Qeveria të ndërmarrë nismën për amnisti fiskale

633
Për ekspertët fiskalë të “ALTAX” duket se ka ardhur koha që qeveria të ndërmarrë një amnisti fiskale, si një fazë përmbyllëse e një tranzicioni të gjatë ekonomiko – socialë. Kur një ligj fiskal dhe aktet nënligjore janë mjaftueshmërisht të kundërshtuar në praktikë (nuk është zbatuar), “de facto” ata janë kthyer në jolegjitim. Në disa raste ligji dhe mund të modifikohet, por kur ai ka qenë i kundërshtuar që në fillim për t’u zbatuar, shansi i tij i vetëm i mbetet amnistia (rast ilustrues është ligji për akcizat). Amnistia nënkupton idenë e faljes dhe rehabilitimit të mëkatareve fiskale me mesazhin që na përcjell.
Kur ndërmerret amnistia fiskale?
Një qeveri kur shpall amnisti nuk është se shfaq një dobësi të saj në vetvete. Amnistia del e nevojshme të shpallet në rastet kur evazioni fiskal, mosdeklarimi i të ardhurave dhe mosderdhja vullnetare e detyrimeve fiskale është në nivele të larta, apo kur ekonomia e fshehur (informale) është e përhapur në një shkallë të lartë. Amnistia shpallet edhe kur bashkëpunimi i tatimpaguesve me administratën është në nivele të ulëta dhe korrupsioni në është bërë një sëmundje kërcënuese për shoqërinë dhe vendin. Nisur nga këto tregues, por dhe të tjerë që mund të njohë secili lind një nevojë e menjëhershme që ta orientohet ky evazion fiskal në rrugën e formalizimit dhe të taksimit nga qeveria. Të gjitha amnistitë fiskale kanë kusht themelor të tyre pagimin prej taksapaguesve të gjithë detyrimeve të papaguara apo të dala nga auditimet fiskale. Në këto raste, detyrimet e papaguara lejohet të paguhen me tarifat e kohës kur detyrimet fiskale kanë lindur. Puna e administratës fiskale për t’i ndërgjegjësuar tatimpaguesit me detyrimet e tyre duhet të jetë pararoja e shpalljes së amnistisë, duke mbushur boshllëkun informativ që mund të ketë munguar. Sidomos kjo vlen për në Shqipëri, ku kultura fiskale është ende në nivele të ulëta, apo një trashëgimin e munguar. Shpallja e amnistisë nuk është një dëshirë për të falur kundravajtësit fiskale dhe as lejim i hyrjes së parave të pista në superstradën e ekonomisë formale.
Rezultatet e pritshme nga amnistia
Ajo vjen në radhë të parë, pasi organizatorët e saj i njohin në detaje të metat e trashëguara të sistemit ekonomik dhe politiko-shoqëror dhe mbi këtë njohje kanë parashikuar rezultatet e pritshme nga shpallja e saj. Autoriteti vendimmarrëse nëpërmjet instrumenteve të tij duhet të këqyre me vërejtje mangësitë e sistemit fiskal ekzistues, shkallën e bashkëpunimit me tatimpaguesit në pagimin e tatimeve në mënyrë vullnetare, cilësinë e momentit të administratës fiskale. Nëse këto tregues nuk janë ekzaminuar dot saktësisht, atëherë amnistia mund të sjellë më shumë efekte negative sesa pozitive. Tatimpaguesit do të mendojnë se problemet, që ata kundërshtojnë për sistemin fiskal nuk janë përfshirë në programin e amnistisë. Si rrjedhojë, ata do të mbajnë shpresën se do të shpallet një amnisti tjetër që do t’i trajtojë ato. Shqipëria, që është e orientuar prej mëse 25 vitesh nga ekonomia me prioritet tregun e lirë amnistia do të shërbente si një shkundje dhe pastrim i mbi dy dekadave halucinante ekonomiko-shoqërore që ka kaluar. Evidentimi dhe vënia përballë kërkesave të legjislacionit në kuadrin bashkëpunues dhe harmonizues të gjithë ligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër qarkullimit të parasë me burim të paidentifikuar do të ishte hapi i parë në rrugën drejt shpalljes së amnistisë. Efektet e një AF në jetën ekonomike dhe sociale të vendit do të ishin pozitive, me të ardhura shtesë në buxhet, kur të mund të plotësoheshin në pikat e programit të saj periudha që ajo do të prekë, mbi kë do të aplikohet dhe sa kohë do të zgjasë.
