Qveria zhbllokon tenderët, në 4 muaj bllokim u zhvilluan 20 mijë procedura të paligjshme

769
Përparim HALILI
VKM-ja e datës 5 korrik 2017 ndaloi prokurimet, por drejtuesit në pushtetin qendror e lokal nuk e zbatuan
Rekord i shkeljes së vendimit janë “Albpetrol” dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë afro 40% të numrit total të tenderëve të zhvilluar gjatë periudhës së bllokimit sipas VKM nr. 482, datë 05. 07. 2017, tashmë gjithë drejtuesit shtetëror nga ministritë në prefektura, janë të lirë të zhvillojnë tenderë sa të duan në “tepsinë” e pushtetit vetëm.
Qeveria a hequr dje, “moratoriumin” për tenderët, vendosur 4 muaj më parë, ose 10 ditë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, si masë sigurie për të bllokuar abuzimet me fondet publike gjatë tranzicionit të pushtetit! Megjithëse në datën 5 korrik 2017, u firmos VKM-ja nr. Nr. 482, datë 05. 07. 2017 për të mos zhvilluar asnjë procedurë prokurimi përveç rasteve të emergjencave civile, të sektorëve strategjikë dhe shërbimeve të sigurisë kombëtare, drejtuesit e institucioneve e të shërbimeve publike, jo vetëm nuk i ndërprenë tenderët, por i trefishuan si numër. Sipas informacionit, në 4 muajt e bllokimit 5 korrik-13 tetor 2017, u zhvilluan 20 mijë e 11 mijë tenderë, në të gjithë sektorët buxhetor! Gazeta “Telegraf” e ka denoncuar këtë shpërfillje të vendimit të qeverisë, duke sjell fakte konkrete edhe për tenderë me vlerë të lartë monetare, të zhvilluar për shërbime fiktive. Tenderët e zhvilluar edhe gjatë periudhës 4 mujore të bllokimit, janë bërë nga shëndetësia, kultura, ushtria, policia, bashkitë, prefekturat, Këshillat e Qarqeve, portet detare, ujësjellësit, inspektoratet, agjencitë publike, ministritë dhe gjithë institucionet e tjerë që marrin fonde pagash, shpenzimesh investimesh nga shteti, apo që janë lejuar nga shteti të administrojnë pjesën e të ardhurave të tyre si “SHA”. Rekord kanë qenë “Albpetrol” dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët kanë afro 40% të numrit total të tenderëve të zhvilluar gjatë 4 muajve që bërja e tyre ishte bllokuar me VKM nr. 482, datë 05. 07. 2017. Tashmë, duke nisur nga dje, të gjithë drejtuesit shtetëror nga qendra në prefektura, janë plotësisht të lirë për të zhvilluar tenderë sa të duan, për më tepër që janë vetëm në “tepsinë” e pushtetit.
