Ramica, bazë e Luftës në qarkun e Vlorës

678
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Ramica, baza e shtabeve ushtarake
Populli i fshatit Ramicë në qarkun e Vlorës, në vitet e LANÇ-it, u bë bazë dhe mbështetje e fuqishme e Luftës më të rëndësishme dhe jetike për fatet e shqiptarëve, kontribuoi e dha një ndihmesë të çmueshme. Populli i këtij fshati malor, i përkushtuar në ndjenjën e patrotizmit dhe i frymëzuar nga dashuria për Atdheun, mori pjesë masivisht në këtë Luftë, duke vënë në dispozicion të saj gjithçka që kishin më të shtrenjtë, deri edhe jetën e tyre. Ramica shërbeu për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, jo vetëm si Zonë e Lirë, por edhe si pikë dominuese strategjike e rëndësishme, me një terren të përshtatshëm ku lehtësonte drejtimin operativ e strategjik të Luftës në krejt zonën e Lumit të Vlorës. Ajo shërbeu edhe si një qendër nga ku nisën dhe u zhvilluan luftime të ashpra, në veçanti gjatë Operacionit të Dimrit të vitit 1943-1944, por edhe në gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit 1944. Ramica u bë selia e shtabeve partizane të gjithë qarkut Vlorë, si dhe të brigadave si Br. V S, Br. I S, Br. VI S e të Br. XII S, të çetave dhe batalioneve partizane. Populli i këtij fshati, partizanët e këtyre njësive i strehoi, i ushqeu, i veshi e i mbathi, duke treguar shpirtin e lartë të solidaritetit dhe frymën e humanizmit të paparë. Në Ramicë u hap dhe funksionoi spitali partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër në shpellë të Hyse, si dhe disa familje që strehuan dhe mjekuan partizanë të plagosur. Në Ramicë gjetën terren, u strehuan e punuan si ilegalë e legalë Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ali Demi, Manush Myftiu, Pajo Islami, Shefqet Peçi, Haki Toska, Liri Gega, Liri Arapi, Teli Ndini, Ymer Veshi, Ramize Gjebreja e dhjetra të tjerë. Prej muajit tetor 1943 në Ramicë u vendosën në kohë të ndryshme dhe punuan deri në çlirim, Qarkori i Partisë për Vlorën, Komanda e Qarkut, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Qarkut, Shtabi i Br. V S, si dhe Shtabi i Br. VI S. Në historikun e fshatit, por dhe në labitarin që përjetëson kontributin e Ramicës në luftë, për këtë shtab nuk është shkruar dhe vendosur në vendin që i takon. Shtabi më Haki Toskën u vendos në shtëpinë e Hodo Ferhatit, i cili në atë kohë ishte me punë, blegtori, në zonat e okupuara të Vlorës. Nga fshati Ramicë u nisën delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin Antifashist të Përmetit, si dhe delegatët e rinisë antifashiste të Qarkut të Vlorës për në Kongresin e Helmësit.
Kontributi i popullit të Ramicës në Luftë
Në Ramicë prej 28 nëntorit të vitit 1942, në Përralin e Verbasit u zgjodh pushteti i popullit, i përfaqësuar nga Këshilli Antifshist i fshatit, si dhe deri në çlirim janë zhvilluar mbi 30 veprimtari masive me karakter informativ, sqarues e vendimmarrës, në sheshe, në shtëpi, si dhe në livadhe. Mbi 10 shtëpi në Ramicë janë vlerësuar “Baza të Luftës”. Shtëpi bazë të Luftës Nacionalçlirimtare ndër të tjera të titulluara si të tilla janë shtëpitë e Zenel Hasan Curraj, Gilo Lame Sulçaj, Shtëpitë e Dervishe, të Cane, të Pronje të Zoto Rakip Zotaj, Lavdosh Zaçe Zotaj dhe të Feti e Fail Liçaj. Mbi 100 djem dhe vajza të Ramicës u rreshtuan në njësitet partizane, kryesisht në Br. V S dhe në Br. XII S. Mbi 140 në çetën vullnetare e territoriale të fshatit, e cila mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Qark deri në çlirimin e Vlorës. Mbi 80 gra ramiciote dhanë ndihmesën e veçantë në Luftë, në ndihmë të ekonomisë partizane. Populli i Ramicës qëndroi me vetmohim dhe përballoi me trimëri pesë operacionet që kaloi vendi ynë, gjurmët e tyre të shkatërrimit dhe të urisë që na lanë trashëgim. Humbjet njerëzore dhe materiale qenë të mëdha. Ramica ka 23 dëshmorë, midis tyre dhe partizanen Rakibe Dervishaj, 10 të plagosur, 8 viktima dhe të masakruar, të internuar, të burgosur, 70 shtëpi të djegura, 2000 bagëti të imta dhe 780 bagëti të trasha të dëmtuara. Ky është bilanci i humbjeve tragjike që pësoi Ramica nga Lufta. Nga djemtë dhe vajzat e Ramicës dolën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare shumë komandantë dhe komisarë të zot, të cilët me çlirimin e Shqipërisë u bënë specialistë të mirë të shumë fushave që nga jeta shoqërore e ekonomike e deri në ushtri si Mevlan Dervishaj, Pajo Islami, Bako Dervishaj, Mujsi Elezi, Bardhosh Halimi, Lavdosh Zotaj, Njazi Canaj, Shyqyri Ajazi, Gilo Lame, Hasan Abedini, Ismail Burhanaj etj. Rol të rëndësishëm jo vetëm në përkrahje të Luftës, por edhe të ndikimit të drejtpërdrejtë edhe për mbarë Ramicën dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare dha shembulli pozitiv i dhjetra ramiciotëve jashtë fshatit. Kështu mund të përmendim Pajo Islami, vëllezërit Feti e Faik Liçaj, vëllezërit Hysni e Muharrem Canaj, Asllan Veshi, Miftar Canaj, Ismail Bocaj me vëllezërit, Nexhip Xhikaj me vëllezërit, etj. Kjo kategori burra e gra ramiciotë ishin dhe ata që gjatë Luftës kryen detyra me rëndësi politike dhe ushtarake jashtë fshatit dhe u bënë nderi dhe lavdia jonë me emrin e mirë që bënë dhe për detyrat me rëndësi që kryen. Ramica nga djemtë e saj pjesëmarrës në Luftë, i dha vendit mbas çlirimit rreth 20 oficerë dhe 10 nënpunës, të cilët mbasi u shkolluan brenda dhe jashtë vendit kryen detyra me rëndësi në ushtri dhe në administratën shtetërore.
Shefqet Peçi bëri vend dhe ishte miku i parë i Ramicës
Një nga figurat e shquara të LANÇ-it, që njohu dhe punoi e luftoi bashkë me ramiciotët ishte dhe Shefqet Peçi. Ai jo vetëm njohu trimërinë e tyre, por edhe shkroi dhe u këndoi me gjithë zemër, partizanëve, grave dhe vajzave, patriotëve të Ramicës. Kjo lidhje dhe ky kuvendim me trimat e këtij fshati do të vijonte gjatë gjithë kohës së luftës dhe të ndërtimit të Shqipërisë socialiste. Shefqet Peçi bëri vend dhe ishte miku i parë i Ramicës. Njohja e popullit të Ramicës prej Shefqet Peçit kishte filluar kohë më parë dhe u përforcua në zjarrin e LANÇ-it. Shefqet Peçi së bashku me Hysni Kapon filluam menjëherë nga organizimi i brigadës. Aty u njoh me luftëtarët e Br. V S, që shumë prej luftëtarëve ishin nga Ramica, të cilët i dhanë nder e lavdi emrit të partizan. Të tillë ishin luftëtarët dhe kuadrot Mevlan Dervishaj, Moisi Elezi, Bako Dervishaj, Gilo Lame etj. Ndaj dhe Shefqet Peçi do t’i këndonte Ramicës për ta përjetësuar në histori. 

