Qevritarët kurohen në Evropë

572
Sigal

Qeveria rimburson ilaçet që janë të lira, por që nuk japin efekt tek të sëmurët. Ja skandali në farmacitë

Popullit i japin ilaçe të skaduara, qeveritarët shpenzojnë miliona euro për shëndetin e tyre

Qeveria rimburson ilaçet që janë të lira, por që nuk kanë veprim kurues të mjaftueshëm ndaj sëmundjeve

Jakup B. GJOÇA

I zgjat recetën për të blerë disa ilaçe një farmacisteje, që është në hyrje të spitalit Nënë Tereza. Ajo, pasi e lexon, më pyet:

-Kë nga ilaçet doni të blini?

– Atë që ka shënuar mjeku në recetë.- i përgjigjem.

– Unë kam 2 lloje ilaçesh. Ju kë doni të blini?

– Atë që ka shënuar mjeku, nuk dua të blej analogun. – i përgjigjem sërish farmacistes.

– Urdhëro, të njëjtin ilaç, por me çmime të ndryshme, – më thotë farmacistja, dhe përballë më lë 2 kuti që kanë të njëjtin emërtim të ilaçit, por me ngjyra të ndryshme. RISPERIDON.

– Ku ndryshojnë nga njëri –tjetri? Nga ngjyra? – pyeta farmacisten.

– Ky këtu bën 450 lekë të reja dhe rimbursohet nga shteti. Ndërsa ky tjetri, kushton 17 euro, por nuk rimbursohet nga shteti.

– Vetëm në çmim ndryshojnë nga njëri tjetri, i njëjti ilaç?- pyes farmacisten.

– Ky që është më lirë, nuk jep efekt. Ndërsa ky që kushton më shtrenjtë, është shumë efikas.

– Ju kë më rekomandoni të blej? – pyes farmacisten.

– Unë do t’ju këshilloja të blini ilaçin më të shtrenjtë, nëse kujdesoheni të shëroni njeriun tuaj.

– Po pse shteti rimburson ilaçin, që nuk jep efekt kundër sëmundjes? – pyes farmacisten.

– Unë kam 20 vjet në këtë farmaci dhe asnjëherë nuk ka ardhur ndonjë zyrtar që të blejë ilaçe këtu tek ne. Ata i blejnë ilaçet vetëm jashtë shtetit…

Para disa vitesh, u ndodha në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ku ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po diskutonte për listën e ilaçeve të rimbursimit. Mbaj mend fjalët e ministrit Beqaj në Komisionin Parlamentar: “ Ministria jonë do të rimbursojë të gjitha ilaçet që janë të lira, në mënyrë që të futim në listë sa më shumë tituj ilaçesh…” – ky fjalim i ministrit Beqaj është i regjistruar në procesverbalet e asaj mbledhjeje.

Miliona euro për kurat e deputetëve

Deputetët të entuziazmuar nga lista e gjatë e rimbursimeve të ilaçeve të lira, miratuan projektligjin… Qeveria u mburr se me listën e gjatë të ilaçeve të lira të rimburshueshme, me të cilat do të bëjë shëndetësinë falas për popullin… Ndërkohë, që Kryeministri Rama herë pas here nxjerr VKM, ku na informon se taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 60 milionë lekë për shtrimin e deputetin B. F. në një spital privat jashtë Shqipërisë dhe 40 milionë lekë për deputetin A. Z. për kurim jashtë Shqipërisë, deputeti M. U. 30 milionë lekë, S. B. 4o milionë lekë etj., etj. Madje, edhe për lindje, gruaja e një funksionari të lartë të shtetit lindi jashtë Shqipërisë, sepse nuk i besonte maternitetit në Shqipëri. Në këto VKM nuk argumentohet, pse deputetët kanë privilegjin, që të kurohen në spitalet jashtë Shqipërisë? Çfarë mungon në spitalet publike në Shqipëri? Pse për deputetët taksapaguesit shqiptarë paguajnë dhjetëra miliona lekë që të kurohen në klinikat private të botës, ndërkohë që për shqiptarët qeveria rimburson vetëm ilaçet e lira?

Ilaçe që prodhohen vetëm për vendet jashtë Bashkimit Evropian

A e dini, që, për shembull, Greqia para disa vitesh ndaloi me ligj, që në Greqi të tregtohen ilaçe, që nuk plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian. Në Greqi prodhohen ilaçe vetëm për t’u tregtuar jashtë Bashkimit Evropian, domethënë për Shqipërinë, ndërkohë, që me ligj, këto ilaçe të lira nuk lejohen të tregtohen në Greqi dhe as në Bashkimin Evropian. Që ilaçi të shitet i lirë në çmim, ai, ose nuk e ka lëndën aktive në sasinë e duhur, që do të thotë se nuk jep efektin ndaj sëmundjes, ose përbëhet nga substanca që nuk janë ato që përshkruhen në letrat shoqëruese. Këto ilaçe që prodhohen për t’u tregtuar në vendet jashtë Bashkimit Evropian, sikurse tregtohen në Shqipëri, shkaktojnë tek të sëmurët pasveprime me pasoja për shëndetin deri në vdekje.