Sigal

Intervista e Presidentit Meta për Radio Televizionin e Kosovës me gazetarin Ridvan Berisha

Ridvan Berisha: Zoti President, Kosova u bë me ushtri këto ditë. Kuvendi i Kosovës ka proceduar dhe votuar një kuadër domethënës ligjesh, që e ligjërojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës me qëllim që kjo ushtri të jetë kontribuuese e paqes dhe e stabilitetit në rajon. Në vlerësimin tuaj, çfarë momenti përbën krijimi i Ushtrisë së Kosovës?

Presidenti Meta: Krijimi i kësaj ushtrie është një hap tjetër përpara në drejtim të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të rritjes së cilësisë shtet-ndërtuese e funksionuese përsa i takon edhe sigurisë kombëtare. Natyrisht, e shoh si një hap pozitiv të përgatitjes së Kosovës drejt përafrimit të anëtarësimit në NATO.

Gazetari: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është shprehur se “lëvizja e Prishtinës për transformimin e FSK-së po bëhet në kohën e gabuar”. Sipas jush, këto dallime mes aleatëve a mund të manifestohen në raportet midis Ushtrisë së Kosovës dhe KFOR-it në Kosovë?

Presidenti Meta: Nuk e besoj se do të ketë marrëdhënie të vështira. Përkundrazi, besoj se marrëdhëniet do të jenë mjaft bashkëpunuese. Kuptohet që anëtarë të NATO-s kemi edhe disa vende që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Kështu që edhe në një deklaratë si ajo e Sekretarit të Përgjithshëm apo përfaqësuesve të caktuar, duhet parë në kuadër të disa qëndrimeve të karakterit më shumë diplomatik për ruajtjen e disa balancave të brendshme, se sa si një kontestim për procesin thelbësor që ka ndodhur, që gëzon mbështetjen e plotë të SHBA-ve, të Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe shumë vendeve të tjera kyçe.

Gazetari: A e shihni formimin e Ushtrisë së Kosovës si një kontribut të rëndësishëm për ta plotësuar Kosova sovranitetin edhe nga pikëpamja e sigurisë?

Presidenti Meta: Patjetër, është një element thelbësor për sigurinë kombëtare, për aftësinë për të realizuar një politikë mbrojtëse dhe këtë e shoh vetëm në kuadër të angazhimit të Kosovës për t’i shërbyer forcimit të perspektivës së saj euroatlantike, por edhe gjithë rajonit tonë. Pra, ky hap vetëm do t’i kontribuojë paqes dhe bashkëpunimit në rajon.

Gazetari: Zoti President, Serbia siç ishte paralajmëruar nuk e ka mirëpritur krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Prej andej vijnë deklarata me narrativë mjaft nacionaliste, deklarata që po prodhojnë edhe shantazhe e frikësime për serbët e Kosovës, që të mos bëhen pjesë e FSK-së, tashmë edhe Ushtria e Kosovës. Sipas jush, Serbia e sotme a është e gatshme për paqe me Kosovën?

Presidenti Meta: Kosova ka treguar gatishmëri maksimale për të bashkëjetuar në paqe me Serbinë. Ka treguar vullnet maksimal për të garantuar në mënyrën më gjithëpërfshirëse dhe pozitive bashkëjetesën brenda Kosovës edhe me serbët e Kosovës apo qoftë me pakicat e tjera. Sigurisht që pyetja nuk mendoj se është kjo, por pyetja duhet të ishte: Serbia që dëshiron të hyjë në Bashkimin Europian, a mund të ecë me një politikë të tillë ndaj një realiteti i cili në mënyrë dominante njihet nga i gjithë kontinenti, nga BE dhe nga fqinjët e tjerë?

Gazetari: Ju keni një përvojë të gjatë në politikë. Qysh në krye të herës keni pasur dhe keni lidhje vëllazërore me drejtuesit aktualë të shtetit të Kosovës, dikur komandantë të UÇK-së. Këto lidhje ju i keni krijuar në vitet ‘90 në rrethana tepër të vështira për tranzicionin këtu në Shqipëri, sikundër ishin vite të vështira natyrisht edhe për Kosovën që përballej me fushatën e Serbisë për spastrimin etnik të Kosovës. Pra, ju jeni personalitet politik që keni qenë i përfshirë në memorien e kosovarëve në të gjitha ngjarjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Qëndroj te tema e Ushtrisë, pasi kosovarët dhe shqiptarët kanë përjetuar një entuziazëm kolektiv me këtë ngjarje. Për ju personalisht Zoti President, çfarë do të thotë krijimi i Ushtrisë së Kosovës?

Presidenti Meta: Do të thotë një fazë e re e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe plotësim i kuadrit funksional të një shtetit që është në gjendje të marrë përgjegjësi të plota.

Gazetari: Si Ilir Meta si e keni përjetuar këtë ngjarje? E them këtë duke pasur parasysh lidhjet e forta që keni me Kosovën ndër vite.

Presidenti Meta: Kjo është një ngjarje mjaft pozitive dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kemi të bëjmë thjesht me një moment. Kemi të bëjmë me kalimin drejt një cilësie të re të institucioneve të sigurisë dhe të mbrojtjes në Kosovë. Ky është një proces që ka nisur prej kohësh dhe kjo ka qenë një pritje e natyrshme për të kaluar në këtë fazë të re, sepse ka qenë e paralajmëruar, e përgatitur, madje dhe e shtyrë pak në kohë, por absolutisht që është një ngjarje kyçe në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës.

