Qazim Sejdini shpëton Elbasanin, merr “OK” nga Rama për landfillin

235

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit zoti Qazim Sejdini, ka arritur të marrë “OK” nga Kryeministri Rama për ndërtimin e landfillit  të ri për qytetin e tij, duke arritur kështu një fitore të madhe për jetën e 120 mijë banorëve të kësaj zone. Duket se Bashkia e Elbasanit, gjatë këtij viti, do t’i japë fund njëherë e mirë problemit të grumbullimit të mbetjeve urbane, të cilësuara si një nga ndotësit më të mëdhenj në qytet. Mbyllja e fushës së grumbullit të mbetjeve dhe nisja e punimeve për landfillin e ri, janë përcaktuar nga Kryetari i Bashkisë  Sejdini, si objektivi kryesor i vitit 2014. Zoti Sejdini tha për “Telegraf” se: “Qeveria i dha bashkisë një sipërfaqe prej 430 mijë metra katrore  për trajtimin e mbetjeve urbane. Landfilli i ri nuk do të jetë me djegie, për të mos krijuar asnjë pasojë në mjedis, objektivi numër një është mbyllja dhe hapja e landfillit të ri të Bashkisë Elbasan”.  Zoti Sejdini u shpreh se, “kur them mbyllja, e kam fjalën për gjoja landfillin e vjetër, sepse nuk është landfill, por thjesht një masë plehrash, e cila i shkakton ndotje masive qytetit të Elbasanit, kurse  për hapjen e landfillit të ri, që me lobimin dhe interesimin e drejtpërdrejtë  të  Kryeministrit Rama, qyteti i Elbasanit, tashmë ka edhe ambientin përkatës prej 430 mijë metra katrore, i cili përbën kompleksin e vetëm të përpunimit të mbetjeve urbane, por edhe trajtimit të ujërave të zeza”. “Në objektivat kryesore për vitin 2014,-vazhdoi zoti Sejdini-  Bashkia e Elbasanit rendit edhe infrastrukturën rrugore, infrastruktura ka nevojë për ndërhyrje urgjente, jemi një qytet, që kemi një hyrje të cunguar, pa dalje dhe për këtë qëllim, Ministria e Financave ka liruar kreditë e Bashkisë Elbasan, për hapjen e disa akseve rrugore, që do të kërkojnë edhe shpronësimin e rreth 150 familjeve”. Bashkia e Elbasanit ka në plan investime madhore, për të cilat ka kërkuar nga qeveria dhe Kryeministri  Rama, të marrë mbështetje, e cila i është garantuar zotit Sejdini në takimet zyrtare me kreun e qeverisë dhe ministrat e kabinetit të tij. Dhe projektet e para kanë nisur me rrugën nga qendra deri tek kryqëzimi Unazës, ku rruga është drejt përfundimit, pas një pauze të shkurtër, pas zbulimit të një rrënoje antike, e cila u cilësua si vazhdim i kalasë së lashtë. Bashkia e këtij qyteti tashmë ka projekte të gatshme dhe pret vetëm lëvrimin e fondeve nga Ministria e Financave për të nisur në terren zbatimin e tyre. Zoti Sejdini shprehet si gjithmonë optimist se: “Elbasani do të bëhet qyteti më i lakmueshëm për të jetuar, për të bërë turizëm, biznes dhe investime  strategjike për vetë pozicionin e tij gjeografik, pasi ka resurse të  jashtëzakonshme”.