Rama studentes serbe që flet shqip: Si i kemi djemtë?

536
TIRANE – Një vajzë serbe e cila vitet e fundit ka nisur të mësonte gjuhën shqipe ka krijuar mjaft emocione në hollin e kryeministrisë, aty ku u mbajt një bashkëbisedim mes studentëve shqiptarë dhe serbë. Ata ndodhen në vendin tonë në kuadër të një bashkëpunimi mes dy ministrive të Arsimit por edhe për të ndjekur përballjen mes kombëtares shqiptare dhe serbe që luhet në mbrëmje në “Elbasan Arena”. 
Kreu i qeverisë Edi Rama, ka dashur të mësoj më shumë për natën e tyre të parë në Tiranë, të cilët e kaluan në familjet e studentëve shqiptarë. E para që rrëfeu për këtë përvojë ishte një studente shqiptare e cila tha se ky gjest në dukje i vogël tejçon mesazhin e bashkëjetesës mes dy vendeve fqinje që vite më parë nuk mund të mendohej.
“Si ishte nata e parë me alienët?”, – ishte pyetja që Rama i drejtoi studentes me buzëqeshje duke nënkuptuar përshtypjen që është krijuar për shqiptarët.
E dyta që nisi të rrëfejë për qëndrimin në Shqipëri ishte një studente e cila u duk se ishte shqiptare, por në fakt ishte një e re serbe që kishte marrë iniciativën të mësonte shqip. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe të vetë kryeministrit Rama i cili i bëri një “intervistë” të vogël për të mësuar më shumë rreth përshtypjeve që i ka lënë Shqipëria.
“Ne jemi mesazh sepse kemi qenë dy ditë bashkë të kuptueshëm, besoj se do të jemi shokë për një kohë të gjatë”.
Si e di shqipen?
Është një gjuhë shumë specifike duke qenë se jemi fqinj, ndoshta nuk i dimë gjuhët përkatëse, ju nuk dini serbisht unë di pak shqip, por tani ne jemi fqinj..
Si ishte ushqimi?
Më pëlqen shumë trileçja. Në fakt kush më njeh tani e di që më pelqen shumë trileçja.
Si janë djemtë shqiptarë?
Është sekret. 
Sigal