Gazetari: Të flasim për aktualitetin politik kosovar. Përsa kohë keni qenë aktiv në jetën politike, keni qenë vazhdimisht i përfshirë në atë kontekst politik, me lidhjet që keni me strukturën e sotme të politikanëve që e drejtojnë shtetin. Kosovarët mbanin shumë shpresa se këtë vit do të lëviznin pa viza, por kjo nuk ua rrit pavarësisht përmbushjes së një kuadri të gjerë kushtesh, që vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk i kishin. A prisni që ky proces, pra mos-liberalizimi i vizave për Kosovën të ketë pasoja?

Presidenti Meta: Natyrisht që edhe unë jam i zhgënjyer për këtë zhvillim aspak të mirëpritur, përkundrazi, për këtë zhvillim tepër zhgënjyes në raport me pritshmëritë, sepse Kosova prej kohësh ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, që vendet e tjera, përfshi edhe Shqipërinë….

Gazetari: Dyfish më shumë kushte sa vendet e tjera…

Presidenti Meta: Më shumë, kjo është e padiskutueshme. Këtë e ka konfirmuar shumë qartë edhe Komisioneri përkatës, z.Avramopulous dhe kuptohet që këtu kemi të bëjmë më shumë me një çështje të mosarritjes së konsensusit për shkak të diferencave të caktuara brenda BE-së. Unë uroj dhe dëshiroj që kjo ngjarje pavarësisht se sjell një frustrim që ne të gjithë e kuptojmë dhe e kemi mjaft të vështirë për t’u vetëpërmbajtur, përsëri ky problem duhet përballuar me shumë durim dhe vetëpërmbajtje, sepse çdo nervozizëm do të kontribuonte thjesht më shumë në interes të atyre zërave, që janë skeptikë për të njohur shtetin e Kosovës apo që nuk janë të angazhuar për të garantuar të drejtat e qytetarëve të Kosovës si të gjithë qytetarët e tjerë në rajonin tonë.

Gazetari: Nga takimet që keni zhvilluar muajt e fundit me zyrtarë të Bashkimit Europian a e keni nënvizuar qartësisht nevojën që Kosova të mos mbetet mbrapa në këtë proces, të jetë pjesë bashkë edhe me vendet e tjera që Kosova ta gëzojë lirinë e lëvizjes së lirë në zonën Shengen? A mundet të na jepni detaje nga takimet që keni pasur me zyrtarë të lartë të BE-së sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën?

Presidenti Meta: Unë detaje nuk mund të jap, por mund të them se shumë zyrtarë të lartë të BE-së janë gjithashtu të zhgënjyer për mosmarrjen e një vendimi pozitiv dhe sikurse ka zyrtarë të lartë, zyrtarë më të përgjegjshëm sikurse përmenda z. Avramopulous, i cili publikisht ka deklaruar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike për realizimin e kësaj marrëveshjeje për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, duhet të kemi parasysh se problemi është politik dhe Europa e BE-ja nuk janë në momentet më të mira. Jo vetëm kaq, por janë edhe në prag të zgjedhjeve europiane, që do të zhvillohen pas disa muajsh dhe kuptohet që rritja e forcave populiste, të djathta dhe të majta, ka sjellë këtë frenim në vendimmarrje. Por unë besoj që ky është një moment sidoqoftë kalimtar.

Gazetari: Zoti President, e thatë edhe ju se ndoshta çështjet e brendshme të BE-së janë faktor i ri që i kanë bërë vendet anëtare të jenë të frenuara rreth këtij vendimi, por përshtypja e kosovarëve kolektivisht është se po diskriminohen. A mund të pritet që liberalizimi i vizave të përdoret si instrument i kushtëzimit për Kosovën përsa kohë që shteti ynë po vijon një proces të brishtë dialogu me Serbinë?

Presidenti Meta: Kjo nuk do të ishte e drejtë për arsye sepse liberalizimi i vizave është konsideruar si një proces teknik dhe Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe shumë më tepër se të gjithë vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë e Serbinë në të kaluarën. Çdo kushtëzim që bazohet në mohimin e një të drejte është i padrejtë.

Gazetari: A mund të kushtëzohet Kosova në këtë vijim të procesit të rëndësishëm të dialogut me Serbinë, edhe me çështjen e vizave?

Presidenti Meta: Besoj se procesi i dialogut nuk ka arsye për të hyrë në shtigje të shpikura. Procesi i dialogut ka qenë në mënyrë të qartë për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të ecë drejt marrjes së statusit kandidat dhe njëkohësisht drejt çeljes së negociatave, gjë që ka ndodhur. Dhe njëkohësisht synon që përmes një marrëveshjeje përfundimtare të zgjidhë edhe të ardhmen e Serbisë si një vend anëtar në BE dhe Serbia të fitojë perspektivë të qartë europiane, si çdo vend që duhet të zgjidhë problemet me fqinjët.

Natyrisht, kjo kërkon që njëkohësisht Serbia të njohë këtë realitet duke u sjellë si një shtet i gatshëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Devijimi pastaj i dialogut në çështje të tjera nuk i shërben mendoj as Serbisë, as Kosovës, as rajonit tonë dhe besueshmërisë së BE-së për vlerat mbi të cilat është krijuar dhe ekziston.

