Qytetet e vogla rrisin çmimin e banesave, shkak kthimi i emigrantëve

233

SEZONI I VERËS/ Ndërtuesit edhe pse ankohen për mos shitje të tyre, përsëri tregu i ndërtimeve vazhdon të ketë kërkesa

Edhe pse Librazhdi është një qytet i varfër dhe pa perspektivë për të ardhmen ajo çka bie në sy është se çmimi i banesave dhe i truallit për ndërtimin e shtëpive është më i lartë se në çdo qytet tjetër të Qarkut të Elbasanit. Librazhdi edhe pse është një qytet që mbahet kryesisht me emigracionin, ka shumë të papunë. Madje, aty është i pakët numri i personave që janë të punësuar në shtet, por është i lartë numri i atyre që trajtohen me ndihma ekonomike. Me gjithë këto vështirësi në këtë qytet, por jo vetëm ndodh paradoksi, sepse të blesh shtëpi në Librazhd duhet ta mendosh dy herë.

Situata

Librazhdi edhe pse është një qytet me numër të madh popullsie, (madje mund të themi se është i dyti në Qarkun e Elbasanit) nuk ka perspektivë në drejtim të zhvillimit të bizneseve dhe të ngritjes së aktiviteteve nga kompani të mëdha për arsye se është një qytet i varfër, por përpos këtyre, çmimi i banesave ka filluar të rritet ndjeshëm këtë sezon veror, në mënyrë drastike në krahasim me qytetet e tjera si: Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri etj., duke parë se, këto që përmendëm kanë ekonomi më të madhe dhe prespektivë për të investuar. Në Elbasan krahasuar me qytetet e qarkut banesat janë 20-30 për qind më shtrenjtë. Kështu në Librazhd një banesë 1+1 shkon 28-30 milionë ndërsa një banesë 2+1 në shkon çmimi deri në 35-40 milionë. Në këto pesë vitet e fundit ka një rritje të çmimit të apartamenteve, megjithëse, janë shtuar dhe pallatet në ndërtim, blerësit janë shtuar, ka edhe nga ata që kanë akoma apartamente të pa shituar dhe sipas ndërtuesve nuk i ulin çmimet, sepse kostoja e ndërtimit ka qenë e lartë, i njëjti problem që është gjithandej. Ndërtuesit edhe pse ankohen për mos shitje të tyre, përsëri tregu i ndërtimeve vazhdon të ketë kërkesa.

Emigrantët

Blerës më shumë janë personat që kanë emigruar jashtë shtetit. Kujtim Muzhaqi nga Polisi thotë se, ka blerë një shtëpi në Librazhd, sepse është një qytet i mirë me një klimë të pastër dhe i qetë, ku nuk ka konflikte dhe je më i sigurt, por mbi të gjitha e ka vendlindjen e tij. Blerësit më së shumti janë nga zonat përreth Librazhdit si nga Polisi, Sopoti, Qarrishta etj.. Pra duket qartë se, ardhja e emigrantëve ka rritur çmimin e apartamenteve. Rritje ka dhe çmimet e banesave me qira që variojnë nga 70-120 mijë lekë në muaj një apartament 1+1 ose 2+1. Megjithëse, papunësia është në shifra të larta në Librazhd çdo ditë e më shumë rriten çmimet e banesave ndërkohë që, me të njëjtin ritëm janë rritur edhe prenotimet (?) Sipas agjencive imobilare thuhet se, çmimet nuk janë të larta, pasi janë më të ulëta se rrethet e tjera. Ndërtesat e reja kanë garanci shumë të mirë dhe janë me kubaturë të madhe dhe të bollshme, ka shumë kërkesa për apartamente, por ka dhe nga ata që blejnë dhe me kredi, ka dhe nga ata që kanë qenë emigrant kryesisht në vendet perëndimore dhe nuk e kanë problem çmimin që në këto kohë po cilësohet si i lartë. Por ajo çka ka filluar të bjeri në sy këtë verë në rrethin e Librazhdit është dhe çmimi shumë i lartë i truallit që blihen për ndërtimi e shtëpive, ku këtë vit ka arritur në shifra marramendëse dhe qytetarët shprehen se ndihen të detyruar ta blejnë pasi janë nga zona të thella, ku nuk mund të jetojnë, “kështu që sado i lartë që të jetë çmimi duhet të ikim nga vendi, ku jemi dhe të vijmë këtu në qytet pasi me tokën që blemë do të nisim ndërtimin e shtëpive”, thonë ata.