QSU është kthyer në QTU, “rrethuar” me 100 klinika, laboratorë dhe farmaci biznese të shefave të shëndetësisë

3375
Ja “rrethimi” i QSUT me 100 bizneset mjekësore të kupolës së shëndetësisë shqiptare
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) institucioni shëndetësor më i madh në Shqipëri është “rrethuar” tashmë nga rreth 50 spitale, klinika dhe laboratorë privatë dhe nga mbi 50 farmaci. Me një staf mjekësor prej 2297 personash që përfshin mjekë, infermierë e teknikë laboratorësh, QSUT funksionon si një magnet për lulëzimin e shëndetësisë private, ku sigurisht çmimet dhe “rregullat e lojës ndryshojnë. Nga një vëzhgim i bërë nga “historia ime”, vetëm në zonën rreth QSUT (rruga e Unazës), rruga “Aleksandër Moisiu” në drejtim të Kinostudios, fundi i rrugës së Dibrës dhe rruga “Kongresi i Manastirit” që të çon në Spitalin Psikiatrik, rezulton se ka mbi 100 spitale, klinika, laboratorë diagnostikimi dhe farmaci private. Një shifër kjo, gati e pabesueshme, po të mendosh që bëhet fjalë për një sipërfaqe prej pak më shumë se 200 mijë m2. Nëse qytetarët marrin gjithë shërbimin dhe medikamentet që u takojnë sipas ligjit në QSUT, si shpjegohet ky grumbull i madh klinikash, laboratorësh, spitalesh e farmacish që kanë rrethuar QSUT?! Qytetarët që shkojnë në QSUT për të marrë asgjë më shumë se shërbimin mjekësor që u takon, veç pagesave që u duhet të japin nën dorë, thjesht për të zënë një shtrat apo deri për të pastruar dhomën, detyrohen nga mjekët të shkojnë në klinika private. Janë me dhjetëra rastet e këtij lloji skandali e krimi social me fytyrë vjedhje dhe shfrytëzim të paturpshëm të profesionit, të raportuara në media me zë dhe figurë. Duke përfituar nga e drejta ligjore për dy-punësim, mjekë e shefa pavionesh, zotërojnë ose kanë lidhje interesi me klinikat, farmacitë dhe laboratorët private që gjenden fare pranë QSUT, ose më saktë që janë pronë e tyre dhe e familjarëve të tyre. Nëse mjekët, do të respektonin oraret, etikën dhe normat profesionale, 2 ose 3 punësimi i tyre është totalisht brenda rregullave dhe ligjit. Por ka një kontrast të madh mes mjekut të klinikës private dhe mjekut të spitalit Nënë Tereza, që shpesh qëllojnë të jenë i njëjti person. Në QSUT, sheh radhë të gjata njerëzish të sëmurë edhe rëndë, që presin për orë të tëra shkallëve të QSUT e pas dyerve të mjekëve biznesmenë e shpërfillës deri në sharlatanizëm, momentin kur mjeku, doktori, profesori, shefi e madje edhe infermieri do të “shfaqen” në krye të detyrës së tyre, por ndodh përditë që shkojnë në punë edhe 2 orë me vonesë, ose nuk shkojnë fare dhe krye-infermierët e tyre u thonë qytetarëve: “Shko tek klinika, spitali, farmacia ose laboratori i shefit, se atje e gjeni në çdo orë” dhe atje gjejnë edhe infermieret që i “këshillojnë” për të shkruar tek bizneset e shefave të tyre. Nuk është çudi fakti, që doktorin i cili nuk paraqitet për vizitë në orarin për të cilin paguhet nga taksat e shqiptarëve, ta gjesh 300 metra më poshtë, tek klinika private, duke i pritur klientët me buzëqeshje dhe duke u shërbyer me mirësjellje. Nga vëzhgimi i bërë nga Historia Ime, rezulton se ka një numër të madh mjekësh të dy-punësuar, që e ndajnë kohën e tyre mes klinikave private dhe QSUT. Shumë prej klinikave dhe laboratorëve privatë rreth QSUT –së e fshehin informacionin për stafin e tyre. Në vetëm pesë nga ato që e bëjnë publik në faqet e tyre të internetit, mësojmë se punojnë të paktën 13 mjekë që njëkohësisht janë pjesë e stafit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Më poshtë po përmendim disa prej tyre:

Në qendrën “Blue Medical Center”, punon Dr. Naltin Shuka, Dr. Vilma Paparisto dhe Prof.Ass. Sokol Myftiu, njëkohësisht pjesë e shërbimit të kardiologjisë në QSUT.
Në laboratorin “Louis Pasteur”, punon Dr. Shk. Artur Xhumari, që njëkohësisht bën pjesë në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT, Dr. Alert Xhaja pjesë e shërbimit të Dermatologjisë në QSUT dhe Dr. Shk. Mehmet Hoxha, njëkohësisht i punësuar pranë Shërbimit të Alergologjisë në QSUT.