Gazetari: Siç jeni në dijeni, Kosova mund të përballet me një Serbi aspak miqësore përsa kohë që janë shtuar thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, veçmas nga Uashingtoni, që të përfundojë sa më shpejt ky proces për t’i dhënë shans një paqeje të qëndrueshme midis Kosovë dhe Serbisë. A shihni ju z. Meta mundësinë që ky proces të përfundojë brenda disa muajsh apo do të kemi vijimësi të kësaj “status-quo”-je?

Presidenti Meta: Kjo nuk është një përgjigje që mund ta jap me siguri të plotë. Me sigurinë më të plotë mund ta japin të gjithë aktorët që kanë qenë dhe janë të përfshirë në këtë proces, por është e rëndësishme që ky proces të ndodhë sa më shpejt duke mos sakrifikuar vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian, që na kanë frymëzuar të gjithë ne për t’u bashkuar me BE-në, duke i shërbyer forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.

Gazetari: A mendoni se kjo marrëveshje mund të arrihet brenda disa muajsh?

Presidenti Meta: Do të kisha dashur që kjo marrëveshje të kishte ndodhur dje dhe ne sot të festonim për një marrëveshje që forcon më tej paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën në rajonin tonë dhe të ardhmen europiane të gjithë rajonit.

Gazetari: Mbizotëron përshtypja se përfshirja direkte e SHBA është mëse e nevojshme për të garantuar paqen. Çfarë mendimi keni ju?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që SHBA-të kanë pasur rol lider në të gjithë zhvillimet në rajonin tonë dhe aq më tepër edhe përsa i takon zhvillimeve të cilat sollën fundin e gjenocidit të Millosheviçit në Kosovë, por edhe përsa i takon pavarësisë së Kosovës, ecurisë pozitive të saj përgjatë këtyre dy dekadave në liri. Roli i tyre mbetet mjaft i rëndësishëm edhe në të ardhmen. Ashtu sikurse do të donim të shikonim gjithmonë një bashkëpunim, koordinim sa më të ngushtë brenda të gjitha vendeve të “Kuintit” dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve, të Gjermanisë, Francës, por edhe të Britanisë së Madhe që pavarësisht nga vendimi i saj për të dalë nga BE-ja, përsëri ka një rol mjaft të rëndësishëm në kontinentit tonë, por edhe në NATO.

Gazetari: Si e shihni zgjidhjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me kompromis apo siç flet sot gjendja në të dyja vendet?

Presidenti Meta: Unë e shikoj me kompromis dhe kompromisi është e ardhmja europiane për Serbinë, e ardhmja europiane për Kosovën, e ardhmja europiane për shqiptarët dhe serbët, pavarësisht ku ata jetojnë, në Kosovë apo Serbi.

Gazetari: Çfarë do të thotë kompromisi për ju zoti President?

Presidenti Meta: Kompromisi do të thotë që Serbia të njohë Kosovën dhe Kosova të marrë vendin e saj në OKB dhe gjithë institucionet e tjera, si edhe Serbia të marrë dritën jeshile për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pasi ka zgjidhur një problem të saj me fqinjët e saj.

Gazetari: Pa e ndryshuar Kosova kuadrin e sotëm kushtetuese?

Presidenti Meta: Nuk e kuptoj pse duhet. Kosova këtë Kushtetutë që ka, e ka bërë në marrëveshje me ndërkombëtarët.

Gazetari: Ju keni qenë kategorik ndaj idesë së Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, madje e keni quajtur këtë çështje si kohë e humbur. A e keni diskutuar me z. Thaçi këtë ide dhe qëndrimet tuaja?

Presidenti Meta: Nuk është dëshira ime që të hyj në detaje apo në komente të qëndrimeve të caktuara, si të Presidentit Thaçi, si të drejtuesve të tjerë të institucioneve të Kosovës. Është përgjegjësi e tyre të marrin vendimet e duhura në procesin e këtij dialogu, në respekt me Kushtetutën e Kosovës. Ajo që unë e kam bërë të qartë dhe e theksoj është që unë i besoj shumë bashkëjetesës si zgjidhje finale në rajonin tonë dhe nuk i besoj asnjëherë ndryshimit të kufijve.

Në rastin konkret Presidenti Thaçi ka folur për korrigjimin e kufijve që është një term tjetër. Nuk ka folur për shkëmbime territoresh aq më tepër bazuar mbi vija etnike. Sidoqoftë ajo që unë kam theksuar në të gjitha takimet që kam pasur, si institucionale apo shoqërore e informale me drejtuesit e Kosovës, qoftë të opozitës, qoftë të mazhorancës, gjithnjë mesazhi ka qenë që kjo është një temë e dialogut që duhet përballuar bashkërisht sepse është një temë madhore që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës. Duhet të ketë një bashkëpunim të të gjithë aktorëve në mënyrë që Kosova të jetë sa më e fortë në këto tryeza, sa më e unifikuar, sa më e qartë në vendimet që do të marrë.

Gazetari: Këto ditë u formua Ushtria e Kosovës dhe u votua kuadri ligjor në Kuvend, por qeveria vendosi një taksë 100% për produktet që vijnë nga Serbia. Nga pikëpamja politike a mendoni se bëri mirë qeveria që vendosi këtë taksë ndaj Serbisë?

