Transferimin për buxhetet familjare dhe individët”, thuhet se fondet për këtë artikull janë realizuar në masën 43 për qind. “Mosrealizimi ka ardhur si rezultat i mospërfundimit të implementimit të plotë të strukturës dhe përbërjes së re organike të shërbimit, proces nga i cili do të ketë edhe punonjës që do të dalin në reformë”, citohet në raport.
Sigal