Raporti efektiv KLSH-Kuvend. Ja katër kolonat e bashkëpunimit

785
Sigal

Bujar Leskaj

Kryetari i KLSH

Kryetari i KLSH , z.Bujar Leskaj, mori pjesë në prezantimin e Strategjisë për zhvillimin e KLSH-së, 2018-2022, organizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SIGMA. Tema e diskutimit ishte “Zhvillimi i marrëdhënieve efikase të punës mes institucioneve të larta të auditit dhe parlamenteve”. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe z. Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit, z. Alastair Swarbrick, këshilltar i Lartë i SIGMA-s, z. Stephen Stork, përfaqësues i EUD në Shqipëri.

Fjala e Kryetarit të KLSH-së , z. Bujar Leskaj

Në frymën e përcaktimeve të Deklaratës së Limës dhe të orientimeve të Raportit të SIGMA-s Nr. 33 “Marrëdhëniet mes Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Komisioneve Parlamentare”, në cilësinë e kandidatit të nominuar nga Presidenti i Republikës për pozicionin e Kryetarit të KLSH-së, në Platformën Strategjike[1] për zhvillimin e KLSH-së, paraqitur në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë dhe Financat, kam theksuar se një ndër objektivat kryesore të punës së institucionit në 7 vitet e ardhshme do të ishte: “Intensifikimi i konsultimeve me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë për përafrimet strategjike të KLSH 2011- 2018, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj Kuvendit, si një detyrim kushtetues… Në zbatim të detyrimit kushtetues, KLSH do të shërbejë tërësisht si struktura numër një dhe më e besueshme e informimit të Kuvendit për mirë-administrimin e pronës shtetërore, si për shumicën ashtu dhe për pakicën parlamentare, nëpërmjet raporteve periodike të saj dhe takimeve e konsultimeve të herëpashershme me anëtarët e Kuvendit, por sidomos me Komisionin për Ekonominë dhe Financat”. (nëntor 2011)

Në strategjinë e zhvillimit të KLSH 2013-2017, në Pikën 6 “Partnerët tanë strategjikë”, kemi cilësuar se “Kuvendi është partneri ynë kryesor… Kuvendi është i interesuar që KLSH të jetë një institucion i fuqishëm dhe profesional. Krahas shpërndarjes së burimeve publike në subjektet publike, ai ka deleguar edhe përgjegjësitë për përdorimin e tyre por ai mbetet i interesuar që të verifikojë se si janë përmbushur këto përgjegjësi. Kontrolli i Lartë i Shtetit paraqitet si instrumenti kryesor për të verifikuar se si janë përmbushur përgjegjësitë e këtyre subjekteve në pikëpamje të funksioneve të deleguara me ligj. Partneriteti i KLSH me Kuvendin realizohet kryesisht nëpërmjet Komisionit të Ekonomisë dhe të Financave, i cili diskuton dhe i propozon Kuvendit çështje që kanë të bëjnë me Buxhetin e Shtetit dhe burimet publike në tërësi”.

Sot, si auditues të jashtëm publik, jemi të bindur se ekziston një marrëdhënie simbiotike (e domosdoshme, jetike) mes Parlamentit dhe institucionit më të lartë të auditimit të jashtëm publik (SAI-t). Parlamenti dhe SAI kanë role reciprokisht mbështetëse për të siguruar një qeverisje efektive. Ata përbëjnë dy elementë thelbësorë të një sistemi të balancuar të llogaridhënies së Qeverisë, të quajtur Trekëndëshi i Llogaridhënies, sipas studiuesit Rick Stapenhurst dhe të tjerë.

Parlamenti mund të kryejë funksionet e tij vitale të mbikëqyrjes së aktivitetit qeveritar në mënyrë eficiente dhe efektive, kur ai përdor dhe mund të mbështetet mbi punën audituese të SAI-t. Nga ana e tij, SAI mund të jetë shumë më efektiv, nëse Parlamenti dhe komisionet e tij sigurojnë forume për paraqitjen dhe diskutimin e rezultateve të rëndësishme të auditimeve të SAI-t, duke përbërë aleatin kyç në nxitjen e Ekzekutivit dhe në inkurajimin e institucioneve të tjera të pavarura, për të ndërmarrë veprimet e duhura korrigjuese të propozuara nga SAI.

