Rama “puthet” me krerët e partive të vogla që i shpërfilli më 2013 e 2015, u premton futjen në listat e PS

609
Përparim HALILI
Ankth, panik, tension dhe pazare në kupolën e “Rilindjes”, prej frikës se mbi 30 vende të para kandidatësh, do të dhurohen për aleatët
Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit 2017, demonstrimi që opozita po i bën prej 33 ditësh me çadrën e protestës në sheshin përballë zyrës së tij, fushata e egër dhe e faktuar me skandale që kanë nisur të bëjnë ish-deputetët e PS, analistë, mediat e pavarura, intelektualët në rrjetet sociale dhe grupime të shoqërisë civile, frika prej klaneve të krijuar brenda grupit parlamentar, shpërfillja prej faktorit ndërkombëtar, firot në anëtarësi dhe mbështetës, si dhe pakënaqësia e shqiptarëve prej korrupsionit, varfërisë, papunësisë e premtimeve të pambajtura, duket se e kanë detyruar kreun e “Rilindjes”, kryeministrin Edi Rama, që pas 46 muajve pushtet prepotent të ulë “hundën” e të ftojë në tavolinë paqeje dhe bashkëpunimi, krerët e partive të vogla të ish-koalicionit ASHE të 2013-ës e 2015-ës, shumicën e të cilave pas fitoreve të pushtetit qendror e lokal, ai i shpërfilli dhe i përzuri, duke mos i qëndruar marrëveshjes për ndarjen e “thelave” të pushtetit, paçka se edhe partitë “milingona” hodhën një sasi votash të konsiderueshme në “thesin” e “Rilindjes”. Mësohet, se i gjendur i sulmuar dhe i braktisur nga të gjithë, Edi Rama ka hapur derën e PS dhe ka pritur me “buzëqeshje” krerët e shumë prej këtyre partive, duke u kërkuar të krijojnë koalicionin parazgjedhor të 18 qershorit 2017. Sipas informacionit zyrtar të selisë mavi të “Rilindjes”, thuhet se takimi ka qenë mirëkuptues dhe përcaktues, për krijimin e një koalicioni partiak zgjedhor me bazë të gjerë. Siç dihet, afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve partiake është data 19 prill, por kryeministri i vendit ka shpejtuar të takohet me krerët e partive që i ka (zh)gënjyer për shpërblime me vende pune edhe pas fitores së zgjedhjeve lokale 2015, me synimin për të garantuar votat e atyre pak anëtarëve e militantëve, familjarëve dhe interesaxhinjëve të këtyre partive, që ëndërrojnë poste e vende pune. Kujtojmë, që në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2013, koalicioni ASHE kishte 37 parti, ndërsa në zgjedhjet lokale të vitit 2015, kishte 39 parti. Por jo të gjitha partitë shijuan “frytet” e pushtetit të “Rilindjes”, përkundrazi vetëm pak prej tyre, ato më afër klientelizmit dhe skemave të Ramës, u shpërblyen me “copëra” pushteti për vete dhe familjarët e tyre, duke u punësuar dhe emëruar në disa detyra shërbimesh publike qendrore e lokale. Ndërsa të tjerët edhe emra të njohur të politikës si Gjinushi e Milo, u lanë jashtë “tenxheres” së kolltukëve të pushtetit të “Rilindjes”. Mirëpo, në takimin e bërë me ftesë të Edi Ramës, kreu i “Rilindjes” ka qenë ofertues zemërgjerë. Sipas burimeve tona, thuhet se ndryshe nga dy pazaret e para të koalicioneve të 2013-ës e 2015-ës, të cilat nuk i respektoi, në pazarin për votat e pushtetit të 2017-ës, ai u ka premtuar krerëve të partive të vogla, futjen në listat e kandidatëve të PS, duke i vendosur brenda vijës së grupit të garantuar të fituesve. Kjo ofertë, duket se i ka joshur krerët e partive të vogla, të cilët siç është provuar, nuk votohen as nga familjet e tyre, mbasi janë parti vetëm me kryetar, sekretare, shofer e punonjëse pastrimi shtëpie. Gjithsesi, burimet