Sigal

Komitetit Kombëtar të Organizatës të Veteranëve të LANÇ: Veteranët nuk mund të jenë pjesë e Rilindjes

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar diskutoi rreth situatës së krijuar dhe rrezikut që paraqet përpjekja për rehabilitimin e figurës së kolaboracionistit dhe bashkëpunëtorit të pushtuesve nazifashistë, ish- kryetar i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashërit. Me unanimitet të plotë u vendos:

Përpjekjen për rehabilitimin e kolaboracionistit, bashkëpunëtorit dhe shërbëtorit të fashistëve italianë e gjermanë Mit’hat Frashëri, i cili iu kundërvu LANÇ, Popullit Shqiptar që ishte inkuadruar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar, ta konsiderojë një akt të paprecedent, me synime të errëta, për të goditur e mohuar Epopenë e Lavdishme te LANÇ, për të falsifikuar e përmbysur të vërtetat historike, për të mohuar gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e 70 mijë partizanëve e partizaneve që luftuan për çlirimin e vendit, çka përbën realisht një akt të tradhtisë kombëtare dhe një rrezik për vendin.

Veteranët e LANÇ, pasardhësit e tyre, Familjet e Dëshmorëve, Invalidët e Luftës, Familjet bazë të LANÇ, Shoqata e Ushtarakëve dhe përfaqësuesit e shoqatave atdhetare e kulturore hedhin poshtë me vendosmëri veprimin përçarës antikombëtar dhe dënojnë me forcë e indinjatë aktin qeveritar të organizimit të ceremonisë zyrtare për varrimin e eshtrave të kryetarit i organizatës kolaboracioniste të Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri. Balli Kombëtar dhe Mit’hat Frashëri, të vënë në shërbim të pushtuesve italianë e gjermanë kryen aktin e rëndë të tradhtisë kombëtare, në bashkëpunim me pushtuesit nazifashistë bënë krime të shumtë ndaj luftëtarëve të lirisë, partizanëve, kryen vrasje, djegie e grabitje ndaj popullsisë në qytete e ne fshatra. Si i tillë Mit’hat Frashëri nuk meritonte nderimet dhe ceremoninë qeveritare që ju bë.

Për aktivitetin antikombëtar të Mit’hat Frashërit, kanë folur e shkruar figura me rëndësi historike e kombëtare si: Faik Konica, Shahin Kolonja, Çajupi e Fan Noli etj. Çajupi, në vitin 1909 në pamfletin “Klubi i Selanikut“ shkruan: “T’u thaftë gjuha, o beu ynë!… Si nuk fole një fjalë për Shqipërinë, o beu ynë”… Ndërsa Fan Noli shkruan: ”Ballistët kanë vdekur moralisht dhe nuk mund të ngjallen më… bashkëpunuan me fashistët italianë dhe nazistët gjermanë me shpresën se do të fitonin luftën bashkë me ta… Me këtë taktikë jo vetëm vranë veten, por mënd vranë dhe Shqipërinë, të cilën e nxinë para botës gjoja, si proitaliane e progjermane. Desh Perëndia dolën në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aleatë… Sikur të kishe ngjarë e pa ngjara dhe ballistët pas disfatës gjermane të kishin qëndruar në fuqi, përfundimi do të ishte një anarki e plotë, me keq se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte Shqipërinë në copëtimin final”.

Antifashizmi shqiptar ishte një nga ngjarjet historike me të mëdha të kombit tonë, kundër pushtuesve të huaj, në vitet 1939-1944 nën udhëheqjen e Frontit Antifashist NÇ, Partisë Komuniste me Enver Hoxhën në krye, e cila e radhiti Shqipërinë në krahun e duhur, në Frontin Antifashist Botëror, që udhëhiqej nga Anglia-BS dhe SHBA, ku Shqipëria dha kontributin e saj në Luftën II Botërore dhe me Luftën Antifashiste i solli lirinë e pavarësinë e vërtete popullit të vet. Në qoftë se Shqipëria do të kishte ndjekur vijën e treguar nga Mit’hat Frashëri, vendi ynë do të ishte radhitur në krahun e të mundurve, atëherë do të ishte copëtuar dhe Shqipëria nuk do të ekzistonte më.

Veteranët e Luftës janë nga themeluesit e parë të Partisë Socialiste. Ata përbëjnë pjesën më militante të saj dhe nuk mund të jenë pjesë e ”Rilindjes”, e cila paska pasur, me sa duket, prapavijë tjetër, ndryshe ç’ka mendonin e prisnin shumica e socialistëve. Ne kemi besim se Partia Socialiste do të distancohet nga Edi Rama. Ajo nuk mund të ndahet nga LANÇ, nga gjaku i dëshmorëve. Mendojmë se gjithçka që po ndodh është përgjegjësi dhe detyrim i PS dhe i strukturave të saj, për të bërë analizën e mundshme, për të vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e ngjarjeve aktuale duke mbajtur qëndrimet e duhura.

Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar, duke dënuar me forcë veprimet arbitrare, antikombëtare e antihistorike dhe duke paralajmëruar rreziqet që vinë nga rehabilitimi i kolaboracionistëve, do të ecë me krenari e me kokën lart në rrugën e saj, duke forcuar unitetin dhe bashkëpunimin me Organizatat e Familjeve të Dëshmorëve, të Invalidëve të Luftës, të Shoqatës të Ushtarakeve e shoqatat e tjera atdhetare e kulturore e, se bashku me to, do të luftojë me të gjitha forcat për të mbrojtur LANÇ dhe vlerat e saj historike e bindur se kështu kryen detyrën e shenjtë të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe të Atdheut.