Presidenti Meta: Ky është një vendim i qeverisë së Kosovës dhe besoj se autoritetet e Kosovës kanë dhënë shpjegimet e tyre për rrethanat në të cilat është marrë një vendim i tillë, i cili për fat të keq ka ndodhur pas disa sjelljeve jokonstruktive nga ana e Serbisë, sikurse është edhe rasti i Interpolit por edhe çështje të tjera. Një tjetër rast për mua është edhe dekurajimi i serbëve për të mos marrë pjesë në forcat e Sigurisë së Kosovës apo për t’iu larguar institucioneve, që është në kundërshtim tërësisht me gjithë frymën e dialogut, ku u kyçën përfaqësuesit e të dyja palëve prej vitesh, që do të thoshte një angazhim konstruktiv dhe jo pengues apo bllokues për njëra-tjetrën.

Gazetari: Kemi rritje të trendit të shërbimeve tregtare, i padëshirueshëm për situatën mes Serbisë dhe Kosovës, por kemi edhe një trend inkurajues gjithsesi. Dy qeveritë janë takuar deri tani 5 herë, kanë adresuar nevoja të përbashkëta bilaterale për bashkëpunim në shumë fusha, por konstatimi që ekziston gjerësisht është se më shumë ka pasur retorikë e se kjo retorikë ka zëvendësuar bashkëpunimin konkret. Si e shikoni ju të gjithë këtë përpjekje të politikanëve për të synuar këtë bashkëpunim, që nuk është arritur siç e kërkojnë nevojat e përbashkëta të tregut mes dy vendeve?

Presidenti Meta: Mendoj se hapësira e rritjes së bashkëpunimit ka qenë dhe është tepër e madhe. Mbetet shumë punë për ta shfrytëzuar atë në mënyrë më të mirë e konkrete dhe më efikase. Ka një trend rritës në mënyrë të vazhdueshme sa i takon tregtisë midis dy vendeve, por e theksoj edhe një herë që hapësira është shumë më e madhe. Në këtë drejtim, absolutisht kemi nevojë për t’u çliruar nga shumë pengesa të karakterit burokratik dhe administrativ që e vështirësojnë qarkullimin dhe interesin për të rritur shkëmbimet më tej.

Gazetari: Po të ishit ju Kryeministër, çfarë do të bënit për të avancuar konkretisht këtë bashkëpunim? Cilat di të ishin tre hapat që do të ndërmerrnit ju për të ndryshuar një realitet që aktualisht nuk ofron shumë shkëmbime me bilanc të dëshirueshëm tregtar?

Presidenti Meta: Unë si President i Shqipërisë mbështes çdo bashkëpunim konkret dhe efikas midis dy qeverive dhe gjithë aktorëve të tjerë dhe do të bëj çdo gjë për këtë qëllim ashtu sikurse kur kam realizuar vizita dhe jashtë, sikurse ka qenë rasti i një vizite në Maltë, kemi ftuar edhe shumë përfaqësues nga Kosova për të qenë në takimet tona atje për shkak të interesit të tyre për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike e tregtare me këtë vend dhe këtë do ta bëjmë sa herë që do të ketë një interes të përbashkët pasi dhomat tona tregtare, pra të Shqipërisë dhe Kosovës, janë në një bashkëpunim të mirë me njëra-tjetrën dhe i dinë edhe këto kërkesa dhe interesat përkatëse.

Gazetari: Po përmbaheni shumë zoti President….

Presidenti Meta: Detyra e një Presidenti është të përmbahet.

Gazetari: Çfarë do të bënit ju konkretisht për të avancuar këtë bashkëpunim? Cila do të ishte këshilla juaj? Të mos harrojmë, tregu i përbashkët në analizën e ekspertëve dhe profesionistëve është shans për t’i kontribuar industrisë dhe zhvillimit, rritjes së mirëqenies, rritjes së punësimit, etj.

Presidenti Meta: Ajo që kemi vënë re është se që në mbledhjen e Pejës ka një përpjekje pragmatike, më konkrete. Shpresojmë që të ketë hapa të shpejtë, që lehtësojnë mundësinë e punësimit në Shqipëri apo në Kosovë, pa vështirësi apo pengesa të të rinjve apo të profesionistëve, që lehtësojnë kalimin e produkteve. E theksoj edhe një herë tjetër, duke evituar shumë pengesa burokratike institucionale që ekzistojnë sot dhe mbi të gjitha duke….

Gazetari: Por mbi të gjitha nevojitet dhe një vullnet politik në gjithë këto vite për të krijuar një mjedis ku ekonomia midis të dyja vendeve do të lulëzonte më shumë, ku prodhuesit do të shkëmbenin më shumë…

Presidenti Meta: Na mbetet të jemi më të vëmendshëm për të parë dhe për t’i mbështetur të gjitha këto vendimet e mbledhjes së fundit në Pejë midis dy qeverive.

Gazetari: Përtej këtyre problemeve midis Kosovë dhe Shqipërisë, si po ecën ora e shqiptarëve?

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje interesante. Koha ka punuar për shqiptarët sepse para vitit 1990, shqiptarët kanë qenë kombi më i shtypur në Europë. Por pas vitit ‘90-të besoj e keni vënë re se çfarë problemesh të jashtëzakonshme kanë pasur me të drejtat e njeriut, me liritë më themelore apo edhe me situatën ekonomike.

