Qeveri! Mos guxo të zhdukësh Organizatën e Veteranëve të LANÇ

613
Pas publikimit dje në “Telegraf”, të skandalit të turpshëm qeveritar e madje deri shtetëror, lidhur me skenarin për shkrirjen e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë, bërë me dije në formë testimi provokativ me shkresë zyrtare prej Këshilltarit Ushtarak të Kryeministrit, zotit Aleksandër Lleshi, në redaksinë e gazetës “Telegraf” kanë ardhur shumë reagime nga veteranë të luftës, familje të dëshmorëve e heronjve, ushtarakë të njohur e qytetarë, të cilët e kanë konsideruar “TURP” këtë skenar të qeverisë “Rilindja”, sipas të cilit synohet në mënyrë të poshtër e tinzare zhdukja e asaj organizate kombëtare që përfaqëson, mbron, përjetëson e mban gjallë idealin e luftës së lavdishme çlirimtare të vendit, heroizmin e ish-partizanëve, sakrificat dhe gjakun e atyre 28 mijë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, duke mbetur të skalitur në kujtesën dhe nderimin e shqiptarëve! Provokacioni shkresor i këshilltar Lleshit të kryeministrit, sipas organizatës së veteranëve të LANÇ dhe familjeve të dëshmorëve por edhe sipas historianëve, nuk është një “paqartësi dhe pakujdesi” e këshilltar Lleshit, por është një qëllim i paramenduar, për ët zhdukur historinë e lavdishme të luftës.

 Kujtojmë, që janë hequr emra heronjsh e dëshmorësh nga rrugët, shkollat, objektet social-kulturore etj. Janë shkatërruar muze, stenda, buste, monumente, lapidare e pllaka përkujtimore të ngjarjeve historike, të betejave heroike kundër pushtuesve e ballisto-zogistëve, janë thyer e janë hequr buste të bijve e bijave që dhanë jetën për lirinë, ndërsa shteti nuk ka ndëshkuar askënd edhe pse i di dhunuesit, të cilët vetëm ata: pinjollët e tradhtarëve të atdheut. Por edhe qeveria, megjithë kërkesat e organizatës së Veteranëve të LANÇ, nuk ka ndërhyrë për të rikthyer gjendjen fizike dhe lavdinë e këtyre veprave. Janë lënë në mëshirë të fatit e po degradojnë në gjendje gërmadha varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë e në disa rrethe të vendit, duke përdhosur gjakun e derdhur të dëshmorëve të luftës, përfaqësuesit dhe pasardhësit e të cilëve, PS dhe qeveria e saj prej 25 vitesh u kërkon votat për pushtet e që u janë dhënë ndershmërisht prej tyre, me besimin se do të respektojnë e nderojnë historinë e luftës, të rënët për lirinë e atdheut dhe veteranët e kësaj lufte, të cilëve sot po tenton t’u zhduk edhe organizatën që ka simbolin kësaj lufte e të atij gjaku të pastër partizanësh trima, të derdhur për lirinë e vatanit. Kujtojmë gjithashtu, që kjo qeveri në emër të “demokracisë”, në unison me partitë ballisto-zogiste të maskuara me emra të tjerë e me logo në formë “kërmidhi”, guxoi e deklaroi heqjen e dekoratave të luftës e po kështu vetëm 2 ditë përpara ditës së çlirimit të Shqipërisë, nxori vendimin për përjashtimin e veteranëve të luftës, familjeve të dëshmorëve dhe ushtarakëve të lartë e të nderuar nga ceremonitë zyrtare shtetërore të përkujtimit të kësaj dite e të datave të të tjera që kanë lidhje me historinë kombëtare! Por çfarë reagimesh kanë ardhur deri dje në redaksinë e gazetës “Telegraf”, në lidhje me skenarin shkrirjen e Oraganizatës së Veteranëve të LANÇ, në një grupim me shoqatat e ballisto-zogistëve e tradhtarëve të vendit, ose me saktë ndaj qëllimit të kësaj qeverie, për të zhdukur përfundimisht Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ? 
Dalan Buxheli
Ky është mendim tepër i gabuar. Veteranët kanë një organizatë që është krijuar që në 1954 që përfaqëson luftëtarët, partizanët që kanë bërë sakrifica më sublime. Edhe sot, ata vazhdojnë të mbrojnë vlerat e luftës, vlerat e të rënëve, vlerat e partizanëve. Nuk mund të hiqet emri i veteranëve dhe të bashkohet me ata që i kanë pasur kundërshtarë. Ne jemi shoqatë me vlerë në historinë shqiptare. Këto ide që hidhen, duan të mohojnë luftën, gjakun, historinë e madhe të luftës Nac-Çlirimtare. Ne ishim pranë boshtit që luftuan nazi-fashizmin. Kudo në botë, ka organizata të tilla edhe në Itali e në rusi. Po të merret dhe të zbatohet si vendim kjo ide, do haste në kundërshtinë e madhe të organizatës së veteranëve, që nuk janë të pakët. Ne jemi shumica, jemi atdheu, jemi betimi për Shqipëri. Ne kemi varrezat e dëshmorëve, që na thërrasin ruajeni, amanetin tonë. 
