Qëndrojnë në çadër prej dy javësh, banorët e Laçit nuk largohen nga qyteti për shkak….

476
Sigal

Kjo çadër, e vendosur pranë Kishës së Shën Mhillit në Laç është bërë strehë për 30 persona.

Prej afro dy javësh aty po qëndrojnë banorët që kanë humbur shtëpitë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ata kanë zgjedhur të mos largohen nga qyteti drejt hoteleve pasi e kanë të pamundur të shkëputen nga puna.

Banore: “Do shkoja në hotel por jam në punë.”

Temperaturat e ulta krijojnë vështirësi, sidomos për të vegjlit dhe të moshuarit. Nga pushteti qendror dhe ai vendor thonë se ndihen të braktisur pasi nuk kanë përfituar asnjë ndihmë në ushqime.

Banore: “Nuk ka ardhur të na shohë asnjë njeri për ndihma.”

Të vetmit që u kanë qëndruar pranë janë një grup vullnetarësh.

“Janë ndihmuar me krevate, dyshekë, batanije dhe të gjitha mundësitë e tjera që i kemi siguruar nëpërmjet individëve që kanë ndihmuar.”

Tërmeti ka shkaktuar dëme edhe në Kishën e Shën Mhillit.

Prifti: “Është e frikshme të bësh aktivitetet fetare.”

Për shkak të dëmeve të mëdha, Laçi është një ndër qytetet ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.