Qeveria heq 1 miliardë lekët e restaurimit të shtëpisë së Dritëro Agollit, i jep për mobilimin e zyrave të “Veting”-ut

474
Përparim HALILI
Dy ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit, kryeministri ka shpallur vendimin në emër të Këshillit Ministrave
Kalimi i këtij fondi për shërbime jashtë sektorit të investimeve kulturore është propozuar dhe firmosur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, më 23 qershor 2017 kur ajo ka qenë në fushatë elektorale në Gjirokastër duke mbledhur vota për t’u bërë deputete dhe po në këtë datë është firmosur nga kryeministri që ka qenë në Vlorë e po në këtë datë është botuar në “Fletore zyrtare” Nr. 136, datë 23 qershor 2017

Mund të duket çudi për njerëzit e zbatimit të ligjit, por është normalitet për kryeministrin dhe ministrat e pushtetit të “Tepsisë vetëm”, vendimi që kryeministri shqiptar Edi Rama, ka marrë në emër të Këshillit të Ministrave, pa bërë as mbledhje me ministrat dhe pa u firmosur ende edhe sot e kësaj dite prej tyre. Ndërkohë që skandali, thellohet akoma më tepër, kur shikon që VKM nr. 478, datë 23.6.2017 e firmosur vetëm nga kryeministri Rama dhe e shpallur brenda ditës në “Fletore Zyrtare” nr. 136, datë 23. 06. 2017, rezulton se është marrë 2 ditë para zgjedhjeve parlamentare, ditën e premte në datën 23 qershor 2017, kur kryeministri ka qenë në zonën e tij elektorale në Vlorë, ndërsa ministrat kanë qenë në zonat e tyre elektorale në Dibër, Kukës, Shkodër, Berat, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Fier e kudo ku ai, i kishte caktuar si “deputetë liste”! Sikur të mos mjaftonte ky skandal shtetëror, me bazë falsifikimin e dokumenteve vendim-marrëse shtetërore, abuzimi shkon deri tek “sekuestrimi” i fondeve të investim-shërbimeve të kulturës dhe, kalimi i tyre për investime jashtë sektorit të kulturës. Sipas informacionit të “Telegraf” nga burime brenda ministrisë së Kulturës, mbi 1 miliard lekët e hequra nga buxheti i ministrisë së Kulturës për vitin 2017, kanë qenë të planifikuara për restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli në Menkulas të Devollit e po kështu, për restaurimin e dëmeve që shkaktoi zjarri që ra (u vu) në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Këto fonde, kanë ndryshuar destinacion dhe kanë dalë jashtë ministrisë së Kulturës, mbasi kryeministri Rama, me VKM nr. 478, datë 23.6.2017, ia ka hequr ministrisë së Kulturës dhe i ka akorduar me “emergjencë”, si “shpenzime për kompletimin e ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në zyra për Komisionin e“Veting”-ut, ndërtesë e cila brenda këtyre 4 viteve qenë edhe ish-ministri Kulture dhe ish-ministri e Brendshme. Sipas këtij vendimi, kryeministri ka vendosur të bllokoj restaurimin e shtëpisë së Dritëro Agollit në Menkulas, e cila sipas burimit të informacionit, do të “durojë” deri sa të garantohet vlera tjetër e fondeve në të ardhmen, por që nuk dihet se sa do zgjasë kjo pritje. E po kështu edhe për riparimin e mjediseve të Bibliotekës Kombëtare, mendohet të ketë një afat tjetër të pa… caktuar! Referuar shkresave dhe realitetit, rezulton se kalimi i këtij fondi për shërbime jashtë sektorit të investimeve kulturore është propozuar dhe firmosur më 23 qershor 2017 nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, datë kur ajo ka qenë në fushatë elektorale në Gjirokastër, duke mbledhur vota për t’u bërë deputete. Po në këtë datë është firmosur edhe nga kryeministri, i cili sipas kronikave televizive “ERT”, paradite ka qenë në Vlorë e po në këtë datë… është botuar në “Fletore zyrtare” Nr. 136, datë 23 qershor 2017. Meqë gjendemi përballë një skandali të tillë, mbase është e udhës, që pas kompletimit të zyrave të Komisionit të “Veting”-ut, ky komision ta nisë punën me hetimin e këtij skandali shtetëror. 
Ja VKM nr. 478, datë 23.6.2017, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 136, datë 23 qershor 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

1. Restaurimin, në vlerën 103 000 000 (njëqind e tre milionë) lekë, të ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, me qëllim sistemimin e ambienteve të saj aktuale në funksion të organeve të Veting-ut.

2. Fondi i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, në masën 103 000 000 (njëqind e tre milionë) lekë, të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Kulturës, zëri “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, në programin “Arti dhe Kultura”.

3. Këshilli i Ministrave, në rast të rishikimit të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, merr masa për kompensimin e vlerës, sipas pikës 1, të këtij vendimi, Ministrisë së Kulturës.

4. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Edi Rama 
Sigal