Dr. Amarildo Belshi, i cili punon pranë Shërbimit të Okulistikës në QSUT, është pronar i klinikës private “Lomed” me aktivitet pranë QSUT “Nënë Tereza”.
Klinika mjekësore “IKEDA”, një godinë 3 katëshe e cila gjendet dhe shërben pranë QSUT, ka punësuar 5 mjekë të këtij spitali që paguhen edhe nga shteti, por shërbejnë tek privati, konkretisht mjekët Dr. Afrim Pirraci i Shërbimit të Imazherisë në QSUT, Dr. Bilbil Hoxha nga Shërbimi i Urologjisë në QSUT, Dr. Enton Bollano nga Shërbimi i Kirurgjisë Digjestive në QSUT dhe Dr. Shk. Gëzim Xhepa nga Shërbimi i Djegie-Plastika në QSUT, të cilët janë mjekë shtetëror, por njëkohësisht janë pjesë e stafit të klinikës private “IKEDA”.
Në laboratorin privat “Intermedica”, punojnë Dr. Anila Beqja (Lika) dhe Dr. Shk. Palmira Daja, nga Shërbimi i Laboratorit Klinik-Biokimik në QSUT.
Sistemi shëndetësor mund të quhet pa frikë, sektori më problematik i shërbimeve publike, ndërkohë që sektori privat i shëndetësisë po zhvillohet me një ritëm të habitshëm. Kjo lënie pas dore e spitalit publik absolutisht që i shërben privatëve. Siç e pamë më sipër, shpesh janë të njëjtët persona që punojnë si në sektorin publik dhe në atë privat, kjo gjë të shton bindjen se po lihen qëllimisht mënjanë interesat e qytetarëve për t’i shërbyer interesave personale të biznesit.
………………………………..
Shëndetësinë shtetërore shqiptare e ka kapur për “fyti” kupola korruptive e këtij shërbimi, që nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Bejqa e deri tek shefat në ministri, shefat në spitale, pavione, urgjenca, në katedrat e universitetit mjekësor, madje edhe nga mjekët “urithë” të çdo pushteti, që poshtë bluzave të bardha, bëjnë “biznes të zi”, duke hapur biznese private shërbimi mjekësor. Në gazetën “Telegraf”, vetëm në 2 muajt e fundit, kanë ardhur afro 700 denoncime, lidhur me faktin e turpshëm e skandaloz të babëzisë deri çnjerëzore të trupës mjekësore në QSUT e në gjithë Shqipërinë, ku bëhen publike fakte tronditëse dhe një praktikë e lejuar edhe prej shtetit, prej ligjit dhe prej vetë kreut të shëndetësisë Ilir Beqja, i cili ka biznese private në sektorin e shëndetësisë, kryesisht në biznesin e ilaçeve. Skandali qëndron në faktin, se shefat e mjekësisë shqiptare nga Ministria e Shëndetësisë nëpër klinika e pavione dhe mjekët me pagesë mujore nga taksat e shqiptarëve, nuk u shërbejnë qëllimisht qytetarëve në klinikat, laboratorët, ambulancat, spitalet dhe urgjencat shtetërore, duke i sjell vërdallë me mos shërbim, me qëllim për t’i çuar në biznesin e tyre mjekësor privat që ka rrethuar QSUT, spitalin ushtarak, ambulancat e Tiranës, spitalet e rretheve e deri në Sanatorium, duke përdorur justifikime e mashtrime, për gjoja “bllokim” aparaturash diagnostikuese, mungesë medikamentesh e mungesë specialistësh. Dje, në redaksinë e gazetës “Telegraf”, ka ardhur një denoncim me fakte e emra konkret shefash e mjekësh të shëndetësisë shqiptare, të cilat me bizneset e tyre mjekësore si spitale, klinika, urgjenca, ambulanca, konsultore, laboratorë privatë, kanë “rrethuar” Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe qendrat spitalore në Durrës, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër etj. Sot, po publikojmë të plotë një denoncim me fakte e emra konkretë të kupolës së shërbimit mjekësor shtetëror shqiptar që janë shefa e drejtorë departamentesh në QSUT “Nënë Tereza” e në qendra të tjera shtetërore mjekësore si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, madje edhe në politikë, të cilët me bizneset e tyre deri ilegale e pa licenca, madje edhe më mjekë e infermierë të shërbimit mjekësor shtetëror, ushtrojnë aktivitet brenda e rrotull QSU “Nënë Tereza” në Tiranë. Pa bërë komente, po e publikojmë të plotë këtë denoncim faktik. 
Gazeta “Telegraf”
Sigal