Rama: Të ndërhyhet në strukturën e Universitetit të Mjekësisë. Krijimi i tij, qëllim elektoral

498
Sigal

Problematika e ngritur për shkak të krijimit jo të ligjshëm të Universitetit të Mjekësisë, si dhe e vendimeve arbitrare të marra nga Rektorati i këtij universiteti nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga Kryeministri Edi Rama. Kështu, gjatë fjalës së tij në një takim me mjekë dhe infermierë të QSUT-së, Kryeministri Rama foli rreth strukturës së Universitetit të Mjekësisë. Ai premtoi ndërhyje në strukturën e tij, pasi krijimi i tij përpara zgjedhjeve nuk ishte gjë tjetër veçse një vepër me qëllim elektoral. Në këtë takim, gjithashtu, Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për të rimëkëmbur sistemin shëndetësor dhe për të shlyer borxhet e mëdha të spitaleve. Rama e krahasoi gjendjen në sistemin shëndetësor me një pacient të sëmurë, dhe ftoi personelin e spitalit që bashkë me qeverinë të “përcaktojnë diagnozën e duhur, terapinë e duhur dhe të ndërmarrin të gjithë hapat për ta ekzekutuar atë terapi nga fillimi deri në fund duke bërë dhe operacionet e dhimbshme të duhura. Unë besoj se ky spital në radhë të parë nuk ka nevojë për më shumë lekë, por për një tjetër sistem”,- u shpreh Rama. Duke iu referuar programit qeverisës, Rama u shpreh i vendosur për të bërë të mundur “një shëndetësi që u përgjigjet pacientëve sipas nevojave dhe jo sipas xhepit”. Kryeministri garantoi se shumë shpejt do të bëhet e mundur ulja e çmimit të barnave, heqja e TVSH-së për ilaçet dhe vendosja e një tavani për barnat që shiten në Shqipëri.