Raporti i Komisionit Europian : Falimentimet e mëdha, rritën kreditë me probleme në Shqipëri

551
Sigal

Komisoni
Europian ka publikuar raportin e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për
tremujorin e tretë të vitit 2016. Për Shqipërinë, rritja reale e PBB-së arriti
në 3.2%  me bazë vjetore në tremujorin e dytë, pas zgjerimit prej 3.1% të
regjistruar në tre muajt e mëparshëm.

Të gjithë
komponentët e kërkesës së brendshme kanë pasur një kontribut pozitiv në rritje.
Shpenzimet konsumatore kanë fituar vrull dhe u rritën me 4% me bazë vjetore.
Konsumi i qeverisë përmbysi një rënie prej pesë tremujorësh dhe u zgjerua me
1.7%. Investimet kanë vazhduar të ngadalësohen, duke u zgjeruar me 4.4% me bazë
vjetore. Eksportet neto kanë kontribuar negativisht në rritjen e PBB-së.

Raporti
vlerëson rritjen e ndjeshme në tregun e punësimit, për dy tremujorë radhazi, ku
industria pa rritjen më të madhe në punësim (+9.9% me bazë vjetore), e ndjekur
nga shërbimet (+9.6%) dhe bujqësia (+3.4%).

Raporti shpreh
shqetësimin për rritjen e ndjeshme të deficitit të llogarisë korente, ndonëse
kjo shpjegohet pjesërisht me efektin e bazës së ulët. Vlera e eksporteve të
tregtueshme vazhdoi të bjerë në mënyrë domethënëse (-22.7% me bazë vjetore),
duke reflektuar efektin e zgjatur të çmimeve të naftës. Në kahun tjetër,
fitimet nga turizmi dhe prodhimi i shërbimeve vazhduan të rrisnin sektorin e
shërbimeve, që regjistroi një rritje me bazë vjetore prej 14.9%. Importi si i
mallrave dhe shërbimeve u përshpejtua (duke u rritur përkatësisht me 17.9% dhe
22.3% me bazë vjetore).

Në qershor,
deficiti i llogarisë korente arriti në 12.1% të PBB-së, nga 10.6% në të njëjtën
periudhë një vit më parë.

Fluksi i
Investimeve të Huaja Direkte u nxit nga nga investimet e energjisë dhe u rrit
me 22.4%, duke mbuluar më shumë se dy të tretat e deficitit të llogarisë
korente në tremujorin e dytë.

Raporti
thekson se pavarësisht politikës lehtësuese monetare, kredia vijon e dobët
(-0.1% në gusht). Të udhëhequra nga disa falimentime të mëdha, treguesi i
kredive me probleme ka qenë në tendencë rritjeje që nga fillimi i vitit, duke
arritur në 21.4% në gusht, nga 18.2% në fund të 2015-s.

Në tetë muajt
e vitit, të ardhurat nga taksat u rritën me 9.7% me bazë vjetore, në linjë
me planin, megjithëse kjo ka të bëjë pjesërisht me të ardhurat që merren vetëm
një herë për shkak të zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje për pagimin e taksave,
por që ka të ngjarë që të kthehen mbrapsht. Shpenzimet në të njëjtën periudhë
ishin 4.8% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë, si rrjedhojë e
përfundimit të kthimit të detyrimeve të prapambetura.

Në tërësi,
realizimi i buxhetit deri në fund të gushtit kishte një suficit prej 0.9% të
PBB-së vjetore.

Pas një
rritjeje vjetore prej 5.2%, borxhi publik (përfshirë garancitë) arriti në 70.9%
të PBB-së në fund të tremujorit të dytë.Gazeta Telegraf/