Shqiptarët në ish-Jugosllavi padyshim kanë qenë edhe më të ndarë, më të diskriminuarit, por sot kur bëjmë një bilanc të përgjithshëm duhet të jemi të kënaqur deri diku për faktin sepse kanë ndodhur ngjarje të mëdha. Shqipëria e dikurshme që ishte e mbërthyer nga marrëzia se mund të mposhtte edhe një aleancë të Traktatit të Varshavës me NATO-n, sot është një anëtar i NATO-s, është një vend demokratik, kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe shpreson t’i çelë negociatat vitin e ardhshëm. Qytetarët e Shqipërisë udhëtojnë pa viza prej vitesh, ndërkohë që ajo që ka ndodhur me Kosovën padyshim që është një mrekulli e përpjekjes dhe sakrificave të shqiptarëve atje dhe kudo, por edhe të rrethanave ndërkombëtare. Pra kemi një shtet të pavarur që konsolidohet hap pas hapi. Po kështu edhe në Maqedoni, roli i faktorit shqiptar është në rritje. Sigurisht që mbetet shumë për të realizuar sa i takon pritshmërive të qytetarëve tanë dhe fakti që shumë të rinj largohen, si nga Shqipëria, si nga Kosova apo nga trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët është një shqetësim dhe një këmbanë alarmi për të gjithë ne.

Gazetari: President Meta, Gjykata Speciale ka filluar të njoftojë ish-komandantët e UÇK-së për t’u paraqitur në tribunal, siç kanë thënë, për intervistim. Ndërkohë që Serbia, fle mbi varret e shqiptarëve. Shumë kriminelë serbë janë në gjendje të lirë dhe sipas ekspertëve ligjorë, këtu kemi të bëjmë me një drejtësi qartësisht selektive. Kjo gjykatë sipas jush, do ta minojë raportin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, do ta qartësojë edhe më shumë apo do ta pastrojë të ardhmen e saj?

Presidenti Meta: Ecuria e kësaj gjykate, pavarësisht se është një kapitull i tepërt dhe i dhimbshëm për Kosovën, sepse ne e dimë që shumë drejtues të UÇK-së kanë qenë në Hagë, janë ndeshur me akuzat e fabrikuara ndaj tyre, kanë fituar pafajësinë e kështu më radhë, pra e kuptoj që ky është një proces i tepërt, por ka qenë i paevitueshëm në planin ndërkombëtar. Kështu që duhet përballuar me kurajo, në mënyrë që t’i shërbejë pikërisht pastrimit të atyre akuzave, të cilat ne e dimë shumë mirë që janë orkestruar nga ata që nuk e kanë pranuar genocidin që kanë kryer dhe humbjen e betejës së tyre për territore.

Gazetari: Kalojmë te situata në Luginën e Preshevës. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve atje ndajnë brengën, shqetësimet e shumta për diskriminim nga Serbia. Në gjykimin tuaj, sa është shqetësuese situata e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sa i takon të drejtës fondamentale që duhet të gëzojnë?

Presidenti Meta: Natyrisht, situata në Luginën e Preshevës është një situatë që ka mjaft problematika të pazgjidhura. Në këtë drejtim mendoj se është e rëndësishme që vetë forcat shqiptare të bashkërendojnë më mirë më njëra-tjetrën në adresimin e këtyre shqetësimeve dhe problematikave. Sepse ndarjet apo kundërvëniet ndaj njëra-tjetrës i defaktorizojnë në raport me institucionet qendrore të Beogradit, por edhe me komunitetin ndërkombëtar që ndjek të drejtat e tyre dhe pakicave në Serbi.

Serbia është një vend që ka detyrimet e saj si një vend që është duke negociuar me Bashkimin Europian dhe që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian për të plotësuar të gjitha të drejtat e pakicave padyshim dhe të shqiptarëve në Serbi.

 Gazetari: A i keni adresuar ju si President i Shqipërisë shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ku i keni adresuar?

Presidenti Meta: Në mënyrë të vazhdueshme unë i kam adresuar ato edhe si President. Po kështu dua t’ju bëj të ditur se kam qenë dhe kam vizituar komunën e Medvegjës, kam takuar autoritetet atje dhe autoritetet qendrore dhe ato vendore, pra jo vetëm me përfaqësuesit shqiptar. Jemi takuar në mënyrë të vazhdueshme, por edhe me përfaqësues ndërkombëtarë për t’i kushtuar më shumë vëmendje të drejtave të shqiptarëve atje. Por e theksoj mbetet ende më shumë nga faktori shqiptar në Luginë për të qenë më i unifikuar në kërkesat më kyçe që kanë shqiptarët atje.

Gazetari: Kalojmë te Maqedonia, që ka një strukturë politike të re në pushtet pas humbjes së z. Gruevski, i cili tashmë ndodhet në azil politik në Hungari. Çfarë roli mund të luajnë Shqipëria dhe Kosova, përsa kohë ky vend është i përfshirë në valën e përmbushje së kushteve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit?

Presidenti Meta: Besoj se Shqipëria, Kosova dhe vetë faktori shqiptar në Maqedoni kanë luajtur rol kyç përsa i takon mundësisë historike që po i krijohet Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe për të zhbllokuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Shqiptarët kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në krijimin e ekuilibrave të reja në Maqedoni, të cilat e mundësojnë këtë rrugë dhe këtë përcaktim të Maqedonisë që do t’i shërbejë jo vetëm anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, por edhe forcimit të stabilitetit në rajon dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të gjithë rajonit tonë.

