Raporti i KE: Ekonomia shqiptare u ngadalësua, shkak rënia e investimeve

118
Ekonomia shqiptare u ngadalësua në tremujorin e tretë të vitit në Shqipëri, në 3.5% (nga 4.1% në tremujorin e parë dhe 4% në të dytin), për shkak të ngadalësimit të dukshëm të formimit bruto të kapitalit fiks dhe një tkurrje në eksportet e mallrave.
Ky është konstatimi i Komisionit Europian në raportin e tremujorit të katërt për vendet kandidate dhe potencial kandidate.
Shpenzimet konsumatorë vijuan të forcohen me një rritje prej 3.3%, në linjë me forcimin e besimit dhe rritjen e pagave në sektorin shtetëror.
Rritja e formimit bruto të kapitalit fiks u ngadalësua dukshëm në tremujorin e tretë, nga 14.9% në tremujorin e dytë në 3.8 %, teksa dy projektet e mëdha të energjisë kanë hyrë në fazën finale, thekson raporti.
Eksportet u ngadalësuan me rritje vjetore prej 11.4% nga 17.8% në tremujorin e mëparshëm. Eksportet e shërbimeve u rritën me 14.3%, të mbështetura nga turizmi, që ka qenë në rritje të vazhdueshme. Eksportet e mallrave, megjithatë, ishin zhgënjyese, me një rënie prej 1.1% duke ndjekur një performancë të fortë në tremujorët e mëparshëm.
Ndërsa rritja e importeve u përshpejtua, si rrjedhojë e zgjerimit të konsumit. Prodhimi shënoi ritmin më të lartë të rritjes në tremujorin e tretë me 10.0% me bazë vjetore. Aktiviteti i ndërtimit u ngadalësua nga 22.9% në tremujorin e dytë në 7.6%, teksa aktiviteti i investimeve në sektorin e energjisë u zvogëlua.
Aktivitetet financiare dhe ato të sigurimeve vazhduan të zgjeroheshin me një normë rritjeje prej 6.7%. Prodhimi i energjisë elektrike u ul me 36.1% si rezultat i thatësirës që frenoi seriozisht prodhimin në hidrocentralet.
Të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë janë në përputhje me një ngadalësim të rritjes ekonomike. Punësimi në grupmoshat 15-64 vjeç u rrit me vetëm 1.3% me baze vjetore, krahasuar me 3.5% në tremujorin e mëparshëm.
Huaja për ekonominë vijoi të jetë e dobët, por e korrektuar nga fshirjet e kredisë ajo u përshpejtua në 3.1% në tremujorin e tretë, nga 2.6% në të dytin. Huatë me probleme u ulën në 14.3% në nëntor dhe sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar.
Për gjithë Ballkanin Perëndimor raporti thotë se rimëkëmbja ekonomike vazhdoi gjatë tremujorit të tretë të vitit 2017 me rritje vjetore të prodhimit të brendshëm bruto me rreth 2.5% në të gjithë rajonin. Konsumi privat dhe investimet vazhduan të mbështesin rritjen dhe eksportet duket se kanë rifituar vrullin. Deficitet e llogarisë rrjedhëse vjetore u ngushtuan më tej në pothuajse të gjitha vendet, por në përgjithësi pozicionet e jashtme në shumë raste mbeten të dobëta. Zgjerimi ekonomik çoi në hapjen e mëtejshme të vendeve të punës. Shkalla e papunësisë ende mbetet e lartë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Progresi në konsolidimin fiskal duket se po ngadalësohet në disa vende, pavarësisht faktit që nivelet e larta të borxhit publik mbeten burim i cënueshmërisë në disa prej tyre, sidomos duke mos pasur asnjë autonomi të politikës monetare ose të kufizuar.