Qeveria; për autoveturë 649 milionë, për “Vitin e Skënderbeut” 600 milionë

988
Sigal

Për blerjen e autoveturës, kryeministri akordoi 649 milionë lekë, për “Vitin e Skënderbeut”  600  milionë !

Ndoshta vetëm Erisa Spiropali e kishte parashikuar se Rama është më i rëndësishëm se Heroi Kombëtar, kur deklaraoi para elektoratit të “Rilindjes “ se “ky burri këtu është Skënderbeu i vërtetë”. Sigurisht që deputetja në fjalë dhe ish-drejtoresha e përgjithshme e doganave që doli pa lagur nga kjo detyrë edhe pse dështimet dhe humbjet e shtetit ishin marramendëse gjatë kohës që mëkëmbësja e ‘Skënderbeut” të saj imagjinar kishte mbështetjen e një kompanie angleze për menaxhimin e këtyre doganave. Ndoshta  krahasimi i  kryeministrit Rama me “Skënderbeun”, mbase nuk i ka shkuar për shtat  “vëllait” të tij  Erdogan, por  përsëri shprehja e famshme se “e lypura ka faqen e zezë ,por nuk të lë pa gjë “ ka edhe interesat ekonomike  por  edhe efektet politike. Dhe kjo kuptohet derisa një historian Turk vjen në Lezhë, fyen heroin kombëtar dhe qeveria e “Skënderbeut të sotëm” hesht, se mos i prishet qejfi  shoferit të Bosforit Erdogan. Por ç’po bëhet me vitin e Skënderbeut në kuadrin e 550 –vjetorit të Heroit Kombëtar. A mjafton thjesht vënia e një logoje në  shkresat e administratës , po aktivitetet ku janë, po akademia ku është, po institutet e historisë, po universitetet, po arsimi ku janë? I vetmi institucion që po përdor logot e vitit të Skënderbeu, por edhe lartëson imazhin e tij është Institucioni i Presidentit të Republikës, që në dekorimet dhe vlerësimet e dhëna, prioritet ka urdhrat që lidhen me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Kurse vlerësimi i qeverisë mund të kuptohet vetëm duke analizuar këto dy prokurime publike, ku makina e luksit për agallarët e sotëm janë më të shtrenjta se gjithë veprimtaritë kushtuar Heroit tonë Kombëtar .

Mos u çuditni, por kështu ka ndodhur. Qeveria shqiptare, me firmë dhe vulë të kryeministrit, ka bërë dy shpenzime financiare nga buxheti i shtetit, me vlerë totale 124 milionë lekë të reja. Shpenzimin e parë e ka bërë dhe e ka shpallur zyrtarisht, vetëm 2 ditë para Vitit të ri, konkretisht në datën 29 dhjetor 2017, për blerjen e një autoveture të re luksoze, kryer nëpërmjet Gardës së Republikës, me vlerë totale 64.902.000 lekë të reja (me TVSH). Ndërsa shpenzimin e dytë, qeveria e ka miratuar në mbledhjen e qeverisë të datës 9 janar 2018 dhe e ka shpallur në datën 12 janar, lidhur me fondin financiar, që do të përdoret për aktivitetet e “Vitit të Skënderbeut”, vlera e të cilit është 60 milionë lekë të reja, ose 4.9 milionë lekë të reja më pak se vetura e re që ka blerë kryeministri 2 ditë para Vitit të Ri, me të cilin do të udhëtojë gjatë “Vitit të Skënderbeut”. Më poshtë, po publikojmë përmbajtjen e këtyre vendimeve përkatëse dhe faksimilet shkresore zyrtare të tyre.

Ja vendimi për blerjen e veturës kryeministrore me vlerë 64.9 milionë lekë të reja (Buletini i prokurimeve Publike” Nr.  52, datë 29.12. 2017)

GARDA E REPUBLIKËS (Njoftim blerje automjeti)

  1. Emri dhe adresa e autoritetit kontraktor: Garda e Republikës

Rruga“Elbasanit”(Pallati i Brigadave), Tiranë Nr. Tel/ Fax; 00355 4 2 375 152

  1. Lloji i procedurës:“Procedurë e hapur” (Prokuruar nga DPP)
  2. Objekti i kontratës:“Blerje automjete për Gardën e Republikës”Loti i I: “Blerje Autoveturë për Gardën e Republikës”
  3. Fondi limit: 59.278.513 Lekë (pa TVSH)
  4. Vlera totale përfundimtare e kontratës: 64.902.000 lekë (me TVSH)
  5. Data e lidhjes së kontratës: 28.12.2017
  6. Emri dhe adresa e kontraktori: Shoqëria:“CLASSIC” sh.p.k me NIPT J91909004J, Adresa: Autostrada Tiranë-Durrës, Km 1, rruga dytësore godina nr.8, Kashar, Tiranë.

Ja VKM-ja, për miratimin e fondit 60 milionë lekë të reja shpenzime për “Vitin e Skënderbeut” (Fletore Zyrtare Nr. 2, datë 12 janar 2018)

VENDIM Nr. 4, datë 09. 01. 2018. “PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

  1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, zëri “Shërbime qeveritare”, t’i shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për organizimin e eventeve, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.
  2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
  3. Ngarkohen Ministria e Financa-Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

KRYEMINISTRI

Edi Rama