Qeveria 894 parcela ndërtimore për pronarët e objekteve pa leje

569
Në kuadër të legalizimit të ndërtimeve pa leje, Këshilli i Ministrave ka miratuar kalimin e 894 parcelave ndërtimore në 11 qarqe të vendit në favor të pronarëve të objekteve pa leje.
Ky vendim do të lehtësonte legalizimin e objekteve të ndërtuara jo në truallin e pronarit të ndërtesës pa leje.
Gjithashtu ndër vendimet e tjera Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin në parim për bashkëpunimin financiar 2011 për projektin “Efiçenca energjetike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike me Gjermaninë.
Vendimi për miratimin e kalimit të pronësisë së disa parcelave ndërtimore në favor të poseduesve të objekteve informale 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:
a) Qarku Shkodër, 255 (dyqind e pesëdhjetë e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 89 702 (tetëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e dy) m².
b) Qarku Lezhë, 81 (tetëdhjetë e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 22 045 (njëzet e dy mijë e dyzet e pesë) m².
c) Qarku Dibër, 24 (njëzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 584 (tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e katër) m².
ç) Qarku Elbasan, 24 (njëzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 409.5 (pesë mijë e katërqind e nëntë pikë pesë) m².
d) Qarku Fier, 146 (njëqind e dyzet e gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 44 515 (dyzet e katër mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) m².
dh) Qarku Berat, 6 (gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 071 (një mijë e shtatëdhjetë e një) m².
e) Qarku Kukës, 41 (dyzet e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 744 (tetë mijë e shtatëqind e dyzet e katër) m².
ë) Qarku Vlorë, 51 (pesëdhjetë e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 19 582 (nëntëmbëdhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e dy) m².
f) Qarku Korçë, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 752 (shtatëqind e pesëdhjetë e dy) m².
g) Qarku Durrës, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 10 105 (dhjetë mijë e njëqind e pesë) m².
gj) Qarku Tiranë, 180 (njëqind e tetëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 43 400 (dyzet e tre mijë e katërqind) m².

3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë për parcelat ndërtimore sipas neneve 83 dhe 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Sigal