Raporti i “Freedom House”: Shqipëria pjesërisht e lirë

628
Organizata “Freedom House” ka publikuar raportin që vlerëson shkallën e lirive demokratike në vendet e botës. Në raportin e publikuar një ditë më parë thuhet se gjatë vitit që lamë pas, forcat populiste dhe nacionaliste kanë arritur fitore të rëndësishme në shtetet demokratike. “Në nivel global janë shënuar hapa prapa për sa i përket të drejtave politike dhe lirisë, përfshi këtu edhe vende që klasifikohen si të lira, siç janë Danimarka, Franca, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raportin e “Freedom House”. “Liria në botë 2017” vlerëson se për të njëmbëdhjetin vit radhazi shënohet rënie në lirinë globale. Ndërkohë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira përfshihet Shqipëria dhe Kosova, së bashku me shtete fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi. Në vendet që raporti cilëson si të “lira” renditen vende të tilla si: Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Hungaria, Polonia, Serbia, Kroacia, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Spanja, Tunizia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër 195 vende të vlerësuara në këtë raport, 45% e tyre janë kategorizuar si të lira, 30% pjesërisht të lira dhe 25% jo të lira.
Sigal