Qeveria reagon për vjedhjen e BSH por ‘harron’ Ardian Fullanin

533
Sigal

Reagimi i Kryeministrisë, 2 javë pas grabitjes. Asnjë fjalë në reagim për kreun e skandalit, Fullanin

TIRANË- Rreth dy javë pasi u bë publike vjedhja e një shume të madhe parash në Bankën e Shqipërisë dhe protestave civile, më në fund për herë të parë reagoi Këshilli i Ministrave. Në një deklaratë për shtyp, Qeveria e konsideroi një akt të rëndë kriminal, vjedhjen e thesarit ndaj i kërkoi Drejtësisë të bëjë detyrën në maksimum që një akt i tillë të mos përsëritet më. Por çuditërisht  dhe pse vjen me një reagim të vonuar, qeveria ‘harron’ të verë bisturinë në plagë, nuk përmend Ardian Fullanin, kreun e institucionit ku ka ndodhur skandali. Kjo tregon se Fullani ka qene e mbetet i lidhur me qeverinë e djeshme të së djathtës dhe me qeverinë aktuale të Rilindjes ku ai ka dhe shpresë. “Qeveria e konsideron këtë akt të rëndë kriminal një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga Prokuroria që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës. Ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vet duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen. Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar. Marrja e statusit erdhi pas kaq vitesh si pasojë e drejtpërdrejtë e vullnetit të kësaj qeverie të Aleancës për Shqipërinë Europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin, por edhe për të respektuar dhe nxitur forcimin e pavarësisë së institucioneve që njihen nga Kushtetuta e Republikës si të tilla. Banka e Shqipërisë është njëra prej tyre”. Në deklaratë citohet se qeveria çmon nevojën e ndëshkimit të fajtorëve. “Prandaj sot, duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, Qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”.  Bordi i Mbikëqyrjes Publike do të hetojë kompaninë ndërkombëtare, që ka audituar Bankën e Shqipërisë. Kryetarja Adriana Berberi ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Banka Qendrore për procesin e auditimit. “Kemi kërkuar së pari, së cilat kanë qenë kompanitë e auditimit, të cilat banka ka ftuar për të dhënë opinionin e tyre për pasqyrat financiare të Bankës së Shtetit shqiptar, gjatë 4 viteve të fundit. Dhe së dyti se mbi ç’procedurash Banka e Shqipërisë mbështet përzgjedhjen e kompanive, të cilat i fton për të audituar dhe për të dhënë opinionin, që është në shërbim të publikut dhe jo vetëm të bankës, për vërtetësinë dhe materialitetin, si dhe për mbajtjen e pasqyrave financiare, që kjo bankë prodhon çdo fundvit”, -tha Adriana Berberi, kryetare e Bordit të Mbikëqyrjes Publike.