Fakti/ 60% e tenderëve me vlera, objekte dhe gara fiktive
Shumë procedura tenderimi kanë si tregues fiktivitetin në llogaritjen e vlerave të financimit me pasojë vjedhjen, por të justifikuara e të maskuara pas ligjeve, VKM-ve, udhëzimeve, urdhrave, rregulloreve të brendshme dhe akrobacive të bordeve drejtuese, të cilët realisht janë banda zyrtare, që përligjin vjedhjet e fondeve publike. Në “Buletinin e Prokurimeve Publike” që publikohet çdo javë, bëhen njoftimet e të gjithë tenderëve të zhvilluar nga entet shtetërorë në Shqipëri. Maska e tyre është zbatimi i ligjit, ndërsa përmbajtja është vetëm një akt: vjedhje e hapur e fondeve të buxhetit të shtetit dhe të ardhurave prej përdorimit të pasurive shtetërore me qira, prej gjobave e taksave që i merren popullatës dhe bizneseve edhe me forcën e prangave të policisë. Janë miliarda lekë nga fondet publike, të cilat tjetërsohen në pasuri personale, familjare, fisnore e ortakërie nga shtetarë të emëruar e të zgjedhur, nga politikanë e drejtorë të çdo niveli. Është detyrim dhe emergjencë, që drejtësia e sidomos shërbimi i Anti-Krimit Ekonomik-financiar të veproj për të ndalur, goditur e ndëshkuar ashpër krimin që bëhet me tenderët, mbasi ka një një “vargmal” me krim ekonomik, financiar e administrativë të kryer në bashkëpunim prej drejtuesve dhe zyrtarëve të shtetit, në pazare reciproke me subjektet private që shpallen fitues paraprakisht me klientelizëm. Mjafton që drejtësia të hap çdo javë “Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike” (APP) dhe në çdo faqe, do të zbuloj krimin ekonomik-financiar që bëhet e maskohet në njoftimet dhe anulimet e tenderëve, në procedurat e përsëritjes së tenderëve, në ankandet dhe procedurat e shitje-blerjeve publike që shpallen nga ministritë, drejtoritë qendrore e rajonale, nga agjencitë dhe inspektoratet e shërbimeve shtetërore për blerje makinash luksoze, për ndërtim, rikonstruksion e mobilim zyrash, për importin e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të ushqimit dhe ilaçeve në spitale, për koncesione, investime e blerje në ujësjellës, arsim, kulturë e sport, për tenderë që bëhen nga policia e ushtria, nga doganat e tatimet, nga bujqësia, qendrat social-shtetërore, bashkitë, prefekturat, këshillat e qarqeve dhe nga shumë institucione e shërbime të tjera që financohen nga buxheti i shtetit! 
Taksat publike, bëhen pasuri për shtetarët dhe klientët e tyre
Si dhe përse konsumohen taksat e shqiptarëve, duke u maskuar pas tenderësh, në shumë raste me objekte shërbimesh e blerjesh absurde? Ka tenderë që zhvillohen për punë të kryera disa herë, për blerje të përsëritura, për shërbime që nuk kanë nevojë të kryhen, për udhëtime jashtë shtetit. Bëhen tenderë në miliona lekë për blerje kondicinerësh “model i ri” për zyrat e shefave e të sekretarëve. Bëhen tenderë për blerje mobiliesh të reja, të prodhuara jashtë serie në vend dhe jashtë BE! bëhen tenderë për blerje makinash luksoze për shtetarët, ndërkohë që nuk blihen mjete pune për shërbimet që ka funksion institucioni, apo për kushtet e punës dhe të sigurimit të jetës së punonjësve. Ka qindra raste të zbuluar edhe nga KLSH, të cilët provojnë faktin që këto fonde shtetërore zhvaten nëpërmjet këtyre tenderëve, me procedura të dyshimta e abuzive në shumicën e rasteve, të hartuar e zhvilluar krejt në kundërshtim të plotë me ligjin, me fonde limit të 2-3 herë më të larta se kostot reale të mallrave që blihen, të shërbimeve, punimeve që kryhen. Shtrohet pyetja: Si dhe përse konsumohen taksat e shqiptarëve, duke u maskuar pas tenderësh, në shumë raste me objekte shërbimesh e blerjesh absurde? Ka tenderë që zhvillohen për punë të kryera disa herë, për blerje të përsëritura, për shërbime që nuk kanë nevojë të kryhen, për udhëtime jashtë shtetit. Janë disa veprime sa absurde e skandaloze, aq edhe komike, por që në përmbajtje të tyre janë sjellje tallëse ndaj qytetarëve, duke përdorur fondet dhe pasuritë publike e të komuniteteve, sipas interesave të luksit dhe përfitimeve korruptive të shtetarëve që urdhërojnë këto tendera dhe të atyre që i lejojnë e nuk i ndëshkojnë! 
Ja vendimi që zhbllokon tenderët
VE N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR. 482, DATË 5.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË PROCEDURAVE TË PROKURIMIT, PËR VITIN 2017”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të Ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e Vendimit nr. 482, datë 5.7.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit, për vitin 2017”.
