Rama: Me hartën e re Gramshi jo më bashki e vogël, ja projektet

597
Sigal

GRAMSH – Kryeministri Edi Rama ishte sot në Gramsh ku inspektoi punimet e nisura nga qeveria në kuadër të programit “Rilindja e Qyteteve”. I shoqëruar edhe nga Kreu i Bashkisë së këtij qyteti, Rama theksoi se qeveria ka gati projektet për transformimin e këtij qyteti, ndërsa theksoi se me ndarjen e re territoriale, Gramshi nuk është më bashkia e mbyllur e një unaze të vogël, por një bashki me shumë potenciale në bujqësi dhe turizëm.

Sa i përket konkretisht projekteve, Rama tha se janë gati projektet për ndërtimin e rrugëve që lidhin Gramshin me Elbasanin dhe Korçën, si dhe rrugën pedonale. Gjithashtu shefi i qeverisë, tha se do të nisë shumë shpejt edhe projekti për rehabilitimin e të gjithë godinave të vjetra, ndërsa nënvizoi se ky është vetëm fillimi.
 
“Me ndarjen e re territoriale, Gramshi nuk është më bashkia e mbyllur në një unazë të vogël. Gramshi, një bashki me shumë potenciale në bujqësi, në zhvillimin e turizmit. Shumë shpejt, projekti për rehabilitimin e gjithë godinave të vjetra. Do të  bëjmë edhe rrugën pedonale. Së shpejti, fillojnë punimet për rrugën e re që lidh Gramshin me Elbasanin. Do të nisin punimet edhe për rrugën që lidh Gramshin me Korçën. Ky është vetëm fillimi për zhvillimin e potencialeve.” u shpreh kryeministri Rama

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Gramshit Dritan Bici, u shpreh se qeveria ka dhënë një fond prej 40 milionë lekësh për rehabilitimin e sheshit në qendër të qytetit duke nënvizuar se këto janë fondet e para nga qeveria për këtë njësi vendore në 3 vitet e fundit.

“Qeveria 40 milionë lekë, për projektin e rehabilitimit të sheshit në qendër dhe 2 lulishteve. Janë fondet e para që vijnë në Bashkinë e Gramshit. Qeveria e kaluar,  për 3 vjet asnjë fond” tha Bici