Qeveria, 45 milionë lekë për inovacionin, si përfitohet

598
Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Fondit të Inovacionit, me vlerë të përgjithshme prej 45 milionë lekësh, për një kohëzgjatje zbatimi prej 3 vjetësh, për periudhën 2018-2020. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 15 milionë lekë. Fondi i Inovacionit synon fuqizimin e ndërmarrjeve vendase, për përmirësimin e teknologjisë dhe nxitjen e inovacionit. Fondi i Inovacionit, përveç fondeve nga buxheti i shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Përfitimi nga fondet e akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare për këto ndërmarrje nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond. Fondi mbulon 50% të kostove të pranueshme dhe të miratuara nga komisioni vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, dhe financim deri në 400 mijë lekë. Për ndërmarrjet që do të aplikojnë për “blerje pajisjesh teknologjike” financimi do të jetë jo më shumë se 600 mijë lekë. Mund të bashkëfinancohen kostot për: 

a) auditim të kapacitetit inovativ dhe teknologjik, që synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante vlerësimin për nivelin ekzistues të teknologjisë dhe mundësitë për rinovimin e tyre të inovacionit dhe/ose pozicionimit teknologjik, sipas një strukture konkurruese zhvillimi; 
b) ndërkombëtarizimin e teknologjisë, e cila synon t’u mundësojë ndërmarrjeve aplikante të identifikojnë dhe të inspektojnë teknologjinë që kërkojnë të përshtatin; 
c) pjesëmarrje në panaire inovacioni, teknologjie dhe promovimi, në lidhje me inovacione të ndërmarrjes; 
ç) blerje pajisjesh teknologjike, që ndikojnë në rritjen e kapaciteteve inovative dhe teknologjike të ndërmarrjes. 
d) licenca ose patenta (software ose hardware). Pagesa e fondit bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në përfundim të tij, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.
Kushtet për ndërmarrjet:
a) Janë biznese të klasifikuara si mikro, të vogla apo të mesme, sipas nenit 4, të ligjit “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.
b) Kanë selinë e tyre brenda territorit të Shqipërisë.
c) Prodhojnë në Shqipëri produkte dhe/apo ofrojnë shërbime inovative, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit.
Sigal