Nga Ramica na vjen korrieri,
fonogrami me nxitim,
t’i njoftohet ushtërisë, 
se në Kuç u vra një trim… 

Shefqet Peçi e vendosi shtabin e tij në Ramicë. Komisari Hysni Kapo shkonte sa në një batalion në një tjetër për të mbajtur ndezur zjarret e moralit partizan. Komisarë batalionesh e kompanish si Reiz Malile, Zaho Koka e Todo Manço, Nuri Arapi e Filat Muço, Halim Ramohito e Berdo Asllani, Zenel Hamiti e Jonuz Mersini, Elmaz Teme e Kiço Gjikopulli, Nuri Çakërri e Hajro Çakërri, të gjithë pa përjashtim organizonin në terrene të vështira dhe në kushtet e borës dhe të tufanit konferenca qëndrese.
Ramica dhe Urdhëri i Flamurit
Me Urdhrin e Flamurit është dekoruar Ramica, e cila gjatë viteve të Luftës shërbeu si qendër e rëndësishme e veprimtarisë politike, ushtarake dhe logjistike për ushtrinë partizane dhe organet drejtuese të Frontit Nacionalçlirimtar. Udhëheqja politike dhe ushtarake e Luftës, ndiente një detyrim të madh moral për sakrificat dhe heroizmin e popullsisë së fshatit, e cila mbajti në mesin e saj partizanë, duke përballuar operacione armike, e duke sakrifikuar pasurinë, deri edhe jetën.

Ndër vendimet e para që mori Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, më datë 14 nëntor 1945, ishte dhe dekorimi i fshatit Ramicë të qarkut të Vlorës.