Çfarë pritet nga amnistia?
Amnistia nga ana tjetër do të arrinte të mblidhte të ardhura për buxhetin e shtetit, duke shërbyer në balancimin e pjesës se shpenzimeve që kane ngelur pa mbuluar dhe duke shërbyer në ngushtimin e deficitit buxhetor. Të ardhurat që mund të mblidhen do të jenë të shpejta dhe do të vijnë nga detyrime fiskale që praktikisht nuk janë të mundshme të mblidhen apo kërkojnë një kosto të lartë administrative. Ky është momenti edhe për informalet, ku hapet “porta” për të hyrë në zonën e ligjshme të ekonomisë, si një mundësi e rrallë dhe e papërsëritshme në të ardhmen. Kjo nxitje bëhet efektive kur këta kundravajtës nëpërmjet fushatës publicitare kanë arritur në ndërgjegjësimin, se forca e ligjit për ta do të jetë e pamëshirshme, në rast se ata do të ngelen jashtë “portës” së hapur përkohësisht, për aq kohë sa do të zgjati amnistia. Amnistia me shpalljen e saj pranon se mund të janë bërë gabime në të kaluarën, por tani është koha të bëhen korrigjime. Reforma fiskale dhe qasja ndaj luftës kundër evazionit duhet të bëhet pjesë e amnistisë duke pasqyruar atmosferën e përmirësuar në jetën politike e sociale në vend. 
Rritja e besimit të tatimpaguesve
Qeveria do të forcoje besimin e tatimpaguesve, duke u treguar qytetarëve se aktivitetit i tyre po shkon drejt barasvlerësimit të qytetarisë europiane-perëndimore. Amnistia do të ishte dhe një fazë finale përmbyllëse e tranzicionit politiko-ekonomik duke hyrë tashmë në stilin e ri të menaxhimit të fondeve publike nëpërmjet një sistemi masash shtrënguese ligjore për gjithë kundravajtësit e ligjit, me parimin e një trajtimi fiskal neutral nga ana e qeverisë të tatimpaguesve. Kjo çon në shpërndarjen e barrës fiskale në mënyrë të barabarte, si një kontribut personal në arkën e shtetit në këmbim të te mirave në rritje që i mirëpresim të gjithë dhe i marrim si pjesëtarë të “familjes” se re shqiptare. Lufta ndaj evazionit fiskal si një luftë e vazhdueshme, me masa konkrete duke u nisur më shumë nga analiza e shkaqeve që e stimulojnë atë sesa në penalizmin e tij duhet të jetë një pjesë thelbësore e gjithë kuadrit të punës së qeverisë, si para dhe pas amnistisë. Lufta ndaj tij ka nisur. Kjo luftë mund të fitohet duke marrë një nga një betejat, duke filluar me shpërndarjen e pushtetit dhe baraspeshimin e tij duke krijuar shumëllojshmëri të institucioneve në sferën politike, si tregues të një demokracie të konsoliduar, përmirësimin e ligjeve dhe akteve nënligjore jofunksionale, rritjen e pavarësisë dhe aftësisë se gjykatave, efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet gjymtyrëve qeverisëse, përmirësimin e punës statistikore, racionalizimin e shpenzimeve publike, përmirësimin e cilësisë se sektorit publik, përpjekjet në inkurajimin e punësimit dhe masa të tjera që janë pjesë programatike për zhvillimet e vendit. (Revista “Monitor”).
Sigal