Qytetarët kryqëzojnë kryeministrin për problemet dhe hallet e tyre

559
Kryeministri Edi Rama ishte në Lezhë dje në kuadër të turit për llogaridhënien e qeverisë para qytetarëve. Qytetarët i shprehën të gjitha problemet e shqetësimet e tyre kryeministrit. Një prej të pranishmëve ia ka numëruar në sy të gjitha problemet Ramës, që nisin nga mungesa e shkollave, rrugëve, shëndetësisë falas. Qytetarët i kujtuan kryeministrit, se duhet parë edhe fshati, bujqësia, shëndetësia, rrugët, që administrata publike nuk punon, etj. Kryeministri Rama, në pamundësi të ballafaqohej me qytetarët, u largua nga ballafaqimi, duke u thënë, se ka intervistë ne TV Lezhë dhe qytetarët t’i qajnë hallet me Lindita Nikollën. 
REPLIKAT
Qytetari: Populli ka shumë halle. “U bënë 6 -7 muaj, a mund të na thoni në çfarë pjesë është kjo e tepsisë që është çuar për skrap? Se jemi dhe të painformuar, dhe të pakënaqur. E treta, bëtë mirë që kërkuat falje për rrugën e Kukësit, pyetja ime, pse këtë punë që u bë atje, që u la të shkatërrohej dhe prona, kjo administrata juaj, pse duhet të dilni vetëm ju? A keni administratë ju?”.

Rama: Popullin lëre se është gjë e madhe fol për vete se në emër të popullit e ke vështirë.
Qytetari: Pjesë e popullit jam dhe unë.
Rama: Pse unë ça jam unë apo pjesëtar i…?
Qytetari: Ju jeni Zoti 2 ,se i pari është në qiell, për shumë njerëz…s’të ndjeva duke fol, për fshatin, bujqësinë, qumështin që e japim e s’marrim lekë fare. Edhe për shëndetësinë e di që s’është falas, nëse është për ju, për popullin e për njeriun e thjeshte është me lekë shumë bile ose vdes ai që s’ka lekë. Edhe për arsimin, për hesapin tem shkollat e mesme gjimnazet që janë në fshatra s’duhet të jenë gjimnaze, pse mos bëhen shkollat e fshatrave profesionale? Profesionistët janë në shpi e të paaftit në punë. Të gjitha këto që fole për popullin e thjeshtë janë mangut.

Rama: Konkretisht?
Qytetari: Në radhë të parë, fshatari s’ka rrugë, s’ka punë, tokën e kanë marrë të ardhurit, ne kemi tokë sa për të mbijetuar. Këto prona që jemi pronarë s’na njeh kush. Pak kryeministra mendojnë për popullin dhe njeriun e thjeshtë.

Rama: Kjo është një lloj mode që ka arsyet e veta, po unë s’e shoh e s’e pranoj të më fusë njeri në këtë këllëf. Nëse unë s’do mendoja për vendin e për popullin s’do merresha me këtë punë, se shumë mendojnë, se kjo puna ime është qejf i madh. Kjo është një punë që e bëj, se mendoj për njerëzit dhe besoj shumë se ky vend mund të bëhet dhe, nëse bëhen gjërat e duhura fëmijët e këtij vendi nesër s’do kenë hallet e problemet që kanë pasur prindërit e tyre sot. Ka një kosto që ty s’ta rrok rradakja, (qytetari ia bën me shenjë për paratë, Rama ia kthen: Atë tregoja dikujt tjetër jo mua), ka një kosto familjare, të madhe shpirtërore, fizike dhe është një punë që ka një peshë mbi kokë dhe mbi supe që po nuk e provove, nuk e kupton, që ta dish ti.

Qytetari: E para, a ka vend në NATO që s’i trajton ushtarakët me status të veçantë? 194 mijë lekë marrë 35 vjet pune. E dyta, u bënë 6 -7 muaj, a mund të na thoni në çfarë pjesë është kjo e tepsisë që është çuar për skrap? Se jemi dhe të painformuar dhe të pakënaqur.

Rama: Nëse ke ndonjë shqetësim konkret.
Qytetari: E kam në përgjithësi. E treta, bëtë mirë që kërkuat falje për rrugën e Kukësit, pyetja ime, pse këtë punë që u bë atje, që u la të shkatërrohej dhe prona, kjo administrata juaj pse duhet të dilni vetëm ju? A keni administratë ju? Po s’e zuri vendin puna sqaruese e administratës suaj do e zërë opozita duke i gënjyer.
Sigal