Qeveria i vë “ruspën” Lotarisë Kombëtare

624
Sigal

Qeveria rishikon kontratën me lojërat e fatit. Taksa për austriakët e ulët, krahasuar me fitimin nga paratë e shqiptarëve

Lotaria Kombëtare është një nga 3 tenderët (së bashku me administrimin e pullave fiskale dhe ai për markimin e karburantit) që po rishikohet nga qeveria “Rama”. Ministria e Financave ka ngritur një grup pune që po shqyrton termat e kontratës të Lotarisë Kombëtare. Ajo çka përbën pikën kyçe të kësaj kontrate dhe që është duke u hetuar është taksimi mbi xhiron i Lotarisë Kombëtare, pasi taksa që paguan mbi fitimin kompania austriake është shumë herë më e ulët se ajo që paguan në vendin e origjinës. Konkluzioni i Ministrisë së Financave është se të ardhurat që merr shteti shqiptar janë minimale, në krahasim me atë çka fiton Lotaria Kombëtare, me paratë e shqiptarëve. Ka shumë mundësi që në kushtet e një kontrate të re kjo taksë të shtohet.

 Historiku

Në 17 shtator 2012, Ministria e Financave deklaroi se Shqipëria ia shiti licencën publike të Lotarisë Kombëtare kompanisë austriake “Austrian Lottery”. Qeveria e Shqipërisë i dha kësaj kompanie edhe monopolin dhjetëvjeçar të shtatë lojërave të fatit. Gjithçka kundrejt çmimit simbolik 3.5 milionë euro, ndërkohë që në Maltë e njëjta licencë është dhënë për një vlerë prej 39 milionë euro. Ishte një tender i shumëpërfolur, jo vetëm për shkak të çmimit qesharak të shitjes së një pasurie të vyer publike. Tenderi i Lotarisë Kombëtare, i zhvilluar dy vite më parë, u shoqërua me shumë hije dyshimi, pasi në të morën pjesë vetëm dy kompani, në një kohë që bëhej fjalë për një kontratë 10-vjeçare. Kriteret e këtij tenderi, por edhe mungesën e një oferte financiare, që po i shkakton humbje të konsiderueshme arkës së shtetit, e denoncoi edhe deputeti i opozitës së asaj kohe, Erjon Braçe, aktualisht Kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Brenda dosjes me 190 çështje që Ministria e Financave ka çuar në Prokurori, është edhe ajo e Lotarisë Kombëtare. Ky koncesion që mban firmën e ish-ministër Bode, pikësëpari do të hetohet për çmimin shumë të lirë me të cilin u shit një kompanie të huaj, duke u konsideruar si një lotari abuzive, më pas, pse kjo licencë nuk mbeti kombëtare dhe të mos shitej.

Lotaritë Kombëtare në Europë, monopole të shtetit

Eksperiencat evropiane, Lotarinë Kombëtare e vendosin si monopol të shtetit. Pra, e mbajnë publike. Duke ia përdorur fort fondet për politika sociale. Në Shqipëri, ish-qeveria “Berisha” vendosi ta shesë, duke e kaluar si monopol të një të huaji. Porse ajo çka e radhit si skandal këtë monopol është çmimi i ulët me të cilën u shit, vetëm 3,5 milionë euro. Ndërkohë që në Irlandë, çmimi i nxjerrjes në shitje të licencës së Lotarisë Kombëtare ishte te 400 deri në 600 milionë euro. Qeveria greke po ashtu e shiti licencën për dhjetë vjet me një çmim prej 400 milionë eurosh, ndërsa në Turqi kompania fituese e pagoi licencën 2 miliardë euro. Për Maltën, një vend me rreth 400 mijë banorë, e drejta e lotarisë u shit rreth 39 milionë euro.

Konkurrenti i skualifikuar

Një drejtues i kompanisë Intralot, Harris Dotsis – (kompania në fjalë denoncoi procedurën e qeverisë shqiptare si penguese për pjesëmarrjen e tyre në tender dhe paralajmëroi emrin e fituesit disa muaj përpara shpalljes zyrtare) – e përshkruan kështu skandalin shqiptar të Lotarisë Kombëtare: “Ne kemi licencë për lotari kombëtare në disa vende, si në Afrikën e Jugut, në Australi, në Maltë, etj., etj.. Por, ju siguroj që në asnjë nga këto vende nuk kemi parë tender me kritere të tilla si këto që janë vendosur në Shqipëri”. Për pjesën që qeveria shqiptare nuk vendosi çmimin si një nga kriteret konkurruese në tender, por e paracaktoi atë te fiksuar, ai shton: “Nëse autoritetet do të kishin përfshirë çmimin e licencës në kriteret e tenderit, sigurisht që çmimi do të rritej pasi kompanitë konkurrente do të garonin me njëra-tjetrën. Mënyra më e mirë për të sqaruar është t’iu jap një shembull. Ne sapo fituam një tender për licencën e lotarisë kombëtare të Maltës. Çmimi me të cilin e fituam ishte 39 milionë euro. Qeveria Shqiptare e paracaktoi çmimin 500 milionë lekë shqiptare, që në mos gaboj është tre milionë e gjysmë euro. Pra, bëjini vetë llogaritë sa është popullsia e Maltës dhe se sa është ajo e Shqipërisë, krahasoni çmimin dhe do ta keni të qarte atë se çfarë ndodhi”.

3 monopole në skanerin e qeverisë

 Pas rishikimit të kontratës me CEZ dhe atë me kompaninë amerikane që merrej me skanimin e mallrave në dogana, qeveria duket se do të bëjë të njëjtën gjë edhe me tre kompani të tjera. Koncesioni për administrimin e pullave fiskale, ai për markimin e karburantit, si dhe Lotaria Kombëtare janë në prag të rishikimit.

-Koncesioni i kompanisë austriake për administrimin e pullave fiskale mbi mallrat e akcizës. Që nga momenti i aplikimit të këtij shërbimi, 2 vite më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste deklaruan se për 10 vjet konsumatorët do t’i paguajnë firmës private 140 milionë euro. Ministria e Financave tashmë po negocion për rishikimin e këtij koncesioni.

-Një tjetër kontratë e debatuar, por edhe e kundërshtuar fort nga kompanitë e karburanteve në Shqipëri, është edhe Koncesioni i markimit të karburantit, ose thënë ndryshe ngjyrosja e naftës dhe karburantit. Qeveria aktualisht është në diskutime edhe për rishikimin e kësaj praktike. Në Shqipëri qarkullojnë rreth 2 milionë tonë karburanteve në vit dhe duke bërë një llogari të thjeshtë, fitimi i këtyre kompanive të huaja shkon në rreth 100 milion euro në vit. Një shumë kjo mjaft e konsiderueshme, e cila mund të përfundonte në buxhetin e shtetit shqiptar.

-Listës për rishikim të kontratës i shtohet edhe Lotaria Kombëtare e cila është kritikuar ashpër nga socialistët atëherë në opozitë.