“Racioni” i çdo shqiptari është 5 ton plehra importi

609
Përparim HALILI
Shqipëria “prodhon” 170 mijë ton mbetje industriale në vit, 25% e të cilave konstatohen “të rrezikshme”, importi trefishon sasinë e tyre. 
Pasi mori atë “shejtan votë”, të kërkuar gjatë fushatës elektorale të 25 qershorit 2017, “Rilindja” e nisi qeverisjen e “tepsisë vetëm”, duke servirur “tavë me plehra importi”, çuar për herë të dytë në parlament, me synim miratimin e shpejtë të këtij ligji, të bllokuar 1 vit më parë prej LSI e cila refuzoi ta votonte duke e cilësuar “rrezik për jetën e shqiptarëve dhe shkatërrimin e mjedisit! Rikthimi i këtij projekt-ligji klientelist me porositës mafien rajonale të import-përpunimit të plehrave, riktheu reagimet e medieve, të ambientalistëve të “pa kapur” prej pushtetit, por edhe të shqiptarëve, reagime që e detyruan qeverinë ta tërhiqte projekt-ligjin, nën justifikimin se “do të konsultohej me popullin”! Kështu u tha edhe 1 vit më parë, kur grupi parlamentar i PS deklaroi, se “kishte marrë miratimin e popullit dhe të shoqërisë civile”, por që rezultoi se ishte një mashtrim për të përligjur votimin e shpejt të këtij ligji që helmon jetën e shqiptarëve dhe mjedisin. Çfarë fshihet pas këtij projekt-ligji, të cilin qeveria “Rilindja” e ka me kaq “urgjencë, merak siklet” për ta miratuar? Përse nxiton dhe cilët e detyrojnë? Përse angazhohet kaq shumë me propagandë e media të blera? Mbi ç’konventa ndërkombëtare mbështetet dhe çfarë cenon ky ligj?
Në Shqipëri lejohet vetëm për kalim transit e jo riciklim, ja “Marrëveshja e Aarhus”
Shqipëria ka nënshkruar 5 konventa ndërkombëtare, lidhur me mbrojtjen nga lëndët dhe mbetjet radioaktive, nga veprimi dhe rreziku i tyre radioaktiv. Sipas këtyre konventave, shteti shqiptar detyrohet të lejoj vetëm kalimin transit të mbetjeve dhe lëndëve radioaktive, nëpër territorin tokësor e detar të Shqipërisë. Në fakt, po vazhdon të ndodh ndryshe: Në Shqipëri ka edhe shkarkime, depozitime e asgjësime të këtyre lëndëve dhe mbetjeve radioaktive, që futen nga importi, por që me letra trajtohen sikur gjoja “kalojnë transit nëpër territorin shqiptar”. Lidhur me këto konventa ndërkombëtare që shteti shqiptar i shpërfill, ka një akt tjetër që quhet “Marrëveshja Aarhus” e quajtur “Gjykata në Çështje Mjedisore”, miratuar në muajin qershor 1998 në qytetin e Aarhusit, në Danimarkë. Konventa ka hyrë në fuqi në datën 30 tetor 2001 dhe është ratifikuar nga 44 shtete, duke përfshirë dhe BE. Kjo marrëveshje, detyron zbatimin e konventave në fushën e mjedisit, duke respektuar të drejtat mjedisore, me ato të njeriut, me një kusht të vetëm: Bashkëveprim transparent e të lirshëm midis publikut dhe autoriteteve qeveritare, përmes përfshirjes së të gjithë aktorëve që përfshihen nga efektet e zbatimit të ligjit. Shqipëria ka firmosur dhe ka qenë pjesë e barabartë e grupit të punës që hartoi këtë marrëveshje (UNECE) e cila ka këto 3 detyrime: 

– E drejta e publikut për të pasur e për të kërkuar informacion mjedisor. 
– E drejta e publikut për të marrë pjesë në vendimmarrjet publike për çështje të mjedisit. 
– E drejta e publikut për t’u ankuar në gjykatë për çështje të mjedisit.

Projekt-ligji i importit të plehrave, që qeveria e PS, po tenton të miratoj me kaq urgjencë e madje me dhunën e “kartonit” parlamentar nëpërmjet maxhorancës absolute që ka pas 25 qershorit 2017, ka si tregues këtë fakt: Në afatin kohor ligjor të parashikuar, Shqipëria do të importoj 15 milionë ton plehra. Çdo shqiptar, do të ketë si “racion” 5 tonë plehra importi! 
Projekt-ligji, në kundërshtim me direktivat dhe praktikat e vendeve të BE
Sipas ambientalistëve projekt-ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane nuk ka pse të përfshijë në një nen të caktuar importin e mbetjeve. Asnjë shtet evropian më vete, si dhe vetë BE-ja, nuk i ka bashkë këto dy lloj praktikash, që doemos kërkojnë ligje të veçanta e specifike. Projektligji i paraqitur nuk shoqërohet me paketë financiare që të gatisë kostot për operacionet mbështetëse. Ata gjithashtu shpjegojnë së detyrim është që të ndajmë mbetjet në burim, të riciklojmë me hapa progresivë dhe t’i përpunojmë ato me metodologjitë e pranuara nga komuniteti. Importi i mbetjeve të listës së gjelbër është karakteristikë për vendet me të njëjta teknologji apo standarde ekonomike, se jo më kot 99% e transportit të mbetjeve nga lista e gjelbër është midis vetë 25 vendeve të BE-së dhe 1% nga vendet jo të BE-së. Sipas ekspertëve, Shqipëria “prodhon” 170 mijë ton mbetje industriale në vit, një pjesë e të cilave konstatohen si të rrezikshme. Gjeneruesit kryesorë të mbetjeve industriale kanë qenë industritë kimike, metalurgjike, minerare, vajore, ushqimore, etj. Nga aspekti fiziko – kimik, toksikologjik dhe eko-toksikologjik një pjesë janë identifikuar klasifikuar si shumë toksik, irritues, si mbetje kancerogjene. Nuk dihet sesa është sasia e mbetjeve industriale dhe ku ato asgjësohen, por është konstatuar se ato hidhen në vendet e mbetjeve komunale, disa mbahen në vendin e prodhimit, por një pjesë hidhen në vende të paautorizuara. Nga sasia e përgjithshme e kimikateve të industrisë kimike, 40 ton (3% e sasisë totale) janë kimikate shumë helmuese, 110 ton (7%) janë jashtëzakonisht të ndezshëm dhe ndezëse, 575 ton (38%) kanë karakteristika helmuese, nga të cilat mund të ndajmë veçantë arsenikun, mërkurin dhe disa substanca të tjera organike. Ky projekt-ligj, nuk përkufizon se kush janë mbetje të rrezikshme. 
Sigal