Qytetarët denoncojnë aferën “Një ministër, një pallat”

502
Mungesa e gjatë e lejeve të ndërtimit, dhe “guximi” për të ngritur pallate edhe pa e marrë lejen nga institucionet e shtetit, ka sjellë futjen në lojë të atyre që sot quhen ndryshe edhe “rilindasit e kabinetit qeveritar”. Ata de facto dhe de jure, janë sot pjesë e çdo investimi, por edhe e çdo pallati, ku fitimi arrin në miliona lekë. Elbasani prej vitesh ka vuajtur për një plan-rregullues që do ti shërbente qytetit por edhe qytetarëve për projektet e investimet e të ardhmes. Elbasanit ka vuajtur prej vitesh edhe për një plan të rregullt urbanistik , i cili do të shihej nga qytetarët, nga votuesit e majtë apo të djathtë si zgjidhja e vetme për interesat e qytetit. Qysh nga viti 1992, qysh nga koha e Haxhiademit dhe deri sot , qyteti po vuan zaptimin e trojeve nga “të paudhët”, “nga të fortët” nga ata që banorët e qytetit I quajnë “agallarët dhe zengjinët e demokracisë”. I quajnë kështu se në 25 vitet e demokracisë zengjinët e rinj, që fatkeqësisht kapën edhe postet e larta, apo edhe u bënë me para, me pushtet, me klanet e tyre që sot kanë pushtuar gjithë jetën ekonomike, bizneset dhe postet politike të Elbasanit. 

Furia e madhe e pallateve ka pushtuar prej vitesh qytetin e bukur të Elbasanit, u prishën lagje dhe rrugica dhe u ngritën pallate, të cilat ndërtohen nga miqtë e ministrave, nga kushërinjtë e tyre, dhe klientët. Të paktën katër-pesë pallate që janë ngritur në 2-3 vitet e fundit në qendër të Elbasanit, dy pallate 15 katëshe, dhe dy të tjerë nga 10 kate, e kanë deformuar totalisht planin rregullues të qytetit, e kanë ngushtuar rrugët dhe bulevardet, duke shpërfytyruar bukurinë e qytetit, dhe askush nuk flet, pasi edhe kur dikush ka nisur të flasë, ai është kërcënuar, dhe detyruar të mos ndjehet fare. Një klimë e madhe presionesh dhe terrori nga klanet e ministrave dhe politikanëve ka mbërthyer gjithë stafet e institucioneve vendore, një klimë e terrorit psikologjik ushtrohet çdo ditë nga njerëzit e kollarisur dhe të lyer me xhel mbi çdo punonjës dhe zyrtar që tenton të përgojojë deputetin, ministrin, lejet e ndertimeve, shkeljet e ligjit, tenderat dhe tarafet e tjera të majme. Ndërtimi pallateve të viteve të fundit, kryesisht në qendër kanë ndryshuar disa prej detajeve të projekt-planit-urbanistik të qytetit. Pallatet e njerëzve dhe klientëve të ministrave e miqve dhe kushurinjve kanë pushtuar rrugët, trotuaret, lulishtet, parqet, ndërkohë që dy urbanistë të njohur në bashkie deklaruan nën zë se “nuk guxojmë të flasim, këto janë shkelje të pastra ligjore, nuk kanë patur leje sheshi dhe ndertimi, dhe kanë nisur qysh para fushatës së 2013 punimet ditën dhe natën, kurse para fushatës së fundit, ku u ngritën edhe dy pallate krejtësisht pa leje, dhe në kundërshtim me ligjet e shtetit, mendojmë se vetë shefi ka rënë në kurthin e miqve dhe nuk del dot nga rrjeta e tyre, sepse e kanë kapur keq”. Ndoshta kaq do të mjaftonte që qytetarët e Elbasanit do të bëheshin pishman për votat e tyre majtas, sepse ata po shikojnë me sy dhe dëgjojnëme veshë, çfarë po i ndodh qytetit, duke e nisur nga sheshet e Elbasanit, lulishteve dhe parqeve, rrugicave dhe lagjeve të vjetra.


 Pushtimi trojeve të ish-pronarëve të vjetër elbasanas, ka vënë nën akuzë afro gjysmën e zyrtarëve të institucioneve vendore. Në Elbasan thonë se “ku ka një pallat, ka një ministër”. Ata akuzohen për zaptimin e pronës, nga miq të pushtetshëm të ministrave, duke zaptuar truallin tek ish-lulishtja e portokalleve, apo dhe tek dy sheshe të tjera në qendër”. Disa ish-pronarë e kanë hedhur në gjyq drejtorinë e Urbanistikës, të cilën e akuzojnë për “tjetërsim prone, shitje prone dhe fallcifikim dokumentacioni”. Historia e tyre nis qysh nga qeverisja e PD, dhe shitja e trojeve ka nisur me pazaret e ish-ministrave dhe ka vazhduar edhe me ministrat e rinj, madje ka raste kur në “tavë” janë edhe krushqinjtë e Presidentit”. Deri sot faktet flasin se Prokuroria e Elbasanit ka qenë nën tutelën e politikës, pasi i janë vonuar apo edhe i janë mbyllur disa denoncime dhe disa dosje emrave të njohur si ministrave dhe deputetëve të çdo ngjyre”. Javën e fundit në qytetin e Elbasanit kanë ardhur dy prokurorë të rinj të cilët do të hapin nga e para dosjet e afro 110 zyrtarëve vendorë të akuzuar për korrupsion, prej të cilave do të ketë mjaft surpriza. Duhet të dalin përgjegjësit e deformimit të planit urbanistik të qytetit, përgjegjësit kryesorë të pushtimit të shesheve të qytetit dhe mbushjes së tyre me pallatet e paligjshme. Mjafton të themi se, ka pallate në Elbasan, që pasi kanë vajtur tek kati pestë, kanë marrë lejen e ndertimit, dhe ky patjetër përbën skandal. Bëmat e ministrave kanë vajtur prej kohësh edhe tek zyra e Ramës si kryeministër i vendit, dhe kjo padyshim nuk ka sjellë deri sot reagimin e tij. Fjalën e fundit për të gjitha shkeljet ligjore do ta thonë organet e zbatimit të ligjit, pasi bëhet fjalë për shumë pasuri, shumë para, shumë afera, shumë zullume, shumë dëme për qytetin, shumë abuzime dhe shumë emra të denoncuar. 
Sigal