Qeveria rihap procedurat e aplikimit për gjyqtarë në Strasburg

463
Sigal

Qeveria ka rihapur edhe njëherë aplikimet për kandidatët që do të përfaqësojnë vendin në Gjykatën e Strasburgut. Brenda 20 marsit të vitit të ardhshëm lista me 3 kandidatët më të përshtatshëm duhet t’i niset kësaj gjykate, e cila i voton ata brenda muajit Prill. Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere: Të jetë shtetas shqiptar; të ketë arsim të lartë juridik; të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë; të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit; të ketë karakter të lartë moral në përputhje me pikën 1, të nenit 21, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; të zotërojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht) si dhe së paku të ketë njohuri bazë të gjuhës tjetër. Do të konsiderohet përparësi zotërimi i të dyja gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë: 

·         -Kërkesë për aplikim; 

·         Kopje e kartës së identitetit; 

·         CV në gjuhën shqipe dhe CV të formatizuar sipas modelit në linkun e mëposhtëm, në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht);

http://assembly.coe.int/CommitteeDocs/2009/ModelCVEN.doc;

Dokumente të diplomimit dhe kualifikimeve shkencore;  

o   Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion; 

o   Dokumente që provojnë njohjen dhe zotërimin e gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës apo gjuhëve të tjera të huaja;  

o   Vetëdeklarim që është person i padënuar/dënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jo përfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar; 

o   Vetëdeklarim se interesat private nuk përmbajnë burime të paligjshme financiare, fshehje të pasurive, deklarime të rreme apo konflikt interesi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9049, datë 10. 04. 2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar; (Deklarimi i rremë përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme). 

– Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese

Pas vlerësimit të dosjeve të aplikimit, kandidatët mund t’i nënshtrohen intervistimit, ku një pjesë e pyetjeve do të jenë në njërën nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht). 

Afati i dorëzimit të aplikimit: 30 nëntor 2016.