Qyteti i Beratit pa Muze Historik

984
Sigal

BERAT-Mungesa e investimeve për rikonstruksion të godinës dhe lagështira kanë sjellë amortizim të tejskajshëm të muzeut historik të Beratit, ndërkohë që, rreth 60% e fondit të tij ka pësuar dëmtime. Edhe pse Berati ka 3 vjet që është bërë pjesë e Trashëgimisë Botërore Kulturore (UNESCO), për shkak të vlerave historike e arkitektonike të tij, ai vuan ende mungesën e një muzeu historik ku mund ti ekspozojë këto vlera. Për më tepër, nuk ka ndonjë gatishmëri për të përmirësuar këtë situatë. Që prej vitit 1985 muzeu historik është vendosur në një bodrum të errët të Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, ku lagështia dhe trysnia e kushteve atmosferike ka bërë që materialet historike, fotografitë dhe faksimilet të shkatërrohen. Specialistët pohojnë se si rezultat i lagështirës së ambientit në të cilin ndodhet aktualisht muzeu historik, më shumë se 60% e materialeve dhe objekteve historike të ruajtura ndër vite janë shkatërruar, ndërkohë që, lagështira po i zvogëlohet jetën edhe atyre pak materialeve të mbetura nga kjo histori mbi 2400-vjeçare. Specialistët e muzeut  bën përgjegjës për shkatërrimin dhe degradimin e vlerave historike të këtij qyteti pushtetarët vendorë e qendrorë që me papërgjegjshmërinë e tyre nuk kanë çelur asnjë fond për godinën e muzeut historik, duke rrezikuar që në një të ardhme të afërt materialet që shpalosin historinë e këtij qyteti të mos ekzistojnë më. Shumë turistë që vijnë për të vizituar qytetin e Beratit, për nga historia e tij 2400 -vjeçare dhe vlerat muzeale që mbartë ky qytet, interesohen për të parë muzetë, por gjendja aktuale e muzeut historik, nuk ua afron këtë mundësi.