Qirjako Kasapi/ “Magjistari” i fjalës së mençur Jorgo Bulo, gjithmonë mes nesh

929
Jorgo Bulo lindi në Sheper të Zagories më 27.4.1939 në një familje të dëgjuar për atdhetari e dije. (Le të kujtojmë këtu lidhjen e tij familjare me A. Z. Çajupin). Pas mbarimit të shkollës 7- vjeçare në Sheper dhe arsimit të mesëm në Gjirokastër më 1955, ai përfundoi studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës në vitin 1960. Pas kësaj do të ishte bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, ku për dy dekada do të ishte edhe shef i sektorit të historisë së letërsisë shqipe të shek. XVI-XIX dhe letërsisë midis dy luftërave. Prej vitit 1974-1979, ai ka qenë sekretar shkencor i seksionit të shkencave shoqërore në Akademinë e Shkencave. Në vitin 1990 do të emërohej Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë deri në 2007, njëkohësisht edhe kryeredaktor i revistës “Studime Filologjike”. Duke lënë pas një trashëgimi të vyer në kulturën shqiptare, prof. Bulo është autor i mbi 100 artikujve botuar në revista e përmbledhje shkencore brenda e jashtë vendit, si dhe i një sërë studimesh si “Shpirti i fjalës” (2014); “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (1999); “Magjia dhe magjistarët e fjalës”(1998); “Romani shqiptar i realizmit socialist për LNÇ” (1982); ”Tradita dhe risi letrare” (1981) etj. Jorgo Bulo gjithashtu ishte bashkautor dhe redaktor i një sërë botimesh të rëndësishme dhe përmbledhjesh studimore, si “Omar Khajami midis Fan S.Nolit dhe Hafiz Ali Korçës” (2010); “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (2008); “De Radës: me rastin e 100 vjetorit të vdekjes”, (2003), “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002) “Historia e Popullit Shqiptar” (2002); “Kosova në vështrim enciklopedik” (1999); “Historia e letërsisë shqiptare: që nga fillimet deri te LANÇ” (1983), etj. Fusha kryesore e studimeve të tij është letërsia e Rilindjes Kombëtare dhe krijimtaria e disa prej përfaqësuesve të saj të njohur (N.Frashëri, A. Z. Çajupi etj.), por është marrë edhe me çështje të historisë dhe të tipologjisë së romanit bashkëkohor. Si studiues dhe njohës i letërsisë shqipe, Bulo do të jepte një ndihmesë të madhe edhe në fushën e hartimit të teksteve shkollore të letërsisë shqipe, si “Historia e letërsisë shqiptare 1”, “Antologjia e letërsisë shqipe”, etj. Në 2003, ai do të bëhej anëtar i Akademisë së Shkencave duke marrë edhe titullin “Akademik”.. Akademik Jorgo Bulo gjatë punës së tij u vlerësua me çmime kombëtare si “Penda e Argjendtë” (1999) dhe “Faik Konica” (2008). Prof. Bulo ka qenë një intelektual aktiv në diskutimet e zhvilluara me tematikë shkencore e kulturore të shoqërisë sonë si dhe në aktivitetet shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Në të gjitha studimet bashkëkohore e shoqërore reflektonte mençuri, urtësi dhe një komunikim të admiruar.
Personalitete dhe institucione shtetërore – mesazhe ngushëllimi për humbjen e Prof. Jorgo Bulo.
Në mesazhin e kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta thuhet; “Prof. Bulo, ky historian i klasit të parë i letërsisë dhe filolog i shquar, do të kujtohet gjatë për punën e tij në njohjen, vlerësimin dhe studimin e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Ky filolog i shquar është pjesë e një plejade të jashtëzakonshme shqiptarësh, puna e të cilëve e ka bërë më të mirë vetë Shqipërinë”. Në telegramin e ngushëllimit të Akademisë së Shkencave të Kosovës. theksohet se “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Jorgo Bulos, studiuesit të shquar të letërsisë shqipe, intelektualit dhe eruditit të pashoq, mikut tonë të devotshëm. Kontributi i akademik Bulos sidomos në ndriçimin e figurave të mëdha të letërsisë së Rilindjes Kombëtare është padyshim nga më të vlefshmit në fushën e këtyre studimeve, ndaj konsiderojmë se humbja e tij është e pazëvendësueshme për ne dhe për shumë gjenerata të ardhshme”. Akademiku kosovar Rexhep Qosja për mikun e tij të hershëm Jorgo Bulo midis të tjerash do të shprehej se; “Shkove, shumë larg shkove, miku im i shtrenjtë, Jorgo! Shkojnë përgjithmonë ata që harrohen, por ti s’mund të harrohesh se na mbetet thesari i mendjes sate me të cilin janë pasuruar përgjithmonë shkenca shqiptare dhe mendimi kombëtar shqiptar”. Ngushëllimeve do t’u bashkohej dhe Fakulteti i Filologjisë duke nënvizuar se “Me punën e tij shumëvjeçare në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë ka lënë gjurmë të paharruara si pedagog, shkencëtarë dhe kontribuues i madh në edukimin e shumë brezave në studimet albanologjike. Puna dhe personaliteti i tij na bëjnë të ndihemi krenar të gjithëve”. Katedra e Albanologjisëtë Universitetit të Palermos dhe Komuniteti Arbëresh i Siçilisë në mesazhin e saj vë theksin në: “Bashkëpunimin e fortë dhe me baza shkencore midis qendrave të tyre kërkimore, të dijetarëve arbëreshë e shqiptare për të ndërtuar një shkencë të përbashkët albanologjike ku Prof. Bulo ishte një urë lidhëse”. Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare (më 28.11.2015.) u hap ekspozita përkujtimore “Jorgo Bulo (1939–2015)”. Kjo ekspozitë me veprat e studimet e tij vjen për publikun e gjerë dhe lexuesit e Bibliotekës Kombëtare si një vëmendje e veçantë kushtuar kontributit dhe personalitetit të jashtëzakonshëm shkencor të akademik Jorgo Bulos. 
