Qeveria rrit pensionet e invalidëve me… 2 bileta urbani në muaj!

840
Sigal

Tallje social-ekonomike me shtresat që janë në fatkeqësi fizike dhe varfëri
ekstreme


Përparim HALILI


Kujtojmë, që prej 25 vitesh, invalidët e punës, paraplegjikët,
tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara dhe të verbrit janë përballur
me denigrimin që u ka bërë shteti, duke i lënë këto shtresa shoqërore në
varfëri ekstreme, fakt ky që i ka detyruar këta persona në hall fizik e jetik
të bëjnë protesta të shumta, letra drejtuar BE, trupit të huaj diplomatik në
Shqipëri, krerëve të shtetit, të partive politike, parlamentit, presidentit dhe
gjithë shkallëve të drejtësisë

Invalidët e çdo kategorie dhe grupi, si ata që janë aksidentuar në punë,
ata që kanë lindur me mangësi fizike, ata që janë bërë të paaftë pasi janë përballur
me aksidente në rrugë e me çdo shkak tjetër dëmtimi me pasoja pamundësie fizike
e shëndetësore për të mos punuar dot në asnjë sektor, 6 ditë më parë janë
njoftuar për “lajmin e mirë”,  se qeveria
“Rilindja” u ka rritur pensionet mujore, duke nisur prej datës 1 shtator 2016.
Ky “lajm” është publikuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 169, datë 9 Shtator 2016, nëpërmjet
3 Udhëzimeve të nxjerra prej Ministritë së Punës, Çështjeve Sociale dhe
Shanseve të Barabarta. Këto, janë Udhëzime që përcaktojnë rritjen e pagesave të
pensioneve mujore të invalidëve të disa kategorive personash të paaftë për punë,
të cilët sipas shkallës së invaliditetit trajtohen me mbështetje financiare-sociale
nga shteti. Kujtojmë, që prej 25 vitesh, invalidët e punës, paraplegjikët,
tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara dhe të verbrit janë përballur
me denigrimin që u ka bërë shteti, duke i lënë këto shtresa shoqërore në
varfëri ekstreme, fakt ky që i ka detyruar këta persona në hall fizik e jetik të
bëjnë protesta të shumta, letra drejtuar BE, trupit të huaj diplomatik në
Shqipëri, krerëve të shtetit, të partive politike, parlamentit, presidentit dhe
gjithë shkallëve të drejtësisë! Por nuk kanë përfituar asnjë mundësi financiare
reale për të jetuar edhe minimalisht, duke u lënë aktualisht me pagesë sociale
prej lypsari! Sa është pensioni mujor, që u jep shteti këtyre kategorive njerëzore?
Sa është kjo rritje që u bëhet tani? Me pensionet që kanë, a e përballojnë dot çmimin
dhe sasinë e konsumit të energjisë elektrike, të ujit, të taksave të
qarkullimit, të pastrim-gjelbërimit, të arsimit, të ilaçeve, të trajtimit
mjekësor, të shkollimit të fëmijëve, të qirave të strehimit, çmimet e ushqimeve
në treg, çmimet e transportit, të televizionit, të parkimeve etj? Sipas lajmit
të bujshëm zyrtar, të publikuar prej “Rilindjes” rezulton me shifra e fakte, se
qeveria është tallur përsëri ndaj kësaj shtrese sociale. Pa bërë komente, po
flasim konkretisht për këtë  tallje
social-ekonomike me shtresat që janë në fatkeqësi fizike e varfëri ekstreme,
duke rritur pensionet e tyre mujore, me vlerë sa 2 bileta autobusi urban në
Tiranë, më saktë me 80 lekë të reja në muaj ose sa 1 bukë! Ja 3 vendimet e
rritjes së pensioneve të invalidëve…

 

UDHËZIM Nr. 17, datë 30.8.2016 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” i ndryshuar, të pikës 27, të
vendimit nr. 618, datë 7.9.2006, “Për përcaktimin e kritereve të
dokumentacionit dhe masës së përfitimit të pagesës për personat me aftësi të
kufizuar”:

1. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në nenin 8, të
vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 618, datë 7.9.2006, të ndryshuar, bëhet
10.140 (dhjetë mijë e njëqind e dyzetë) lekë në muaj për personat e përcaktuar
në pikën 1 të vendimit. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me
aftësi të kufizuar.

2. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në nenin 8, të
vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 618, datë 7.9.2006, të ndryshuar, bëhet
10.140 (dhjetë mijë e njëqind e dyzetë) lekë në muaj për personat e përcaktuar
në pikën 2 të vendimit dhe 10.650 (dhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë
në muaj për kujdestarin.

3. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1
shtatori i vitit 2016 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2016, për
Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

 

UDHËZIM Nr. 18, datë 30.8.2016  “Për përfitimet nga Statusi i të
verbrit”, të ndryshuar

1. Masa e përfitimit për shkak të verbërisë, të përcaktuar në pikën 4 të
vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 277, datë 18.6.1997, të ndryshuar,
bëhet 11.510 lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të
verbrit.

2. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1
shtatori i vitit 2016 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2016, për
Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

3. Efektet nisin nga data 01. 09. 2016.

 

UDHËZIM Nr. 19, datë 30.8.2016 “Për përfitimet nga statusi i invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik”, i
ndryshuar:

1. Masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të
përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë
20.1.2001, të ndryshuar, bëhet 10.140 
lekë në muaj.

2. Masa e përfitimit për kujdestarin e invalidit paraplegjikë dhe
tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4, të vendimit të Këshillit të Ministrave
nr. 31, datë 20.1.2001, të ndryshuar, bëhet 10.650 lekë në muaj.

3. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1
shtatori i vitit 2016 dhe përballohen me fondet e akorduara për vitin 2016, për
Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.