Qeveri që i arratiset populli për bukën e gojës, gjithë Shqipëria në “sportelin” e Lotarisë Amerikane

643
Përparim HALILI
Janë tre fakte, me të cilët po e nisim këtë vëzhgim social: 
1. Pesë ditë më parë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u bëri thirrje shqiptarëve, që të mos marrin rrugët e emigracionit, mbasi ekonomia e vendit po rritet me shpejtësi! 
2. Dy ditë më parë, ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, deklaroi se do të hapen 220 mijë vende të reja pune dhe se brenda vitit 2018, pagat do të rriten me 40%, ndërsa pagesa e ndihmës ekonomike do të trefishohet! 
3. Dje, në mediet “on-line” u përhap lajmi, se për shkak të dyndjes “popullore” të shqiptarëve në faqen zyrtare të “Lotarisë Amerikane”, ishte bllokuar procedura e aplikimit. 
Zërat propagandistikë të qeverisë e paraqitën si “defekt teknik”, por është realitet që duhet pranuar jo si “nxirje arritjesh social-ekonomike”, por si tregues krize social-ekonomike, që ka mbërthyer shqiptarët, të cilët po përballen me varfërinë dhe mungesën e shpresës për ndryshim të situatës. Populli nuk beson më demagogjinë, as premtimet boshe, as parullat e citatet që recitohen nëpër seanca parlamentare për vendime e ligje, në favor të mirëqenies, mbasi prej 25 vitesh nuk ka rritje, por rënie të nivelit të jetesës dhe pasurim të një kaste politike, familjare e klanore që ka uzurpuar çdo pushtet dhe sektor të ekonomisë dhe shërbimeve publike! Ky është shkaku, që shqiptarët po vazhdojnë të ikin! 
“Telegraf” e paralajmëroi dyndjen…
Dyndjen për aplikim në “Lotarinë Amerikane”, 20 ditë më parë e paralajmëroi gazeta “Telegraf”, duke parashikuar afro 500 mijë kërkesa! Në fakt, sot pas 10 ditësh, rezulton se janë bërë shumë më tepër aplikime, ndërkohë që lotaria mbyllet në datën 7 nëntor 2017. Sipas qendrave të aplikimit, thuhet se rekord janë moshat e reja e të mesme, të cilat përbëjnë forcën e re aktive për punë. Janë specialistë të mesëm të çdo profesioni. Janë familje të reja! Janë të papunë, të diplomuar në universitete brenda e jashtë Shqipërisë. Por janë persona e familje të moshave të tjera, të cilët po aplikojnë me ëndrrën dhe shpresën, për të ikur nga ky vend, të cilin politika nuk dëshiron ta ndryshojë, as duke garantuar bukën e gojës për popullin! Shqiptarët nuk besojnë më fjalimet dhe përbetimet e politikës, se gjoja do të rritin nivelin e jetesës, se gjoja do të ulin papunësinë e varfërinë ekstreme që ka pllakosur afro 70% të familjeve, se gjoja do të krijojnë vende pune për të rinjtë dhe garanci jetese normale për familjet e reja! Shqipëria ka një qeverisje 25-vjeçare, e cila nuk ushqen dot me bukë e nuk trajton dot me shërbim mjekësor, as jetimet, as invalidët, as të moshuarit e braktisur, as të sëmurët mendorë e as gratë e dhunuara! Dyndja “popullore” e shqiptarëve të mbetur në Shqipëri për aplikime, nuk ka lidhje me afatin 34 ditor që i është vendosur kësaj lotarie, mbasi koha është e mjaftueshme dhe mundësitë e aplikimit elektronik janë të plota e të shpejta për çdo individ e familje, por ka lidhje me “urgjencën” dhe domosdoshmërinë për të ikur nga Shqipëria! 
Ja shkaqet përse po arratisen shqiptarët…
Në pamundësi për të gjetur burime jetese, shqiptarët po i drejtohen emigrimit ekonomik. Për ata që kanë fëmijë të moshave 15-18 vjeç, kjo ikje është një emergjencë, mbasi prindërit duan të shpëtojnë fëmijët nga përfshirja në botën e krimit, për shkak të varfërisë në familje dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen. papunësia është prezent dhe po thellohet, për shkak të mbylljes së bizneseve ekzistuese dhe, largimit të investitorëve të huaj, falimentit të bizneseve e të mëdha vendase dhe frikës së bizneseve të huaja, për të investuar në Shqipëri. Shteti, ato vende pune që ka në administratë i jep për familjarët e shtetarëve dhe politikanëve, krushqive, shokëve e miqve, duke bërë rotacion zëvendësimesh në çdo 4 e 8 vite, me po të njëjta lista të punësuarish. madje, aq i mbyllur është “rrethi” i punësimeve në administratën publike, sa edhe ata që dalin në pension, zëvendësohen nga familjarët e tyre, me trashëgim vendi pune e postesh! Janë mijëra specialistë me arsim të lartë, të cilët konkurrojnë për vende pune dhe nuk shpallen fitues, jo se nuk janë të aftë, por sepse nuk janë pjesë e rrjetës nepotike! Përse duhet të qëndrojnë në Shqipëri? Janë mijëra biznese të vogla me të cilat ushqehen afro 290 mijë familje me afro 700 mijë individë, të cilave po u caktohet taksa 20% TVSH, gjë që i falimenton, duke u hequr bukën e përditshme! Përse duhet të qëndrojnë shqiptarët, kur u grabiten pronat, banesat, llogaritë bankare, pagat, makinat?! Përse të mos ikin shqiptarët, kur çdo javë u shtohet nga një taksë, u rritet nga 1 çmim ushqimesh, energjie, uji, pastrimi, gjelbërimi (pa gjelbërim) transporti, ilaçesh e deri librash shkollorë! 
Ja çfarë pagesash lëmoshë, jep qeveria për popullin