Progresi i marrëdhënieve Parlament-SAI

Marrëdhëniet mes Parlamenteve dhe SAI-ve janë forcuar dhe rritur gjatë dy-tre dekadave të fundit gati në të gjitha vendet e botës, përfshi dhe Shqipërinë, sidomos pas shpërthimit të krizës së përbotshme financiare dhe ekonomike të vitit 2008, kur roli i SAI-ve në shëndoshjen e financave publike u rrit ndjeshëm. Në harkun kohor të tre viteve (22 dhjetor 2011 – 19 dhjetor 2014), në kuadrin e Agjendës së saj të Zhvillimit post 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka miratuar dy Rezoluta për institucionet supreme të auditimit, Rezolutën A/66/209 “Nxitja e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit“, dhe Rezolutën A / 69/228: “Promovimi dhe fuqizimi i eficiences, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të institucioneve të larta të auditimit“. Me anë të tyre, OKB nxit parlamentet e Shteteve Anëtare të OKB-së të forcojnë pavarësinë e SAI-ve të vendeve të tyre dhe të bashkëpunojnë më fort me to. Miratimi i Rezolutave përbën kurorëzimin e përpjekjeve të bashkuara të SAI-ve nga i gjithë globi, në një lobim konkret dhe të mirë-organizuar nga ana e Organizatës së tyre INTOSAI, e cila numëron 192 SAI anëtare nga 192 shtete të botës. Rezolutat kontribuojnë në njohjen dhe kuptimin e rëndësisë që kanë dokumentet themelore të auditimit publik suprem, Deklarata e Limës e vitit 1977 dhe Deklarata e Meksikos e vitit 2007. Këto dokumente, nëse njihen dhe zbatohen nga dhe parlamentet dhe SAI-t e Shteteve Anëtare të OKB-së, sigurojnë një auditim suprem të përgjegjshëm, profesional, të aftë të forcojë llogaridhënien dhe rrisë transparencën në administrimin e fondeve dhe aseteve publike.

Cilësoj kontributin e rëndësishëm që ka dhënë Programi SIGMA i Bashkimit Evropian dhe i OECD-së (Mbështetja për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim) prej tashmë 26 vitesh në përmirësimin e qeverisjes publike në vendet kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Falënderoj SIGMA-n për ndihmësen e çmuar dhënë KLSH ndër vite, në veçanti Këshilltarët e Lartë të saj z. Joop Vrojlik, për kontributin në trajnimet e audituesve të institucionit dhe në hartimin dhe procesin e diskutimit të draft-ligjit organik të KLSH-së, si dhe z. Alastair [ellistër] Swarbrick [suorbrik] për ndihmesën e tij. Vlerësoj SIGMA-n për Raportet e saj me Nr. 33 “Marrëdhëniet mes Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Komisioneve Parlamentare” të datës 9 dhjetor 2002 dhe me Nr. 54 “Zhvillimi i Marrëdhënieve Efektive të Punës mes Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve”, të datës 12 maj 2017, lidhur me situatën e marrëdhënieve Parlament-SAI, praktikat e mira te SAI-ve më të zhvilluara evropiane dhe sugjerimet konkrete për progresin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, sidomos në optikën e SAI-ve të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për në BE. Këto sugjerime na kanë ndihmuar ndjeshëm ne si SAI, si KLSH, në ndërtimin e një raporti efektiv dhe eficient me Kuvendin e Shqipërisë. Jam i sigurte se për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtyre gjetjeve dhe orientimeve të SIGMA-s, do të flasë në detaje z. Alastair [ellistër] Swarbrick [suorbrik], Këshilltar i Lartë i SIGMA-s. Falënderoj SIGMA-n si për organizimin e një numri të konsiderueshëm takimesh, tryezash të rrumbullakëta, seminaresh e konferencash, ndër të cilat veçoj Takimin dhe Marrëveshjen e Stambollit të datës 9 mars 2011, Konferencën dhe Rezolutën për Marrëdhëniet midis SAI-ve dhe Parlamenteve, mbajtur në Budva, Mal i Zi më datat 18-20 nëntor 2013, si dhe Konferencën e mbajtur më datat 8-9 nëntor 2016 në Ankara, Turqi, mes SAI-ve të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me temë “Zhvillimi i marrëdhënieve efektive ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamenteve”. Të tre këto evente kanë shërbyer si gurë kilometrikë në dhënien e mesazhit se puna audituese, gjetjet dhe rekomandimet e një SAI përbëjnë punë integrale të vetë Parlamentit, e parë kjo në këndvështrimin e qasjes “SAI si institucion watchdog i Parlamentit dhe qytetarëve”.