Pëllumb Zaimi
Kjo është e paimagjinueshme. Ata nuk pranojnë se kanë bashkëpunuar me pushtuesin. Ata nuk pranojnë se kanë luftuar bashkë me pushtuesin kundër partizanëve. Historia është kokëforte. Por nga ana tjetër ata nuk kërkojnë falje, nuk kanë vënë asnjë lule tek partizanët e rënë. Pra nuk mund të rrinë bashkë kur ata e injorojnë luftën edhe sot thonë shumë të zeza për luftën. Nuk kanë njohur asnjë meritë të luftës. Ata thonë se gjermanët ishin kalimtarë dhe kot janë vrarë partizanët. Pra injorojnë gjakun luftën, gjakun, betejat madje në mënyrën më të keqe të mundshme. Bota e vlerëson, ata e injorojnë. Nëse do kërkohet falje dhe do të bashkëpunohet në emër të arsyes, në emër të kujtimit të të rënëve, të respektit për historinë, mund të hidhen themelet e urës së miqësisë së sinqertë, por në këto kushte, ky bashkëpunim e kjo shkrirje mekanike, ky unifikim është i pamundur. 
Zyhdi Kroi
Së pari kjo është kundër ligjit mbi organizimin e lirë të shoqatave e organizatave. Së dyti e në rastin konkret të këtij projekti qeveritar, ky është turp pasi këto organizata, apo shoqata kanë bindje politike të ndryshme, kanë ideologji të ndryshme. Kjo nuk do realizohet kurrë. Janë dy fronte të kundërta ideologjike faktike, pra çlirimtarë e bashkëpunëtorë pushtuesish, që nuk përputhen. Besoj, se asnjëra palë nuk do e pranojë. Veteranët e luftës kanë një imazh, kanë një strategji, ka një veprimtari që lidhen dhe me të kaluarën e luftës. Kjo mund të bëhet me shoqatat e oficerëve, por kurrë nuk mund të bëhet me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë dhe me atë të veteranëve. Unë e përjashtoj këtë, për shumë arsye, mbasi ata kanë ndarje të thella historike që nuk përputhen në asnjë moment. Njëra palë e lartëson luftën në shkallën më të lartë, tjetra e poshtëron sa nuk të besohet. 
—————————————————–
Pjesë nga deklarata, e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ të Shqipërisë
Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ e konsideron abuziv dhe një lloj alibie, për të justifikuar marrëzinë e radhës pas asaj të heqjes së dekoratave të veteranëve, ku maskohet qëllimi i mbrapshtë për ta fshirë tërësisht Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftëtarët që e bënë atë dhe simbolet e saj. Nëse kjo është një ide e hedhur nga Këshilltari i Kryeministrit me iniciativën e tij, atëherë është gjysmë e së keqes. Ndërsa, po qe se ky është mendimi dhe ide e kryeministrit, problemi paraqitet tepër serioz, për të cilën Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, duke shprehur vendosmërinë dhe indinjatën e 23.000 anëtarëve të organizatës, bën apel dhe një paralajmërim serioz: Zotërinj qeveritarë, hiqni dorë nga veprime të tilla anti-historike e anti-kombëtare, sepse ne veteranët jemi të vendosur që organizatën tonë të mos e lëshojmë, por do ta mbrojmë me çdo kusht, duke iu kundërvënë çdo nisme tinëzare që e cënon atë. Mos u bëni vegla dhe shërbestarë të forcave të ekstremit të djathtë e të pinjollëve kolaboracionistë. Lëreni Organizatën e Veteranëve të LANÇ në të drejtën e saj historike dhe aktuale, që të kryejë misionin e vet Atdhetar. Ndryshe, paralajmërojmë se pasojat do të jenë tepër të rënda, sidomos për qeverinë dhe forcat politike të majta, të cilat kjo organizatë i ka mbështetur e votuar në vazhdimësi. 
————————————————–
Ja VKM Nr. 933, datë 18. 11. 2015, futur në fuqi më 26 nëntor 2015, që përjashton nga ceremonitë zyrtare dhe veteranët e luftës dhe ish-ushtarakët madhorë
PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR. 542, DATË 12.8.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR STATUSIN E USHTARAKUT ME GRADË MADHORE TË FORCAVE TË ARMATOSURA PAS DALJES NË LIRIM” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121, pika 1, e 124, pika 1, të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave VENDOSI: 
1. Shfuqizimin e Vendimit Nr. 542, datë 12.8.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për statusin e ushtarakut me gradë madhore të Forcave të Armatosura pas daljes në lirim”. 
2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
KRYEMINISTRI 
Edi Rama
Sigal