Qeveria luan kungulleshkën me popullin për rritjen e çmimit të energjisë

531
Sigal

Deklaratat e politikës shqiptare çorodisin popullin

 Qeveria “Rama” po luan lojën e kungulleshkës me reformat në energjetikë dhe mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama garantoi dje se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. “Nuk do e rrisim çmimin e energjisë elektrike, le të hidhen përpjetë ata që e mendojnë, por do ndryshojmë fashën”, u shpreh Rama. Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani, nga ana tjetër mori përsipër që nga Amerika, t’u thotë shqiptarëve që nuk do të ketë më çmim të reduktuar të energjisë për 300 kilovatorët e parë që konsumojnë. Qeveria, sipas tij, ka vendosur ta heqë këtë diferencë për shkak se qytetarët ankoheshin nga CEZ dikur dhe vazhdojnë të ankohen edhe nga OSHEE tani, se faturistët spekulojnë me fashën prej 300 kilovatorësh, duke u faturuar më shumë, apo, edhe se kjo fashë është një objekt vjedhjeje. Ministri Cani ka dhënë mendimin se çmimi i energjisë elektrike duhet të jetë diçka midis 7,7 dhe 13,5 lekëve (çmime këto pa tvsh). Por, nëse çmimi do të jetë diçka e ndërmjetme midis këtyre vlerave, atëherë, logjikisht çmimi do të jetë më i lartë për të gjithë ata persona që nuk e kalojnë fashën mujore prej 300 kilovatësh. Gjithsesi, deklarata të tilla janë përkthyer në rritje të çmimit të energjisë nga masa e gjerë, shoqëria civile si dhe biznesi, i cili ka kërkuar maturi në vendimet e qeverisë, pasi rritja e energjisë do të thotë automatikisht, rritje të kostos së prodhimit. Që do të thotë, se populli shqiptar nuk do të përballet vetëm me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por edhe të shërbimeve apo produkteve të konsumit. Nuk dihet se cili do të jetë propozimi i qeverisë për çmimin e ri të energjisë elektrike, kaq shumë të përfolur, por heqja e fashës prej 300 kilovatorësh, ose thënë ndryshe heqja e çmimit të reduktuar nuk premton gjë tjetër, veçse rritje të energjisë. Rreth 75 % e popullsisë mundohen të mos e kalojnë pragun prej 300 kw, me qëllim minimizimin e shpenzimeve mujore. Por, se sa do të rritet energjia, konkretisht, shqiptarët do ta mësojnë në fund të dhjetorit. Kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti, është shprehur më herët se, aktualisht, kompanitë po sjellin raportet dhe në bazë të performancës së tyre do të vendoset edhe nëse do të ketë një ndryshim të çmimit apo jo. “Brenda dhjetorit duhet të merret vendimi përfundimtar në lidhje me çmimin e energjisë elektrike për të gjithë kategoritë e konsumatorëve. Ne tani jemi në një proces aplikimi nga kompanitë, të cilat aplikojnë pranë Entit Rregullator për çmimet e energjisë elektrike, bazuar në performancën e tyre, në bilancet e tyre dhe në kërkesën e tyre që kanë për të ardhurat, për shitjen apo blerjen e energjisë elektrike. Hapi i dytë është të realizohet një seancë publike dëgjimore, e cila do të realizohet me të gjitha palët e interesuara, ku ne marrim dhe përthithim procesin dhe nivelin e çmimeve të energjisë elektrike. Hapi i tretë është vendimi, i cili do të merret brenda muajit dhjetor”, është shprehur Ahmeti. Deri më tani është bërë e ditur se OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit) ka aplikuar për rritjen e tarifës së transmetimit me 10 % dhe ka dorëzuar kërkesën e saj pranë Entit Rregullator të Energjisë. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me KESH apo OSHEE. ERE është ajo që do të vendosë për çmimin në dhjetor, pas dorëzimit të të gjithë kërkesave.

Rama: S’ka rritje çmimi për energjinë. Debitorët, 5 ditë afat për faturat, përndryshe në burg

 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Policia e Shtetit do nisin një operacion kundër vjedhësve të energjisë. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama në një deklaratë për mediat. Rama theksoi se ka ardhur koha që hajdutët të përballen me ligjin, ndërsa theksoi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin. “Operacioni do ketë përfshirjen e plotë të gjithë forcave të Policisë së Shtetit kundër vjedhësve të energjisë. Policia e Shtetit do përgjigjet e tëra dhe ky është një operacion, ku pa as më të voglin dyshim do duhet që çdo vjedhës i energjisë të përballet drejtpërdrejtë me ligjin dhe të ketë ndëshkim si për çdo hajdut tjetër”, u shpreh Rama. Kryeministri, gjatë fjalës së tij i ka bërë thirrje të gjithë abonentëve të energjisë elektrike t’i kthehen ‘binarit të ligjit’, në këto 5 ditë afat që është vënë nga qeveria. Më tej, kreu i Ekzekutivit theksoi se aksioni kundër vjedhjes së energjisë do të nisë nga bizneset e mëdha, të cilat janë dhe hajdutët më të mëdhenj të energjisë.

Jo rritje çmimi, heqje fashës mbrojtëse

Kryeministri garantoi dje se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Nuk do e rrisim çmimin e energjisë elektrike, le të hidhen përpjetë ata që e mendojnë, por do ndryshojmë fashën”, u shpreh Rama.

Bozdo: Heqja e fashës mbrojtëse rrit çmimin e energjisë

 Partia Demokratike reagon nëpërmjet Enno Bozdos pas pohimit që bëri Kryeministri për heqjen e fashës mbrojtëse. Sipas PD-së, ky vendim është penalizim për gjithë shqiptarët, sidomos për të varfrit dhe shtresat në nevojë. “Kryeministri i dha sot një lajm tronditës shqiptarëve: Konfirmoi se fasha mbrojtëse e çmimit të energjisë do të hiqet. Me zë e me figurë, Edi Rama pohoi se të gjithë shqiptarët do të paguajnë më shumë. E tha këtë sot, pasi ishte fshehur për shumë kohë pas deklaratave të ministrave të tij. Çdokush e di se heqja e fashës mbrojtëse do të detyrojë të gjithë shqiptarët të paguajnë më shumë. Të gjithë pas asnjë përjashtim, përveç atyre që e vjedhin energjinë dhe që do të vazhdojnë ta vjedhin, sepse qeveria është e paaftë t’i kontrollojë. Realitetit të faturave aforfe dhe të faturave të mbifryra, tashmë i shtohet edhe rritja e çmimit”, tha Bozdo.

Rritja e çmimit të energjisë

 Nëse tarifa e çmimit i energjisë elektrike do të jetë diçka e ndërmjetme midis tarifave që paguan sot konsumatori; 7,7 lekë (për 300 kw) dhe 13, 5 lekë (për konsumin e mëtejshëm), atëherë nëse do të merrnim mesataren e këtyre tarifave, i bie që një konsumator të paguajë një tarifë prej 10,6 lekësh për kilovat/orë ((7,7 +13,5) : 2 = 10,6 lekë). Duke vazhduar më tej, pasi konsumatori paguan dhe TVSH për energjinë, që është 20%, atëherë kjo tarifë do të shkonte në (10,6 x 20 %) + 10,6 = 12,72. Pra, të gjithë konsumatorët do ta paguajnë energjinë me një tarifë prej 12, 72 lekësh. Kjo është një rritje e pasupertueshme për gati 75 % të qytetarëve shqiptarë të cilët mezi arrijnë të mbyllin muajin me të ardhurat e tyre.

Ledjana Saliu