Raporti Evropian për drogën i 2017-s: Shqipëria rrugë kryesore e trafikut! Reagon ministri Demiraj

531
Shqipëria konsiderohet një nga vendet kryesore të prodhimit të kanabisit dhe rrugë kryesore e trafikimit në Evropë. Ministri Teknik angazhohet për zhdukjen e kanabisit nga harta
Shqipëria përmendet për herë të parë me shqetësim në raportin vjetor Evropian të Drogave të vitit 2017, publikuar nga Qendra Evropiane e Monitorimit të drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA). Raporti bazohet në informacionin që EMCDDA merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia. Ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017-s, vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se ajo po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Evropë. “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017. Në një publikim të mëparshëm të EMCDDA, “Raporti i Tregjeve të Drogave në Evropë 2016”, në bashkëpunim me Europol, që botohet një herë të tre vjet, thuhet se vendet kryesore të prodhimit të kanabisit në rajonin e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Bullgarinë dhe në një farë mase Kosovën, furnizojnë tregjet e Evropës qendrore dhe Evropës Lindore. Shqipëria duket të ketë qenë një prodhues i rëndësishëm (raporti i referohet dhe zhvillimeve në Lazarat dhe mbylljes së prodhimit aty). Greqia, ku prodhohet gjithashtu kanabisi, është një pikë e rëndësishme hyrëse në BE për kanabisin shqiptar, që shpërndahet në disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Kroacinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Austrinë. Një pjesë e kanabisit shqiptar mund të shitet dhe në Evropën perëndimore, si në Gjermani, ose Francë. Për më tepër, Europol bën të ditur se kanabisi me fuqi të ulët trafikohet në Holandë dhe përdoret për të prodhues kanabis të fortë, që më pas destinohet për tregjet e Mbretërisë së Bashkuar. Shqipëria dhe Holanda duket se janë nyje kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit (Europol, 2015d), sipas raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016 .
Reagon Ministri i Brendshëm
Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj ka reaguar lidhur gjetjet e Raportit Vjetor Evropian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), ku Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Evropë. “Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj shprehet thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, thuhet në një njoftim të ministrisë. Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni. “Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë. Ministri Demiraj përgëzon punën goditëse të Policisë së Shtetit në parandalimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe garanton mbështetje plotë të të gjitha strukturave për zbatimin e Planit të Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017–2020”, thuhet në deklaratën e ministrit Demiraj.
Sigal