2. Ngarkohen të gjitha institucionet e qeverisjes qendrore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik, për zbatimin e këtij vendimi.
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Monopoli me tenderët e ministrive dhe 2369 institucioneve, bëhen nga një “dorë”
Tenderët me vlerë të lartë monetare, bëhen vetëm nga Ministria e Brendshme. Pazari me tenderët dhe koncesionet për blerjet, investimet dhe shërbimet publike, të cilët për shkak të korrupsionit vazhdojnë të përpijnë prej 20 vitesh miliarda euro, lekë e dollarë fonde buxheti, taksa shqiptarësh, donacione e kreditime të huaja që gjoja përdoren për shërbime e investime, deri edhe për blerje mallrash konsumi dhe pajisje për administratën shtetërore, mbi 40% e të cilave zhvaten me firma e vula zyrtare nën emërtesën “Prokurime publike”, ndërkohë që afro 90% e tyre u jepen firmave private e klienteliste të shtetarëve, familjarëve, ortakëve e miqve të tyre. Lajmi që po botojmë sot, nuk ka lidhje me transparencën dhe bllokimin e aferave korruptive me tenderët e koncesionet, por ka lidhje me një skenar që po fut tenderët e koncesionet e madje edhe blerjen e lapsave në “thonjtë e pisët” të një monopoli të rrezikshëm e më shumë pasoja të pritshme financiare për fatin e investimeve, shërbimeve e shpenzimeve të fondeve publike! 

Sipas burimeve të gazetës “Telegraf” brenda kupolës së qeverisjes, bëhet me dije se “dhoma” kryeministrore, në bashkëveprim me 3-4 ministrat e afërt e të besuar të “oxhakut” të Rilindjes, ka nisur punën për hartimin e një projekt-ligji ose VKM-je, për të konkretizuar një skenar që ka lidhje me përqendrimin e zhvillimit të tenderëve e koncesioneve, në një institucion të vetëm. Sipas këtij skenari monopol, brenda muajit mars 2016 thuhet se do të kemi një VKM, ose ligj të posaçëm, në lidhje me krijimin e “distributorit” të zhvillimit të tenderëve, ankandeve, koncesioneve e deri të blerjeve të kancelarive të institucioneve shtetërore që nga kryeministria, presidenca, kuvendi, ministritë, drejtoritë qendrore, agjencitë e shërbimeve publike, shoqëritë anonime, pushteti lokal, çerdhet e fëmijëve e deri tek azilet e pleqve. 

Modeli “Beqja”, u hoqi spitaleve të drejtën e tenderëve
Modeli ka qenë prezent deri sot dhe vazhdon të jetë në një ministri, duke u zbatuar si “zyrë monopol” e zhvillimit të tenderëve e koncesioneve në shëndetësi prej ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili përqendroi gjithë zhvillimin e tenderëve e koncesioneve dhe blerjeve në një dorë të një komisioni të krijuar prej tij në ministri dhe duke ua hequr të drejtën spitaleve, klinikave e deri blerjet e shiringave për ambulancat e fshatrave! Ky model, tashëm po kopjohet prej kupolës së qeverisë, me krijim monopoli të të gjithë tenderëve e koncesioneve në një dorë të vetme! Ndërkohë që vazhdojnë të jepen koncesione për 10, 15, 20 e 30 vjet, kur këto duhet të jepen për një afat sa mandati kushtetues qeverisës e jo me afat kohor deri sa kryeministri, ministri, ose drejtori të bëhen… 90 e 100 vjeç, moshë kur kanë ikur prej vitesh nga pushteti dhe as nuk japin llogari e as merren nën përgjegjësi ligjore, siç ka ndodhur e po ndodh, që jepen koncesione nga 30 vjet dhe pushteti i radhës që vjen i heq koncesionin, ndërsa koncesionari i drejtohet gjyqeve ndërkombëtare e kështu, vlera e humbur shkon sa 5-10 herë vlera e koncesionit!
Sigal