Qazim Kokoshi firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare në një studim të Enver Memishaj

763
Nga Msc. Albert Habazaj
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë. 
Për aktivitetin e tij në shërbim të atdheut Qazim Kokoshi u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932
Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, ka botuar veprën Qazim Kokoshi “Një histori e shkurtër e ngjarjeve shqiptare”, kujtime, përgatitur për botim nga studiuesi njohur Enver Memishaj. 

Në pjesën e parë të librit botohet një studim i gjatë i z. Memishaj “Mbi jetën dhe veprat atdhetare të Qazim Kokoshit”, në pjesën e dytë autori ka botuar dokumente që përfshijnë periudhën 1908 – 1924, në pjesën e tretë janë botuar kujtimet e Qazim Kokoshit, të cilat ai i rishkroi pas djegies së shtëpisë dhe kujtimeve nga italianët në Vlorë dhe gjermanët në Beograd. Në pjesën e katërt janë botuar faksimile të dokumenteve dhe fotografive që plotësojnë madhështinë e figurës së Qazim Kokoshit. Në fund është botuar gjenealogjia e familjes atdhetare Kokoshi të Vlorës. 


Qazim Kokoshi lindi në Vlorë në vitin 1882 dhe vdiq në burgun e Vlorës më 9 tetor 1947. Ai ishte udhëheqës i kryengritjeve antiosmane, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, një nga burrat e shquar të Vlorës që më 1914, mbajtën me bukë e shpëtuan nga vdekja mijëra muhaxhirë të Kurveleshit, të përzënë nga vatrat e tyre nga bandat kriminele greke, ideator, organizator dhe udhëheqës i Luftës së Vlorës më 1920, që rishpalli Pavarësinë e përmbysur nga Lufta e Parë Botërore. Në vitin 1919 ai mirëpriti në shtëpinë e tij ambasadorin amerikan Haven, të dërguarin e Presidentit Uillson për çështjen shqiptare dhe nëpërmjet tij ndikoi të Presidenti Uillson për të mbrojtur çështjen shqiptare në konferencën e Paqes në Paris. Në vitin 1921 u zgjodh deputet i Vlorës, prefekt dhe kryetar Bashkie i Vlorës, udhëheqës i Revolucionit të Qershorit në vitin 1924. Në vitet ’30 ai dallohet për përpjekjet për një sistem demokratik në Shqipërinë dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore është antifashist dhe luftëtar i orës së parë.
Qazim Kokoshi kishte dhuntinë që shkruante. Ai themeloi dhe botoi në Vlorë dy gazeta: Në vitin 1914 gazetën “Populli” dhe në vitin 1920, gazetën “Mbrojtja Kombëtare”, gjithashtu ai mbante shënime dhe ditar për ngjarjet historike shqiptare. Për aktivitetin e tij në shërbim të atdheut u dënua tre herë me vdekje, nga Otomanët në vitin 1908, nga italianët në vitin 1920 dhe nga Ahmet Zogu në vitin 1932.

Aktivitetin dhe shërbimet e shquara që Qazim Kokoshi i ka sjellë vendit të tij na i ka paraqitur me dashuri dhe me sukses të plotë z. Enver Memishaj në këtë libër. Në historinë e kulturës dhe luftës së vlonjatëve për liri e pavarësi ka mjaft emra të shquar, të cilët i bëjnë nder dhe i japin vlera të veçanta traditave tona historike. Në këtë plejadë të patriotëve të shquar të Vlorës bën pjesë edhe firmëtari i Deklaratës së Pavarësisë Kombëtare Qazim Kokoshi, i cili na vjen sot madhështor, i ringjallur dhe i rivlerësuar në monografinë e përgatitur nga Enver Memishaj.

Duke lexuar këtë libër të bie në sy moria e dokumenteve, burimeve arkivore, dëshmive e kujtimeve, të cilat kanë një qëllim, zbardhjen e të vërtetës historike dhe portretizimin e kësaj figurë aq të dashur për shqiptarët dhe veçanërisht për vlonjatët. 

Qazim Kokoshi njihet dhe vlerësohet në Vlorë dhe në historinë e Shqipërisë, sepse është nga ata burra të çmuar që për shumë kohë dhe veçanërisht në kohë shumë të vështira kur nuk kishte Shqipëri u bënë përfaqësues të Vlorës dhe të Labërisë në luftë për pavarësi, liri dhe ekzistencë. 
Autori i librit e vlerëson Qazim Kokoshi veçanërisht për udhëheqjen e Luftës epope të njëzetës në krah të atdhetarëve të tjerë si Osman Haxhiu, Ahmet Lepenica, Qazim Koculi, Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Spiro Jorgo Koleka, Hamza Isai, Tol Arapi, Duro Shaska, Sali Bedini i Armenit, Myqerem 
Hamzaraj, Ymer Radhima, Jani Minga, Ali Asllani e të tjerë që u bënë dufi, zjarri i qëndresës dhe emblema e luftës për liri kundër pushtuesve.

Në këtë libër autori z. Enver Memishaj ka përfshirë ngjarje të ndryshme që nga lufta kundër pushtuesit otoman deri në vitin 1947, ku figura e Qazim Kokoshit është në marrëdhënie me elitën vlonjate dhe atdhetarë të tjerë në të gjithë territorin e Shqipërisë Etnike. Autori në studimin e tij ka ditur të zbulojë dhe evidentojë cilësitë e larta të Qazim Kokoshit, që në krye të administratës shtetërore ka ditur të drejtojë me aftësi, kompetencë dhe dashuri për qytetarët shqiptarë për t’i dhënë administratës shtetërore fytyrë evropiane. Nga ana tjetër autori ka ditur të dallojë përpjekjet e pareshtura të Qazim Kokoshit për demokratizimin e jetës së vendit. 

Në një artikull të vetëm unë s’mund t’i shpreh dot të gjitha, sepse i ka shprehur z. Enver Memishaj në studimin e tij dhe në dokumentet e botuar në këtë libër, por unë dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër: Figura si ajo e Qazim Kokoshit në kohën e sotme të trazuar të jetës shqiptare, janë një model, edhe pse padrejtësisht janë anatemuar nga sistemi totalitar. Por i dhimbshëm, tronditës është edhe fakti që aq mirë na e ka paraqitur dhe përshkruar z. Enver Memishaj, perskutimin që kjo familje e nderuar e Vlorës, pësoi nga fashistët, nga nazistët dhe nga komunistët. Të afërm të Qazim Kokoshit u pushkatuan nga fashistet dhe nga komunistët, të tjerë si Kudret Kokoshi, Burim Kokoshi, Ëngjëll Kokoshi që ne vlonjatët i kemi njohur dhe vlerësuar kanë qenë njerëz të urtë e të ditur, që rrezatonin kulturën e tyre, e megjithatë ata u burgosën dhe persekutuan padrejtësisht. 

Kujtimet e Qazim Kokoshit, studimi jetës dhe veprës atdhetare të tij nga z. Enver Memishaj, si dhe dokumentet e shumtë të botuar në të veç vlerave për ndriçimin e të vërtetës historike le të jenë edhe një model për të shtyrë studiues të tjerë vlonjatë për të zbuluar thesaret dhe vlerat historike të Vlorës sonë të dashur.