Rama firmos shkarkimet nepotike nga ambasadat

897
Sigal

Ikën dajoja i Berishës nga Konsullata e Barit dhe disa prej dhëndurëve apo familjarëve të Topallit, Cekës, Bumçit, Kserës dhe Gjanës

Disa orë para udhëtimit drejt Nju Jorkut, Kryeministri Edi Rama, firmosi pezullimin nga puna për konsullin e Barit, të Milanos, të Nju- Jorkut, Athinës, si edhe disa konsuj të tjerë, që janë kontingjent i tarafeve familjare të pushtetarëve të lartë demokratë. Këto firma u shoqëruan edhe njëherë me urdhrin e prerë të Ramës për të larguar nga ambasadat shqiptare, nëpër botë, të gjithë farefisin e ish pushtetarëve të cilët përbënin rreth 30-40 për qind të totalit, përsa i përket trupit tonë diplomatik. Ndërkaq, disa prej tyre kanë filluar prej kohësh dhënien e dorëheqjeve, duke kërkuar punë tjetër, ashtu siç i përshtatet “sojit” të tyre.

 Dorëheqjet

Kështu Konsull shqiptar, në Francë, ose dhëndri i Topallit, Luis Ejlli, ka dhënë dorëheqjen. Po kështu edhe dy familjarë të afërt të saj janë dorëhequr nga postet që mbajnë në konsullatën shqiptare të Milanos. Njëri prej tyre është vëllai i saj, Gjon Çoba, që ishte konsull i Milanos, ndërkohë që djali i Neritan Cekës është dorëhequr para pak kohësh, nga përfaqësia e Ambasadës së Vjenës, ndërsa vetë Neritan Ceka është duke u përmendur në Greqi për një ngjarje të pakëndshme automobilistike. Por ndërkaq, jashtë historive të dorëheqjeve qysh para 4 ditësh, ka nisur epidemia e shkarkimeve. Duket se brenda një kohe të shkurtër, procedura e shkarkimeve farefisnore do të përfundojë. Por ndërkaq, në krahun e koalicionit të majtë, familjarët e socialistëve po bëjnë gati dokumentacionet për t’u punësuar në Ministrinë e Jashtme, ku duket se një palë, kushërinj të majtë do t’u zënë vendet e kushërinjve të krahut të djathtë. Dhe diplomacia jonë do të qëndrojë në vend numëro, ashtu siç ka qenë deri më sot duke prodhuar vetëm konflikte dhe konfuzion.

Çfarë ndodhi në 8 vjet

Asnjëherë më parë, diplomacia shqiptare nuk kishte katandisur në këtë gradë, si këto vitet e fundit, kur konsullatat tona përfaqësoheshin, nga njerëz inkopetencë dhe të pashkolluar, në degët diplomatike. Por nga ana tjetër, ata ishin certifikuar me kartën e identitetit, si pjesëtarë të familjeve të pushtetarëve. Dhe të gjithë tundnin certifikatat e lindjes, ku kishin të shënuar mbiemrat e pushtetarëve. Dhe asnjë ministër i Jashtëm nuk kishte fuqi parandaluese, përballë atyre mbiemrave. Nga njëra anë kjo ishte fitore e madhe e politikanëve të maxhorancës dhe nga ana tjetër, kjo përbënte një turp për shqiptarët. U desh një sherr në Vjenë, që emrat e familjarëve të politikanëve tanë të binin në sy. U deshën disa arrestime në Turqi, për të mësuar se makina jonë diplomatike transportonte drogë. Por djali i Cekës, apo dhëndri i Topallit ishin vetëm një pjesë e vogël e ajsbergut të tarafeve familjare, ku nepotizmi kishte shkelur mbi parametrat e profesionalizmit. Sepse në Bari konsull i Përgjithshëm ishte daja i dhëndrit të Berishës, Ndërsa dhjetëra të tjerë, kishin mbushur zyrat e Ministrisë së Jashtme, duke  kaluar kohën me misra të pjekur, ndërkohë, që ne kërkonim prej tyre të na ndihmonin për integrimin në Evropë. Duket se urdhri i Ramës për ta spastruar Ministrinë e jashtme nga nepotizmi, i ka detyruar disa prej tyre të japin dorëheqjen dhe për t’u marrë me bizneset private, apo me pasionet e tyre. Në këtë mënyrë, turpi që mbuloi hapësirën diplomatike të tetë viteve të fundit, nuk mund të korrigjohet me asgjë. Sepse diplomatët e karrierës, qëndrua në shtëpitë e tyre duke parë në televizor se si konsujt shqiptarë, joprofesionistë, pasi kishin hequr pantallonat e shkurtra, veshën kostumet diplomatike.

