Qeveria subvencionon shpenzimet, për arsimtarët dhe nxënësit që shkojnë larg vendbanimit

71
Qeveria vendosi dje të subvencionojë shpenzimet e arsimtarëve, por edhe nxënësve që detyrohen të shkojnë në shkollë larg vendbanimit të tyre.
Sipas vendimit të ekzekutivit përfitojnë fonde publike për shpenzimet e transportit drejtorët, nëndrejtorët dhe mësuesit e shkollave publike të arsimit bazë dhe kopshteve publike të cilët punojnë jashtë qendrave urbane, në largësinë mbi 5 km, nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm, dhe kthehen brenda ditës; nxënësit që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë, nga vendbanimi përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 2 km larg institucioneve arsimore publike më të afërta; nxënësit që jetojnë në qendra rezidenciale të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave për grupe të nxënësve/fëmijëve/familjeve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë dhe që udhëtojnë mbi 2 km larg për të ndjekur mësimin në institucionet arsimore publike më të afërta si edhe nxënësit e arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik.
Në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime trans- porti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike. Njësitë arsimore vendore, mbështetur në numrin e mësuesve dhe nxënësve që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, në bashkëpunim me këshillat e qarqeve e njësitë bazë të qeverisjes vendore do të miratojnë hartën e linjave, sipas largësive përkatëse.
Shërbimi i transportit do të kalojë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, këto njësi realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të mësuesve dhe nxënësve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë ose pranë zyrave të postës shqiptare.
Masa e shpenzimeve përllogaritet në bazë të numrit të nxënësve dhe mësuesve, numrit të ditëve mësimore, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetase apo rrethqytetase të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr. 146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar, dhe të indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Punonjësit arsimorë që përfitojnë transport të siguruar nga njësitë arsimore vendore nuk përfitojnë shpërblim mujor për largësi më pak se 10 km nga vendbanimi i tyre ndërkohë që përfitojnë shpërblim 1 000 lekë në muaj, kur kjo largësi është nga 10 km deri në më pak se 20 km si edhe përfitojnë shpërblim 1 800 lekë në muaj, kur kjo largësi është mbi 20 km.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Po dje qeveria miratoi dhe projektin pilot për dhënien nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të 289 bursave/kuotave ushqimore për nxënësit romë dhe egjiptianë të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, Korçë, për vitin shkollor 2015 – 2016.