Qeveria nuk mbylli rrugët e korrupsionit të shtetarëve, por mbylli portalin “Stop korrupsionit”

1691
Para 10 vitesh edhe ish-kryeministri Berisha, hapi një numër telefoni anti-korrupsion, i cili jo vetëm që nuk përgjigjej asnjëherë, por shërbente për të zbuluar denoncuesit “anti-qeveri” dhe shtetarët e denoncuar, me qëllim keq-përdorjen e informacionit
Data 2 shkurt 2015, ka lidhje me një lëvizje të trumbetuar me shumë për luftën kundër aferave korruptive që do të bënin shtetarët e çdo niveli në kryeministri, diplomaci, në çdo ministri, drejtori, bashki, qark, prefekturë e deri tek nëpunësit e nivelit fundor në administratën publike. Nën përkujdesjen e kryeministrit Rama, me “dispeçeri” në selinë e kryeministrisë dhe me akses për të denoncuar dhe njohur këto afera shtetarësh, 27 muaj më parë, konkretisht në datën 2 shkurt 2015 u hap Portali “Anti-korrupsion”, në të cilin mund të denoncohej publikisht çdo aferë korruptive e shkelje ligji për tendera, punësime, largime nga puna, shitje vendesh pune, mos kryerje shërbimesh në shëndetësi, arsim, kulturë, transport, ambasada e deri për afera korruptive në polici, shpërfillje e dhunë prej punonjësve dhe drejtuesve të saj. Portali u hap me një ceremoni shumë të bujshme, me promovim më televizione, duke u eksperimentuar nga vetë kryeministri Rama dhe shefit të kabinetit të tij, duke eksperimentuar me imtim rastin e denoncimit të një akti korrupsioni në shëndetësi. Sipas këtij portali, përgjigja për çdo denoncim të bërë do të jepej publikisht brenda 30 ditësh. po në portal nga zyra e mardhënieve me publikun e institucionit për të cilin denoncohej rasti. Disa ditë pas hapjes së portalit, në çdo ‘dritare” anti-korrupsion të institucioneve e shërbimeve publike filluan të publikohen denoncime dhe përgjigjet zyrtare për to, paçka se publikoheshin “thërrime” e jo aferat e mëdha korruptive apo shkeljet e rënda, që bëheshin nga shtetarët e lartë të “Rilindjes”, sidomos me koncesionet. Logoja e këtij portali ishte “Stop korrupsionit”! Kujtojmë, që para 10 vitesh edhe ish-kryeministri Berisha, hapi një numër telefoni anti-korrupsion, i cili jo vetëm që nuk përgjigjej asnjëherë, por shërbente për të zbuluar denoncuesit “anti-qeveri” dhe shtetarët e denoncuar, me qëllim keq-përdorjen e informacionit. Ky model demagogjie e falsiteti në luftën kundër korrupsionit të shtetarëve, mbi 2 vite më parë u prezantua edhe prej kryeministrit Edi Rama jo me telefon, por me portal anti-korrupsion për çdo ministri e shërbim publik. edhe pse modeli ishte i ndryshëm, këto “dritare” denoncimesh ishin një falsitet, mbasi korrupsioni ishte vetë veprimtaria e shtetarëve të lartë dhe tingëllonte qesharake, që të denoncoje për korrupsion, për largime të paligjshme nga puna, për nepotizëm, për trafiqe e krime të tjera kryeministrin dhe të jepte përgjigje kryeministri. Ose psh., të denoncoje ish-ministrin Ilir Beqja për afera korruptive me ilaçet e koncesionet dhe ai, të jepte përgjigje për aferat e tij korruptive! E po kështu, ish-ministri Arben Ahmetaj etj. Edhe portali “Stop korrupsionit.al” me qendër në kryeministri, rezultoi se ishte falsitet. Mjafton të futesh në këtë portal dhe konstaton se ai nuk kryen misionin për të cilin është hapur, mbasi nuk është i hapur. Nuk pasqyrohet asnjë denoncim dhe… nuk kthehet asnjë përgjigje! në ditët që qëndroi hapur, ky portal u tejmbush me denoncime. Vetëm brenda 10 ditëve të para të hapjes së këtij portali, u dërguan afro 15 mijë denoncime për korrupsion, ryshfete, mungesa ilaçesh e pajisjesh në mjekësi, por edhe shumë raste abuzimesh të bëra prej ish-ministrit Ilir Beqja, prej vartësve të tij, prej shefave të pavioneve, prej drejtuesve e mjekëve të klinikave, urgjencave, qendrave shëndetësor enë zona, të drejtuesve të spitaleve dhe të drejtorive të shëndetësisë në prefektura. Po kështu, vetëm brenda 1 muaji, në adresë të ish-ministrit Arben Ahmetaj, u dërguan afro 35 mijë denoncime. Në adresë të drejtuesve të AKU e inspektorëve të saj, prej tregtarëve, prodhuesve e qytetarëve u dërguan afro 110 denoncime për korrupsion e abuzime të tjera në sektorin e ushqimit masiv të popullatës! vetëm në 15 ditët e para të funksionimit të këtij portali, nga emigrantët shqiptarë në 5 shtete ku ka shumë të tillë, u dërguan mbi 80 mijë denoncime për korrupsion, tallje, shpërfillje, zvarritje shërbimesh nga zyrtarët e ministrisë së Jashtme, ambasadorët, konsujt dhe zyrat diplomatike shqiptare jashtë Shqipërisë. E kështu në kulturë, arsim, polici, ushtri, ujësjellës, porte, dogana, tatime, telefoni, mjedis, bashki, këshilla qarqesh, këshilla bashkiakë, prefektura e shërbime të tjera publike! përballë këtij fluksi të madh denoncimesh që vërshuan në portalin “Stop korrupsionit”, qeveria e “rilindësve” nuk i mbylli rrugët korrupsionit e nuk goditi atë, por mbylli portalin dhe mbrojti e mbajti në poste shtetërore ministrat dhe drejtorët më të denoncuar për afera korruptive, nepotizëm, dhunë administrative e shkelje të tjera ligjore! 
Sigal