Marrëdhënia simbiotike Kuvend i Shqipërisë-KLSH

Marrëdhëniet e Kontrollit të Lartë të Shtetit me Kuvendin e Shqipërisë, e sidomos me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë, reflektojnë kërkesat e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t për më shumë përgjegjësi në sistemin e llogaridhënies për përdorimin e fondeve publike, në veçanti të Deklaratës së Limës, e quajtur ndryshe “Magna Carta”, Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 1, Neni 8 “Marrëdhënia me Parlamentin”, i cili thekson se: “Institucioni Suprem i Auditimit duhet të fuqizohet dhe të mandatohet nga Kushtetuta për t’i raportuar gjetjet e tij në mënyrë të pavarur dhe çdo vit Parlamentit”, të ISSAI-t 12, “Vlerat dhe Përfitimet nga institucionet supreme të auditimit-të bësh diferencën në jetët e qytetarëve”, Parimi 6 “Komunikimi efektiv me Parlamentin dhe palët e tjera të interesuara”, i cili u kërkon SAI-ve të zhvillojnë marrëdhënie profesionale me Parlamentin dhe partnerët e tjerë, duke “…komunikuar me Parlamentin dhe veprimtarët e tjerë të interesuar, në një mënyrë që të rrisin njohuritë e tyre dhe të kuptuarit e rolit dhe përgjegjësive të SAI-t, si një auditues i pavarur i sektorit publik”[2], si dhe të ISSAI-t 20, “Parimet e Transparencës dhe Llogaridhënies”, Parimi 7 “SAI-t të mbajnë një marrëdhënie të fortë me komisionet përkatëse parlamentare për t’i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë raportet dhe konkluzionet e auditimit dhe të ndërmarrin veprimet e duhura“.

Rezoluta e Kuvendit

Në vitin 2016, Kuvendi miratoi Rezolutën e datës 20 tetor 2016, “Mbi perfomancën e Kontrollit të Lartë i Shtetit të vitit 2015“, ku theksohet që “Kuvendi i Shqipërisë, në funksion të detyrimeve të tij kushtetuese, por dhe në zbatim të rekomandimeve të Progres Raportit 2015 te Komisionit Evropian për ngritjen e një mekanizmi më eficient nga Kuvendi për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, shpreh angazhimin e tij maksimal në këtë drejtim, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, sa më poshtë:

– Të bashkëpunojë me KLSH-në dhe Qeverinë, që të rritet shkalla e ndërveprimit gjithëpërfshirës me të gjitha institucionet e administratës publike për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së;

– Të shikojë mundësinë e krijimit të Nënkomisionit Parlamentar brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat për të monitoruar në mënyrë sistematike aktivitetin e KLSH-së dhe zbatimin e rekomandimeve”.

Sfida e së ardhmes

Sikurse shprehet edhe Raporti i SIGMA-s Nr. 54 në pikën 1.2.2 “Komunikimi-të kuptuarit të rolit dhe punës së SAI-ve”, “…përcjellja formale e raporteve të auditimit nuk mjafton për të stimuluar ndjekjen e duhur të zbatimit të rekomandimeve dhe veprimin nga ana e Parlamentit. SAI-t kanë nevojë të bëjnë më shumë për të shpjeguar rolin e tyre dhe punën që bëjnë”. Na pret përpara një sfidë e madhe. Me Vendimin e Kryetarit Nr. 56, datë 30 prill 2018, KLSH miratoi Kodin e Etikës së Kryetarit, i cili njeh dhe pranon pa asnjë kushtëzim Kodin e Etikës së Deputetit të Kuvendit. Ky standard hap rrugën, në kushtet e mungesës totale të konfliktit të interesit për 6 muajt e ardhshëm në përfundim të mandatit të kryetarit aktual, për një marrëveshje të gjerë kuadër KLSH-Kuvend, të cilën me këtë rast ia propozoj Kryetarit të Kuvendit. Si KLSH, si SAI, në bazë të standardeve të INTOSAI-t, të Rezolutave të OKB-së dhe të Raporteve të SIGMA-s, gjykojmë se marrëveshja duhet të përfshijë jo vetëm fuqizimin e ndjekjes parlamentare për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, si plotësim edhe të rekomandimit të njëjtë(forcimi i ndjekjes parlamentare) të dhënë nga Progres Raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë në tre vitet e fundit 2016, 2017 dhe 2018, por edhe një agjendë konkrete për zbatimin e rekomandimit qendror të KLSH-së në këto vite, për draftimin dhe miratimin e Ligjit për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, si dhe angazhimin juridik të Qeverisë për nxjerrjen e Urdhrit për zbatimin e rekomandimeve të KLSH nga ana e institucioneve në varësi të saj. Ka ardhur koha e krijimit të Nën/komisionit të dedikuar të Kuvendit, pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat, për shqyrtimin e gjetjeve dhe rekomandimeve nga raportet e auditimit të KLSH, nën shembujt e praktikave të mira të sugjeruara nga Raporti Nr. 54 i SIGMA-s (faqe 43 “Përvojat evropiane për trajtimin e raporteve të SAI-t”). Investimi kryesor i së ardhmes për një SAI është forcimi i besimit të qytetarëve dhe Parlamentit në rolin dhe vlerën e shtuar të punës së tij. Si auditues të KLSH, si trupë auditimi që synon të shndërrohet në një formacion auditues modern evropian, garantojmë se do të kushtojmë të gjitha kapacitetet dhe energjitë tona në realizimin e këtij investimi madhor.