Deklarata e Bushatit

Pas deklaratës së Ministrit Bushati, për monitorimin e Ministrisë së Jashtme nga ana e Ambasadës Amerikane, duket se një epokë e re, mund të fillojë në sektorin e diplomacisë. ku më në fund, për herë të parë të vlerësohen profesionistët. Por kjo gjë, nuk mund të thuhet me siguri, pa u verifikuar procedura me të cilën do të konkludojnë zyrtarët e Partisë Socialiste. Aq më tepër që tarafet familjare të socialistëve po bëjnë gati valixhet e reja për të filluar punë nëpër ambasadat tona. Dhe kjo është ndofta parodia më targji-komike që po luhet prej 23 vjetësh me Ministrinë e Jashtme, ku një grup injorantësh zëvendësohet me një grup tjetër. Aq e vërtetë të është kjo, saqë, gjatë këtyre viteve ne kemi konstatuar nga këto qarqe diplomatësh, konflikte, sherre, shkulje veshi, apo edhe arrestime të personelit për trafik droge. Në shumicën e bastioneve tona diplomatike, ku injoranca ka bashkudhëtuar me turpin kërkohet një ndërhyrje emergjente dhe moskthim prapa, në metodat nepotike. Kjo histori duhet të marrë fund, me mbylljen e këtij mandati të demokratëve i cili padyshim do të kujtohet si epoka e diplomacisë së dhëndurëve. Më poshtë po japin një tabelë të pjesshme me emrat e familjarëve të disa prej zyrtarëve demokratë. Kjo listë është shkëputur nga botimet periodike të bëra në mediat shqiptare deh përfshin vetëm një pjesë ët vogël të sëmundjes së nepotizmit. Përveç të tjerave këtu po rikujtojmë deklaratën e ish-ambasadorit Roland Bimo, diplomat karriere, i cili tha se: Të gjithë pjesëtarët e maxhorancës së sotme qeverisëse kanë të emëruar nëpër ambasada në botë një nip, një vëlla, një motër, një kushëri, etj.”.

Tarafi i pushtetarëve në diplomaci

Vëllai i Jozefina Topallit (Konsull Milano) – Gjon Çoba

Dhëndëri i Jozefina Topallit (Paris) – Luis Ejlli

Daja i dhëndrit të Sali Berishës (Konsull i Përgjithshëm Bari) -Bashkim Bekteshi

Gruaja e Arjan Starovës (Londër) – Teuta Starova

Gruaja e Sherefedin Shehut (Drejtore e Auditit në MPJ) – Dashuri Shehu

Djali i Neritan Cekës (Austri) – Egin Ceka

Gruaja e Rahman Selmanllarit (MPJ) – Suela Selmanllari

Vajza e Ali Spahisë (Konsulle e Përgjithshme Milano, shkelje ligjore, ka nënshtetësi të huaj) – Nausika Spahia

Gruaja e Aldo Bumçit dhe vajza e Safet Zhulalit – Ilda Zhulali (konflikt interesi)

Djali i Fatos Bejës (MPJ) – Sokol Beja

Kunata e Fatmir Mediut (Neë York)

Vajza e Agim Shehut (Vjenë) – Alma Shehu

Vajza e Ilir Banos (MPJ) – Albana Bano

Vajza e Jemin Gjanës (Kosovë) – Lorena Gjana

Daja i ministrit Spiro Ksera, disponon dhe shtetësi greke (Konsull në Janinë)