Homazhe të merituara për Akademikun Bulo
Homazhe dhe ceremonia e përcjelljes në Akademinë e Shkencave më 28.11.2015. për nder të akademikut Jorgo Bulo. Familjarë, miq të shumtë nga Tirana, Prishtina, Zagoria, Gjirokastra, Përmeti, etj, kolegë, akademikë, deputetë dhe personalitete të artit, kulturës dhe fushave të ndryshme janë përkulur me nderim para trupit të pajetë të akademikut Jorgo Bulo, si dhe kanë lënë shënime në librin e ngushëllimeve për jetën dhe veprën e tij . Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe njerëzore dhe shkencore. Ai la pas një vepër të rëndësishme me vlera kombëtare e më gjerë. Në fjalën e lamtumirës Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof.Muzafer Korkuti do të theksonte se; ”Jorgo Bulo vdiq në kohën e gabuar, por në vendin e duhur, në Përmet në tokën e Rilindasve të mëdhenj. Duket sikur ai zgjodhi për të ikur prej aty, në shpinë të malit ku kishte lindur, buzë Vjosës, duke folur për letërsinë e kulturën shqiptare, fare pak metra larg skulpturave të Odhise Paskalit, me vështrimin e mendje nga Frashëllinjtë”. Pas përfundimit të homazheve dhe zhvillimit të ceremonisë në Akademinë e Shkencave, të pranishmit morën pjesë në ceremoninë mortore. Me këtë rast Stefan Bulo (vëllai i të ndjerit J.Bulo) falenderoi përzëmërsisht pjesëmarësit në këtë ceremoni lamtumire. Në përfundim mund të thuhet se Prof. Bulo ndërroi jetë në Përmet, si akademik, në “Natën e Bardhë Naimiane”. Aktiviteti për “Natën e Bardhë Naimiane”, organizuar nga Shoqata “Vëllezërit Frashëri” ishte dhe arsyja pse Prof. Bulo do të ishte i pranishëm me kumtesën e tij titulluar “Dritero Agolli, emblema e letërsisë shqipe”, pas së cilës u nderua dhe me titullin “Nderi i Shoqatës Vëllezërit Frashëri”. Por ndarja nga jeta e Akademikut Bulo pikërisht pas këtij aktiviteti do t’i jepte kuptim domethënës jo vetëm fjalës së sipër cituar të prof. Muzafer Korkutit, por dhe faktit se ai ndodhej aty pikërisht me një mision Naimian të cilën ai e përfundoi me sukses e pa bujë aty jo shume larg vëndlindjes së tij zagorite. Dhe Përmetarët e të gjitha kategorive si dhe nxënësit e shkollave të këtij qyteti të kulturuar me, duartrokitje dhe lot në sy përcollën për në Tiranë trupin e pa jetë të mikut të tyre, të nderuarin Akademik Bulo. Bulo i fali Zagorisë. “Monumentin” e veprës me 5 vëllime të Çajupit. Në artikullin “Pse e dua Zagorinë dhe Gjirokastrën”, shkruar në “Çajupi i Zagorisë” (Nëntor 2015), Akademiku Bulo me mall dhe fjalë zemre për Zagorien do të shprehej se “Zagorisë i fala një ‘monument’ me të cilën ajo krenohet, veprën e plotë në 5 vëllime të poetit të saj të madh Çajupit. Është i pari botim i plotë, i paçensuruar i pregatitur me kritere shkencore me tekst të stabilizuar dhe me një nivel teknik botimi të admirushëm. Ajo nuk do të vdesë kurrë bashkë me Çajupin. “Ky monument që ai i fali Zagorisë sigurisht nuk do të harrohet kurrë bashkë me emrin e nderuar të tij. Ai u nda vetëm fizikisht nga familja dhe miqtë e tij të shumtë.brënda dhe jashtë Shqipërisë. Shpirtërisht ai është pranë Akademinë së Shkencave të Shqipërisë. Jeta e tij është sintetizuar pikërisht aty ku meritoi titullin Akademik. Ai do jetë në shkrimet e shumta të natyrave të ndryshme që la për lexuesin e kudo ndodhur shqiptar. Ja përse “Magjistari” i fjalës së urtë e të mënçur Jorgo Bulo do jetë gjithmonë mes nesh.
Sigal