konfirmojnë, se Rama u ka dhënë siguri për futjen në listat e kandidatëve të PS, duke u bërë renditje preferenciale. Prej krerëve të partive të vogla që nuk mbushin dot asnjë furgon me anëtarë, thuhet se është kërkuar që ky pazar i tretë të jetë “i treti i vërteti” dhe të bëhet me deklarim “me bojë” e jo “me gojë”, pra me shkrim! Nuk e dimë, nëse kreu i “Rilindjes” e ka pranuar këtë kërkesë që shpreh dyshimin ndaj tij për mosmbajtje fjale, por dimë faktin, që pakti paraprak është bërë dhe pritet të finalizohet. Premtimi i bërë prej Ramës në favor të krerëve të partive të vogla për t’i futur në listat e kandidatëve të PS, thuhet se ka krijuar ankth, panik, tension dhe lëvizje urgjente për pazare në kupolën e “Rilindjes”, prej frikës se mbi 30 vende në listat e kandidatëve, do të dhurohen për aleatët. Të gjithë pretenduesit për të qenë pjesë e listës, të cilëve u është premtuar futja e emrave në lista, po synojnë jo vetëm të jenë brenda listave, por të jenë edhe përpara krerëve të partive të vogla në renditje, që sipas llogarisë, rezulton se do të jenë në listat e çdo qarku!
———————— 
PD: Çështja e pronave të zgjidhet në favor të ish-pronarëve, fund vonesave dhe makinacioneve 
– Kërkojmë ndjesë për gabimet e bëra me pronën, me rikthimin në pushtet, kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në favor të pronarëve të sekuestruar në vitet 1945-‘50
Dita e 35 e protestës së opozitës ka pasur brenda çadrës pronarët legjitimë, të shpronësuar nga regjimi komunist, të cilët ende sot nuk i kanë zgjidhur problemet me pronat. Mesazhi i kësaj shtrese drejtuar kryeministrit, ishte ky: Çështja e pronave të zgjidhet në favor të pronarëve, t’i jepet fund vonesave dhe makinacioneve me procedura e VKM fiktive, që duan të zvarritin këtë proces. Sipas kësaj shtrese, prona është e barabartë me atë të jetës dhe kjo e drejtë prone ëhstë mohuara prej vitesh, duke u krijuar pengesa e vonesa fiktive pronarëve të sekuestruar në vitet 1945-’50 e më pas, të cilët ende nuk janë shpërblyer apo kompensuar plotësisht në këto 25 vite. Brenda çadrës ishin mbledhur përfaqësues të familjeve të njohura të ish-pronarëve të para vititi 1945, të cilët i bënë apel shtetit, të zgjidhin sa më aprë këtë çështje të mbetur peng me zvarritje të qëllimshme që nuk u ka kthyer pronat, por ua ka mohuar e ua ka vjedhur ato. Përfaqësuesi zyrtar I PD, z. Gazmend Bardhi, tha se edhe Partia Demokratike, në 8 vitet në pushtet nuk e zgjidhi dot përfundimisht problemin e pronave, megjithë bilancin e arritur në këtë drejtim. Qeveria e sotme, ashtu si edhe në periudhën 1998-2005 kur socialistët ishin në pushtet, nuk ka bërë asgjë, nuk ka zgjidhur asnjë rast. Sot, ai ligj, pavarësisht premtimeve elektorale të kryeministrit, mbetet ende një ligj i papërfunduar dhe i kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese. Sipas pronarëve legjitimë, konstatohet se ligji “Rama” propozon për pronarët atë ç’ka mund të quhet si një shpronësim i dytë. Kryeministri Rama propozon, që kur prona të ishte e lirë, të mos ia kthente pronarit, por ta kalonte atë në fond shtetëror dhe t’ju shpërblente apo kthente atë pjesë të pronës që korrespondonte me vlerën e pronës në vitin 1945, kur ua mori ish-pushteti komunist. Duke kërkuar ndjesë për gabimet e bëra me pronën, zyrtari i PD, deklaroi se me ardhjen e PD në pushtet, kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht në favor të pronarëve legjitimë. 
Sigal