Rama: “Shqipëria europiane, jo vetëm duke miratuar ligje, por duke ndërtuar shtet”

97

Kryetari i PS-së zbardh platformën elektorale të PS-së për 23 Qershorin në konferencën e shtypit, në Twitter

 Kryetari i PS-së, Edi Rama dje u është  përgjigjur në Twitter, duke zbardhur edhe platformën elektorale të PS-së për zgjedhjet e 23 Qershorit. Rama u është përgjigjur pyetjeve që kanë të bëjnë me qëndrimin e PS-së, ndaj Metës, Topit, për ardhjen e sotme të Komisionerit të BE-së në Tiranë, zotit Fule, për politikën që do të ndjeke PS-ja për pronat, në qoftë se vjen në pushtet, etj..

A mund të bëhet administrata si në Bashkinë Patos, në çdo zyrë që futesh të presin të gjithë duke qeshur?

Kam një respekt të veçantë për Raimonda Balilin Kryebashkiaken tonë atje dhe jam i lumtur që e dëgjoj këtë nga një qytetar.

A do ketë punë edhe për ata që nuk kanë shkollë?

Arsimi profesional është përgjigja! Një zanat për të jetuar me punë dhe për t’u vetëpunësuar.

A mund të vini përveç policisë, një strukturë që jep këshilla si të zgjidhin situatën?

Ne do ngremë Byronë Kombëtare të Hetimit. Dhe do ta ndryshojmë rrënjësisht cilësinë e shërbimit policor për individin dhe pronën!

Shqipëria e Madhe, nëse mbledhim 50.000 firma peticion  për Parlamentin për bashkimin e Kombit, do të  na mbështesni?

Bashkimi Kombëtar s’bëhet me peticione, po me vizion, projekt, vullnet demokratizues dhe europianizues në dy anët e kufirit!

Sa humbet PS nga ndarja e mandateve mbi bazën e vitit 2009?

Ajo e mandateve është prova më e fortë e dëshpërimit të Saliut dhe e vetëdijes se tij se nuk i shpëton dot humbjes. E ka kot!

Pse nuk ftoni Bamir Topin në koalicion?

Bamir Topi është jo vetëm i djathtë, po ka dhe synimin të duket i ri në fushë. Plus që qëllimi i tij real është reformimi i PD-së.

Vangjel Dule do të iki nga koalicioni juaj?

Vangjel Dulja kërkon rotacionin njësoj si ne, por nëse do ta synojë jashtë nesh kjo është zgjedhja e tij që do ta respektojmë.

Sa deputetë aktual do largohen apo lëvizin nga zonat?

Natyrshëm mund të ketë lëvizje pozicionesh në fushë për të marrë rezultatin më të mirë nga kontributi i secilit në territor.

A do ju detyrojë Fyleja të votoni 3 ligjet?

S’funksionon me detyrim partneriteti BE-ja e me komisionerin! 3 ligjet mund të votohen nëse opozita dëgjohet se pse nuk i voton.

A mund të ndodhë që Bamir Topi të bëjë qeverinë me Berishën si Meta në 2009-n?

Kjo është gjithnjë e panjohura e forcave të mesit! Ja pse ka vetëm një votë të blinduar për rotacionin: Vota për PS-në!

A i konfirmoni listat e deputetëve që janë publikuar në media?

Fryte të një fantazie argëtuese, por larg realitetit në 90% të ndryshimeve që aludojnë për skuadrën tonë kombëtare të Rilindjes.

N.q.s qeveria e sotme do të realizojë privatizimin  e 4 H/C, si do të zgjidhen problemet sociale me familjet e punonjësve?

Ne do t’i rishikojmë ato privatizime. Janë tërësisht të padrejta dhe të dëmshme.

Zoti Rama, cilat janë pritshmëritë tuaja për vizitën e nesërme në Tiranë të komisionerit Fyle?

Presim si gjithnjë një aleat të shqiptarëve në përpjekjet për demokratizim, zgjedhje të lira e drejtësi në dobi të integrimit.

Si mund të shpresoni tek Ilir Meta akoma?

E s’bëhet fjalë thjesht për fitoren e 23 Qershorit, po për një riorganizim strategjik përtej momentit e individëve.

A mendoni se pikërisht një proces zgjedhor i lirë dhe transparent është çelësi që nxit kulturën e kompromisit dhe përfshirjes?