Pagesa mujore për të papunët
1. Pagesë 1800 lekë në muaj, për anëtarin e parë të familjes, sipas renditjes në certifikatën familjare; 
2. Pagesë 3000 lekë në muaj për viktimat e trafikimit; 
3. Pagesë 3000 lekë në muaj për çdo viktimë të dhunës në familje; 
4. Pagesë për çdo jetim është 3000 lekë në muaj;
5. Pagesë 1260 lekë në muaj, për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç; 
6. Pagesë 900 lekë në muaj, për personat që janë në dhe nën moshën 18 vjeç; 
8. Pagesë 1800 lekë në muaj, për çdo person që ka familje por jeton i vetmuar;
9. Pagesë 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor, për çdo fëmijë që ndjek arsimin parauniversitar. 
Paga minimale zyrtare mujore në Shqipëri 
1. Viti 2000: Ishte 7,000 lekë
2. Viti 2001: Ishte 7,580 lekë 
3. Viti 2002: Ishte 9,400 lekë
4. Viti 2003: Ishte 10,060 lekë
5. Viti 2004: Ishte 10,080 lekë 
6. Viti 2005: ishte 11,800 lekë 
7. Viti 2006: Ishte 14,000 lekë 
8. Viti 2007: Ishte 14,000 lekë 
9. Viti 2008: Ishte 17,000 lekë 
10. Viti 2009: Ishte 18,000 lekë 
11. Viti 2010: Ishte 19,000 lekë 
12. Viti 2011: Ishte 20,000 lekë 
13. Viti 2012: Ishte 21,000 lekë 
15. 14. Viti 2013: Ishte 22,000 lekë 
16. Viti 2014: Ishte 22,000 lekë 
17. Viti 2015: Ishte 22,000 lekë 
18. Viti 2016: Ishte 22,000 lekë 
19. Viti 2017: Është 22.000 lekë

Pagat në vendet ku duan të shkojnë shqiptarët
1. Në vitin 1991: Pagesë minimale 450 lekë në muaj për çdo familje (një person i punësuar)
2. Në vitin 1992: Pagesë minimale 570 lekë në muaj për çdo familje (një person i punësuar)
3. Në vitin 1994: Kuotë mbijetese 1345 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
4. Në vitin 1996: Kuotë mbijetese 3087 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
5. Në vitin 1998: Kuotë mbijetese 3960 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
6. Në vitin 2001: Kuotë mbijetese 4100 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
7. Në vitin 2002: Kuotë mbijetese 4891 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
8. Në vitin 2005: Kuotë mbijetese 5272 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
9. Në vitin 2008: Kuotë mbijetese 5722 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
10. Në vitin 2009: Kuotë mbijetese 6047 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
11. Në vitin 2010: Kuotë mbijetese 6647 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
12. Në vitin 2011: Kuotë mbijetese 7808 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
13. Në vitin 2012: Kuotë mbijetese 8910 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
14. Në vitin 2013: Kuotë mbijetese 10435 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
15. Në vitin 2014: Kuotë mbijetese 12989 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
16. Në vitin 2015: Kuotë mbijetese 13788 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
17. Në vitin 2016: Kuotë mbijetese 16700 lekë në muaj për çdo person (minimum i kërkuar jetik)
18. Në vitin 2017: Pagesë 8000 lekë ndihmë ekonomike në muaj për 1 familje, pavarësisht numrit të anëtarëve
Sigal