Qeveria do t’u japë tapitë fshatarëve që përfituan nga ligji 7501

647
Sigal

Edhe minoritarët, të cilët nuk kanë patur pronësi para 1946-s, do të bëhen pronarë të tokave

Kryeministri Rama është zotuar që gjatë qeverisjes së tij, do të ketë prioritet zgjidhjen sa të mirë e të mundshme të çështjes së pronësisë së tokës, si edhe legalizimin e ndërtimeve, sidomos të shtëpive pa leje në zonat informale.

Kompensimi fizik është në pamundësi zgjidhjeje

Problemi më i mprehtë, që kërkon zgjidhje të menjëhershme do të jetë si do të bëhet kompensimi i pronarëve të tokave. Pronarët kërkojnë shpërblim fizik, mirëpo, deri tani, kjo është e pamundur. Së pari, dihet që sipërfaqja e pretenduar nga pronarët, është e pamjaftueshme që të jepet, pasi ajo është tjetërsuar. Një nga mënyrat që është shtruar për zgjidhje, ajo e kompensimit fizik, me sipërfaqe të lira  që ka në pronësi shteti, është e papranueshme nga pronarët, pasi ato janë në zona që kanë vlerë të ulët dhe perspektivë të largët përdorimi. Kompensimi në vlerë, tani për tani është i pamundur që të përballohet nga buxheti i shtetit, ndaj zgjidhja përherë mbetet peng i premtimeve politike.  Por  zgjidhja e këtij konflikti të mprehtë, midis pronarëve dhe shtetit shqiptar është bërë edhe subjekt i gjyqeve, tashmë edhe në Gjykatën e Strasburgut.  Deri tani, nuk janë të pakta rastet kur kjo gjykatë ndërkombëtare ka dhënë vendime “pro” pronarëve, duke e detyruar shtetin shqiptar që të paguajë miliona euro, për të dëmshpërblyer pronarët.

Tapi- përfituesve të tokës me 7501-shin

Megjithë vështirësitë që bëjnë zgjidhjen e pamundur të kompensimit të pronave  për pronarët, qeveria e Ramës, ka vënë si prioritet  zgjidhjeje, çështjen e pronësisë të atyre sipërfaqeve të tokës që u ndanë në bazë të ligjit 7501. Sa për histori, në bazë të këtij ligji, toka bujqësore, por edhe një pjesë e kullotave të ish-NB-ve dhe kooperativave bujqësore, u nda fshatarëve, që ishin deri në atë kohë, anëtarë të NB-ve dhe KB-ve, në bazë të sasisë së pjesëtarëve të familjes. Fillimisht, sipërfaqja e tokës u është dhënë, në bazë të ligjit 7501, në përdorim dhe jo në pronësi. Në bazë të burimeve të informacionit që kemi nga një burim shumë i afërt pranë Kryeministrisë, qeveria e Ramës, përgatit që të shpërndajë tapitë për gjitha fshatarët që kanë marrë në përdorim sipërfaqen e tokës, në bazë të ligjit 7501. Po, sipas këtyre burimeve  pranë kryeministrisë, shpërndarja e tapive fshatarëve do të bëhet,  ashtu siç kanë përfituar në atë kohë, që u bë shpërndarja e  tokës dhe nuk do të merren në konsideratë asnjë ankesë apo rishqyrtim i gjendjes reale të sotme, që kanë ndodhur në bazë të ndryshimeve demografike, në ndërkohën deri sot.

Minoritarët, në bazë të 7501-shit,  bëhen pronarë të tokës që nuk u përket

Dhënia e tapive gjithë fshatarëve që kanë marrë tokë në përdorim, në bazë të ligjit 7501, përveç konflikteve dhe kontradiktave që kanë lindur midis pronarëve të vërtetë dhe atyre që përfituan deri tani tokën në përdorin nga shteti, do të lindë edhe një konflikt mjaft të madh të një rëndësie tejet kombëtare. Shumë familje minoritare, që jetojnë në Jug të Shqipërisë, si në Vurg, Mursi,  Delvinë, Livadhja, Dropull,  deri në 1946 nuk kishin në pronësi asnjë metër katrorë tokë bujqësore, pasi tokat aty i kishin me tapi çifligarët dhe bejlerët shqiptarë dhe familjet e minoritarëve ishin argatë të ardhur të çifligarëve shqiptarë. Mirëpo, në bazë të ligjit 7501, këto familje minoritare, morën në përdorim sipërfaqe të tokës, në bazë të numrit të pjesëtarëve të familjes që jetonin në fshat, në ato kohë që u zbatua ky ligj. Ndërsa, me ligjin, që përgatit qeveria e Ramës, për pronësinë e tokës, familjet e minoritarëve do të bëhen pronarë me tapi të tokës, që kurrë nuk e kanë patur në pronësi. Kjo, do të sillte rrezikun e madh të sigurisë kombëtare, pasi kjo sipërfaqe e tokës, që minoritarët do ta marrin me tapi, nesër, pasnesër, mund të përdoret si një argument, që kjo tokë, derisa është pronësi e familjeve minoritare grekë, është edhe …tokë greke. Nuk e di, nëse qeveria shqiptare e ka menduar në këtë dimension, apo tregohet oportune, por, si argument, po parashtrojmë disa fakte historike.

Tokat e popullsisë çame, që u shpërngul me gjenocid nga Greqia, ende edhe në ditët tona, nuk janë dhënë me pronësi askujt. As shteti grek nuk zotëron të drejtën e pronësisë, të tokave, që popullsia çame i kishte me tapi, edhe pse ndodhen sot në territorin e shtetit grek dhe popullsia çame e larguar me gjenocid nga truallet e veta, sot e ka të pamundur rikthimin dhe jetesën në trojet e tyre. Në Larisa dhe Volo, por edhe gjetkë në shtetin grek, edhe sot e kësaj dite, sipërfaqe të tëra, në mijëra hektarë, figurojnë në pronësinë e çifligarëve shqiptarë e turq, që nga koha e perandorisë otomane. Por, shteti grek, ende nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë dhe sot, askush nuk është pronar i ligjshëm i këtyre sipërfaqeve të pronave të pronarëve shqiptarë e turq, në Lamia, Volos, Larisa të Greqisë. Ato u janë dhënë në përdorim, nga shteti grek, familjeve që sot jetojnë në ato toka, por kurrsesi dhe asnjëherë shteti ligjor grek, qoftë  kur ishte diktatorial, qoftë edhe tani që është  demokratik, nuk mundet që familjeve, që e kanë në përdorim tokën e pronësisë të çifligarëve shqiptarë e turq, t’jua japë me pronësi familjeve greke.

Atëherë, qeveria shqiptare, a duhet të nxitojë, që t’u japë në pronësi familjeve minoritare, tokën që u ka dhënë në përdorim, në bazë të ligjit 7501?  E gjykuar kjo, qoftë nga ana juridike, por edhe nga ana e sigurisë kombëtare!

Rrapo Danushi, kryetari i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, për “Telegraf”

Nëse qeveria e re do të japë tapi të gjithë atyre që kanë përfituar sipërfaqe toke me ligjin 7501, do të thotë që edhe kjo qeveri është vazhdimësi i asaj diktature, që na shpronësoi ne, pronarëve nga pronat tona. Qeveria, si mundet t’u japë  tapi, toka që nuk janë pronë e saj? Nëse kjo qeveri u jep tapi edhe minoritarëve që nuk kanë pronësi toke, do të thotë që ky akt është tradhti e interesave kombëtare.