E kundërta e bën thuajse të pamundur kompromisin dhe përfshirjen, siç e shohim qartë në realitetin tonë.

Çfarë mendimi keni për rritjen e moshës së daljes në pension? Ju duket e drejtë?

Çështja e pensioneve në Shqipëri meriton një debat të thellë e serioz të gjithë shoqërisë. Por përgjigja ime është Jo!

Si do ta përballoni fluksin e të papunëve socialistë që kanë 8 vite pa punë?

S’i ndaj të papunët sipas teserës së partisë! Sigurisht, kush është hequr padrejtësisht nga puna, e ka vendim gjyqi, do të kthehet.

Brenda sa kohësh mendoni se do t’i ktheni tokat në bregdet pronarëve?

Jemi angazhuar për një institucion të transparencës kombëtare në disa aspekte, ku hyn edhe gjendja e pronës! Do fillojmë nga kjo.

A mendoni se pas 23 Qershorit, shqiptarët do ta kuptojnë vërtetë ç’do të thotë burrë shteti?

Jam i sigurt se do kuptojnë ç’është mirëqeverisja dhe mirësjellja e qeveritarëve me popullin e me vetë opozitën.

Ju çfarë reforme do bëni në tatim dogana?

E ndaj me ty idhtësinë! Mund të kontraktojmë një agjenci ndërkombëtare pa teser partie e kushërinj në pushtet. Është një opsion.

Ç’do të bëni për të integruar Shqipërinë në BE?

Nuk ka integrim në BE pa ndërtuar Shqipërinë Europiane këtu! E kjo s’bëhet vetëm duke miratuar ligje, po duke ndërtuar shtet.

Doja të dija më shumë për taksimin progresiv. Do të ishte më mirë që të flitej me terma konkrete.

Paga minimale do të taksohet më pak se 1 %, një mësues 4,5 %, KM do të jetë tatimpaguesi më i madh i të punësuarve publikë.

A e dini kryetar, si ka degraduar sistemi arsimor? Si do ta rregulloni?

Dije dhe aftësi dhe jo thjesht diploma është motoja jonë për shkollimin e lartë të të rinjve shqiptarë.

 Deputeti i “Agimit të Artë” ju quajti psikopat. A keni ndonjë përgjigje për idiotin që ju ofendoi publikisht?

Neveri për çdo krijesë fashiste siç është edhe ajo forcë e skutave më të errëta të psikologjisë sociale që quhet “Agimi i Artë”!

Disa anëtarë të Partive së Djathta Europiane hodhën akuza të rreme ndaj jush. Si u përgjigjeni?

E djathta europiane për mua është Angela Merkel, jo disa figura tretësore e qesharake, që i fërkojnë shpinën Saliut.

A do gjenden ndonjëherë vrasësit  e vërtetë të Fatmir Xhindit  dhe kryekomunarit të Kukësit?

Çlirimi i drejtësisë nga kthetrat e pushtetit do hapë një perspektivë të re. Qeverisja e drejtë do nxisë sensin e drejtësisë.

Ç’do bëni për mbrojtjen e votës? Ç’do bëni për të luftuar korrupsionin? Po për të kthyer sigurinë e munguar çdo bëni?

Për të tria kemi plane të qarta dhe të detajuara. Do fitojmë me votë dhe do qeverisim në respekt të çdo vote që do marrim.

A mund të vini përveç policisë një strukturë që jep këshilla si të zgjidhin situatën?

Ne do ngremë Byronë Kombëtare të Hetimit. Dhe do ta ndryshojmë rrënjësisht cilësinë e shërbimit policor për individin e pronën!

A nuk është ndarja arbitrare e mandateve preludi i vjedhjes së zgjedhjeve?

Duke ikur Saliu do bëjë edhe më shumë se aq, po s’do ta shmangë dot fundin e karrierës së tij në detyra publike në 23 Qershor!

A ka një projekt të plotë PS-ja për nxjerrjen ose certifikimin e vetëm 1 ligj në lidhje me pronësinë?

Xhungla e pronësisë është ngatërruar në 8 ligje të ndryshme. Zgjidhja e çështjes së pronës është imperativ ligjor, moral, social e ekonomik.

Problemi më i madh në Shqipëri besoj se është papunësia e sapo të diplomuarve. Ç’do bëni për këtë?

Dije dhe aftësi dhe jo thjesht diploma është motoja jonë për shkollimin e lartë të të rinjve shqiptarë.