Gazetari: Meqë u përmend emri i Maqedonisë nga marrëveshja e re, zoti President do të ishte me interes edhe për shikuesit tanë besoj të dinë në lidhje me negociatat që tashmë kanë ngecur mes Tiranës dhe Athinës për kufirin detar. Zoti President lidhur me këtë çështje keni patur dhe mosmarrëveshje me qeverinë, tani si qëndron puna?

Presidenti Meta: Lidhur me këtë çështje ajo që unë mund t’ju them është që angazhimi im si President i Republikës së Shqipërisë ka qenë dhe është për të kontribuar në respekt të detyrimeve kushtetuese dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, posaçërisht për këtë çështje për realizimin e një marrëveshjeje të drejtë dhe afatgjatë midis të dyja vendeve.

Gazetari: Të kalojmë të zhvillimet e brendshme në Shqipëri. Shqipëria po e zhvillon me gjasë pluralizimin më shumë se sa e ka kapacitetin. Kemi këtu në Tiranë një ambient të nxehtë i shoqëruar së fundmi me protestat e studentëve, të cilët kanë disa kushte, kërkojnë vetting për profesorët, kërkojnë tarifa për studime, etj. Sipas jush, sa po përmbushen dhe në çfarë drejtimi në fakt politik është sot Shqipëria në këtë moment të ri? Sepse protesta ka pasur Shqipëria dhe në të kaluarën, po sot kemi një komunitet që nuk është në politikë i përkrahur ndoshta, që thonë hapur se nuk përfaqësojnë asnjë parti politike, por janë për të përfaqësuar zërin e tyre.

Presidenti Meta: Unë lëvizjen e studentëve e lexoj si një lëvizje sociale të një shtrese mjaft të rëndësishme të gjithë shoqërisë sonë, e cila prek të gjitha familjet shqiptare. Por edhe mjaft kyçe, pasi ka të bëjë me të ardhmen e vendit dhe me perspektivën e tij. Është e qartë se kjo është një lëvizje e imponuar nga kushtet dhe rrethanat e vështira në të cilat ndodhen studentët tanë, por edhe universitetet tona, në mënyrë të veçantë ato publike, nga vështirësitë dhe pamundësitë e shumicës së familjeve shqiptare për të përballuar kostot aktuale të studimit të fëmijëve të tyre në universitete, njëkohësisht dhe një pakënaqësi e studentëve deri diku edhe nga shërbimi apo cilësia që ofrohet.

 Gazetari: Ju e mbështesni këtë lëvizje studentore President Meta?

Presidenti Meta: Nuk ka asnjë institucion apo aktor institucional, politik në Shqipëri, që i kundërshton apo nuk i konsideron shqetësimet dhe kërkesat e studentëve si të drejta, legjitime dhe që duhen adresuar sa më parë.

Gazetari: Si e vlerësoni qëndrimin e Kryeministrit Rama, përsa i takon këtij mjedisi që po shpërfaq zemërim, në gjykimin e shumë njerëzve të arsyeshëm?

Presidenti Meta: Mendoj se ky rezultat është akumulimi i mungesës së dialogut real dhe efektiv prej kohësh përsa i takon problemeve të arsimit të lartë, i anashkalimit të shumë shqetësimeve që janë ngritur në mënyrë sistematike, që nga koha e hartimit të projektligjit për arsimin e lartë, më pas që nga ngadalësia apo boshllëku që u krijua me mosbërjen e gjithë vendimeve dhe akteve nënligjore për zbatimin e ligjit dhe më pas me shumë kontradikta të shfaqura përsa i takon menaxhimit të problemeve në universitetet tona. Kështu që është koha që zëri i studentëve të dëgjohet dhe do të thosha të dëgjohet pa vonesë.

Gazetari: Ju vendosët për ta rikthyer me procedurë ligjin për buxhetin. President Meta, e bëtë realisht sepse mendoni që studentët dhe kërkesat e tyre nuk janë adaptuar mjaftueshëm në buxhetin e ri apo e bëtë për ta ftuar në një konfrontim të ri Kryeministrin Rama?

Presidenti Meta: Mendoj se motivacioni ka qenë shumë i qartë dhe i shprehur në mënyrë publike. Dihet se disa nga kërkesat e studentëve kërkojnë një konsiderim nga buxheti i shtetit dhe sigurisht që kthimi në Kuvend, sikurse dhe u argumentua publikisht, bëhet në interes të dhënies të një mundësie të re për të reflektuar dhe për të qetësuar këtë situatë.

Gazetari: Nuk ishte mesazhi për të ftuar në konfrontim Kryeministrin Rama?

Presidenti Meta: Nuk ekziston asnjë qëllim i tillë, për më tepër që ka patur edhe një pretendim nga përfaqësues të caktuar të mazhorancës, që nuk mund të bëheshin ndërhyrje në buxhet për arsye se buxheti ishte në Presidencë. Kështu që, kjo ishte një mundësi për të parë se çfarë hapësire ekziston për të reflektuar.

Gazetari: Përveç protestave të studentëve, ka dhe protesta të tjera, që kërkojnë uljen e çmimit të karburantit, protestat e banorëve në një lagje të Tiranës të cilëve po u shemben shtëpitë, largimi i shumë të rinjve jashtë vendit. Të gjitha këto mund të krijojnë të papritura, jo vetëm thjesht në planin social, apo edhe atë të sigurisë. A e shihni këtë efekt që mund ta krijojë kjo situatë?

Presidenti Meta: Theksoj edhe një herë që protesta e studentëve është një protestë që ka rrënjë shumë të sinqerta dhe e cila vjen për arsye të problemeve dhe pamundësive sociale-ekonomike të shumicës së familjeve të studentëve për të përballuar kostot e studimit për fëmijët e tyre.

Ky nuk është një problem thjesht i këtyre familjeve. Besoj se ky është një problem për të gjithë shoqërinë dhe kërkon një angazhim të gjithë institucioneve për t’i dhënë një zgjidhje, pasi problemi kryesor që ne kemi sot është tendenca e të rinjve për t’u larguar nga vendi.

Së dyti, problemet e tjera tregojnë që ka vend për reflektim dhe për një dialog të vazhdueshëm. Mosdëgjimi i shqetësimeve të grupeve të interesit sigurisht që akumulon edhe pakënaqësi të cilat pastaj mund të shprehen në mënyra të ndryshme, por edhe mund të keqpërdoren për qëllime të ndryshme.

Gazetari: Tejet e rëndësishme në Shqipëri është edhe reforma në drejtësi. Vetting-u ka nxjerrë në pah jo pak shkelje nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjitha nivelet. Në lidhje me këtë proces, ka ende mospajtime mes opozitës dhe pozitës. Ndërkohë, Komisioni i Venecias ka rrëzuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Partia Demokratike për procesin e verifikimit të politikanëve dhe lidhjet e tyre me krimin. Sipas jush, sa po përmbushen objektivat e reformës në drejtësi?

Presidenti Meta: Dëshiroj që të ecet më shpejt në këtë drejtim dhe që institucionet e reja të drejtësisë të jenë sa më funksionale dhe t’u përgjigjen pritshmërive për rezultate të shpejta në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe për të goditur lidhjet e politikës me krimin, që ka qenë dhe mbetet ende një temë për fat të keq. Në këtë drejtim do t’ju siguroja për mbështetjen time të plotë në përmbushjen e këtyre objektivave madhore.

Gazetari: Ky proces do të diktojë natyrisht edhe momentin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. A jeni i bindur, se do të ndodhë realisht vitin e ardhshëm hapja e negociatave?

Presidenti Meta: Padyshim që duhet bërë çdo përpjekje për hapjen e negociatave për anëtarësim në qershorin e ardhshëm. Në këtë drejtim mendoj që është i domosdoshëm një dialog politik i qëndrueshëm midis qeverisë dhe opozitës.

Qeveria duhet të tregojë edhe më shumë angazhim për të krijuar kushtet e duhura për këtë dialog, pasi 6 muaj kanë kaluar nga qershori dhe tani kanë mbetur edhe 6 muaj të tjera. Situata në këto 6 muaj, jo vetëm që nuk ka ndryshuar për mirë, por për fat të keq situata është përkeqësuar në raport të mundësisë së bashkëpunimit, të dialogut dhe të angazhimit të përbashkët për t’u përqëndruar te këto prioritete kyçe që i theksuat dhe ju, të cilat kanë të bëjnë me seriozitetin e sundimit të ligjit në vend dhe me një bilanc sa më pozitiv që të ndihmojë në marrjen e këtij vendimi që dëshirojmë. Megjithatë, në çdo rast Shqipëria duhet të ecë në këtë rrugë, sepse kjo është e vetmja rrugë që ka Shqipëria.

Gazetari: A keni në plan zoti President, për të krijuar një mjedis më të shtendosur midis mazhorancës dhe opozitës për t’i afruar palët në dialog. A shikoni ndonjë mënyrë se si mund ta arrini këtë?

Presidenti Meta: Përpjekjet e mia, edhe kur nuk kam qenë në këtë detyrë, në detyrën e Presidentit, por edhe kur kam qenë në politikë më aktive edhe pse mund të kem qenë pjesë e mazhorancave të ndryshme, gjithnjë kanë qenë për t’i shërbyer qetësimit, dialogut dhe bashkëpunimit për çështjet më të mëdha. Sidomos për ato që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë.

Përpjekjet në këtë detyrë aktuale janë shumë herë më të mëdha dhe kanë qenë dhe janë për t’i shërbyer një klime të përgjegjësisë së përbashkët për vendin, pavarësisht nga rolet e ndryshueshme që gjithmonë ekzistojnë midis forcave politike, një herë në mazhorancë apo njëherë në opozitë. Për fat të keq, nuk shohim ato rezultate që do donim të shikonim për të mos e zhvilluar konfliktin si një mënyrë tepër helmuese, për forcimin e institucioneve të përbashkëta, për të cilat ka nevojë një shtet dhe një shoqëri europiane.

Gazetari: Detyrat kushtetuese të Presidentit, a i ushtroni plotësisht ose a jeni i ndikuar nga trashëgime politike që keni me LSInë? A ju bëjnë President tamam, unik, apo ajo trashëgimi politike ndikon akoma tek ju?

Presidenti Meta: Për mua kjo nuk është e rëndësishme në kuptimin e ndikimit tim në marrjen e vendimeve si dhe sjelljen time si President për shkak të angazhimit tim të mëparshëm politik apo partiak. Unë e theksoj dhe një herë, edhe përpara se të vija në këtë detyrë të rëndësishme, angazhimi im ka qenë gjithmonë në interes të dialogut dhe të bashkëpunimit, edhe si Kryetar i Kuvendit, por edhe në raporte të tjera. Në këtë detyrë ky është prioritet i vetëm nga ana ime, për t’i shërbyer forcimit të institucioneve në vend përmes frymës së bashkëpunimit, por edhe një herë tjetër e theksoj që në këtë drejtim duhen përpjekje më të mëdha për të kuptuar dy palët që, Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët pavarësisht se si janë sot të vendosura.

Gazetari: Kush janë figurat me të cilat keni raporte miqësore në Kosovë, ato që sot janë në pushtet dhe opozitë? Kemi Presidentin Hashim Thaçi, Kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministrin Ramush Haradinaj, liderët e opozitës zotin Albin Kurti, Isa Mustafa. Fatmir Limajn nuk e përmenda se është Zëvendëskryeministër. Cilët janë njerëzit me të cilët mban raporte të rregullta politike në Kosovë? A mbani kontakte me familjet e dëshmorëve, me familjen e respektuar në Kosovës, të komandantit legjendar, Adem Jashari?

Presidenti Ilir Meta: Dua t’ju siguroj se që në ditën e parë të angazhimit tim në politikë me rininë eurosocialiste kam patur një lidhje shumë të fortë me Kosovën për shkak se një nga themeluesit e këtij forumi ishte një i ri nga Kosova, që kishte vuajtur në burgjet e Serbisë, Haki Morina. Përmes tij kam kuptuar, pra shumë herët në angazhimin tim politik, situatën e shqiptarëve dhe të rinjve sidomos në Kosove dhe në ish-Jugosllavi.

Më pas kam qenë në lidhje me të gjithë, pavarësisht nga raportet që mund të kishte lidershipi i Partisë Socialiste në atë kohë pra, pavarësisht nga këto raporte, unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira dhe me LDK-në në atë kohë dhe me Bujar Bukoshin, i cili ishte Kryeministër i Kosovës dhe që vinte më shpesh në Shqipëri edhe me Presidentin e ndjerë Rugova, me LPK-në që ishte në atë kohë, sepse këto forcat e reja ende nuk ishin krijuar. Dhe përgjatë gjithë kësaj kohe, gati 30 vite kam patur dhe kam raporte shumë të mira dhe bashkëpunuese me të gjithë, pavarësisht se me kë mund të pimë një gotë raki dhe më kë mund të pimë një gotë ujë. Kjo varet nga natyra njerëzore. Qëllimi im ka qenë dhe është gjithmonë marrëdhëniet e mia në raport më Kosovën si politikan kanë qenë të hapura njësoj me të gjithë, sepse interesi ka qenë raporti me Kosovën dhe dera ime, jo këtu që nuk diskutohet si President, por edhe dera e shtëpisë sime ka qenë e hapur gjithmonë për të gjithë.

Gazetari: Zoti President, do të doja në fund një mesazh për Vitin 2019, se çfarë do të sjellë për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët në Ballkan, në pritshmëritë e tua, në gjykimin tuaj, në mesazhin tuaj?

Presidenti Meta: Unë shpresoj shumë që për Shqipërinë të sjellë çeljen e negociatave për anëtarësim. Shpresoj shumë që me përmbylljen e Marrëveshjes së Prespës nga Maqedonia dhe Greqia, Maqedonia t’i bashkohet NATO-s, dhe të çeli negociatat për anëtarësim bashkë më Shqipërinë, sepse kjo është edhe në interes të shqiptarëve të Maqedonisë dhe gjithë rajonit tonë.

Sigurisht, shpresojmë shumë që të kemi një sukses përsa i takon dialogut të Kosovës me Serbinë, sepse një marrëveshje e suksesshme do të zgjidhte shumë probleme të tjera të mëdha të qytetarëve të Kosovës apo edhe të shqiptarëve në Serbi në interesin më të mirë të gjithë shqiptarëve, por edhe të gjithë rajonit tonë.

Gazetari: Dhe për shqiptarët në Mal të Zi, për të cilët një politikan shqiptar nga Malësia i njohur në Amerikë për statusin e tij të tashëm politik, Mark Gjonaj, pati shqetësime publike se Mali i Zi, po ashtu po i diskriminon shqiptarët në heshtje?

Presidenti Ilir Meta: Jam në një bashkëpunim të ngushtë me zotin Mark Gjonaj dhe me shqiptarët e Mali të Zi, dhe jo vetëm, por edhe në Shtetet e Bashkuara edhe në rajone të tjera. Në janar do të jem për një vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe të drejtat e shqiptarëve të Malit të Zi, do të jetë një çështje mjaft e rëndësishme e takimeve të mia. Dëshiroj dhe besoj se autoritetet e Malit të Zi do të kenë gjithë vullnetin për t’i shërbyer këtyre të drejtave. Për arsye sepse shqiptarët në Mal të Zi, pavarësisht nga pakënaqësitë që kanë, kanë luajtur një rol kyç për pavarësinë e Malit të Zi, për përcaktimin e Malit të Zi si anëtar i NATO-s dhe janë një faktorë tepër i rëndësishëm për garantimin e perspektivës europiane të Malit të Zi.

Gazetari: Zoti President, ju falënderoj në emër të RTK-së për kohën që gjetët të jeni me mua, me teleshikuesit e televizionit publik të Kosovës.

Presidenti Meta: Ju falënderoj dhe juve. U uroj të gjithë teleshikuesve tuaj për durimin që patën për të ndjekur këtë intervistë, por mbi të gjitha i uroj për një vit të ri të mbarë dhe të lumtur për ta e për të gjithë shqiptarët kudo ku janë.