Qarku i Kukësit në rrjedhën e historisë

2132
Halil RAMA
Historiani Xhavit Lashi promovon në Tiranë dhe Kukës studimin për ndarjen administrative dhe qeverisjen vendore
Libri studimor “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike”, i autorit Xhavit Lashi, i fokusuar tek ndarja administrative dhe qeverisja vendore në këtë qark, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, është mirëpritur nga elita intelektuale e krijuese dhe nga studjues të shumtë të vendit. Ai ka vlera të jashtëzakonshme studimore, për të mësuar se si ka evoluar kjo qeverisje, si kombinim i katër komponentëve përbërës: popullsisë, territorit, mënyrës së qeverisjes dhe sovranitetit. Rëndësia e studimit të përfshirë në një botim voluminoz prej 545 faqe, konsiston në faktet dhe të dhënat arkivore që ai paraqet, si në kontekstin historik dhe në pozitën gjeografike të qarkut verilindor të vendit, që përfshin Tropojën, Hasin dhe Kukësin. Autori Lashi, para së gjithash reflekton në këtë vepër formimin e tij intelektual si i diplomuar për histori-gjeografi e filozofi dhe përvojën e vyer në drejtimin e strukturave vendore, ku për 15 vjet ka qenë anëtar i Këshillit Popullor të Rrethit të Kukësit. Kjo e ka ndihmuar atë të japë një version të saktë të nocionit të ndryshimit të qeverisjes në kontekstin historik, si në përmbajtjen e saj dhe në aspekte që lidhen me plotësimin dhe përsosjen e institucioneve dhe procedurave që lidhen me to, në periudha të ndryshme kohore. Kjo qasje e autorit duket qartazi qoftë dhe në analizën e mirëfilltë të qeverisjes shqiptare, nga ilirët deri te pashallëqet, dhe ku ndoshta për herë të parë gjejmë një version më të saktë të gjenealogjisë së Kastriotëve. Po në këtë linjë vijon studimi për qeverisjen në periudhën e Perandorisë Osmane, ku jepen detaje për forma e njësi të qeverisjes siç ishin Sanxhaku e Nahija. Referuar historianit Selami Pulaha (“Studimet Historike”, 4/1973) autori na njeh me përbërjen e sanxhakut të Dukagjinit në vitet 1529-1536 dhe 1571 e 1591, ku si njësi territoriale të tij janë edhe nahija e Dibrës, Lumës e Gorës me numrin përkatës të fshatrave e shtëpive (12; 31 e 38 fshatra). Këto statistika i gjejmë në formularë apo grafikë origjinalë. Zërat e këtyre formularëve janë mjaftë të larmishëm, ku veçanërisht tërheqin vëmendjen: përkatësia fetare e popullsisë (e krishterë apo myslimane); ndarja në beqarë, banorë me antroponimi, çift etj; numri i fshatrave e shtëpive për çdo nahi, renta feudale në akçe, apo deri dhe në Feudet ekzistuese. Po në këtë kapitull, i një rëndësie të veçantë është Sanxhaku i Prizrenit. Kjo për faktin se Prizreni mendohet të jetë themeluar që në kohën e Filipit të Maqedonisë. Përveçse ndarjes administrative, në këtë vepër dinjitoze studimore gjejmë edhe aspekte të traditës, mikpritjen dhe bujarinë, si virtytet më pozitive të një shoqërie, apo dhe veshjen e malësorëve të Veriut, të Tropojës, Hasit, Lumës dhe Malziut që dallohet nga të tjerat. Duke vijuar me etapat e mëvonshme të historisë, autori jep hollësi edhe për bajrakët e kuvendet si forma qeverisjeje e vetëqeverisjeje. Kështu, nëse për “Shtatë bajrakët e Lumës”, mësojmë historikun dhe aktivitetin e Bajrakut të Rrafshit të Lumës, Bajrakut të Topojanit, Bajrakut të Tejdrines, Bajrakut të Kalisit, Bajrakut të Qafës, Bajrakut të Radomirës dhe Bajrakut të Çajës, për Kuvendet, pasi analizohet struktura e tyre, jepen risi nga Kuvendi më i rëndësishëm i asaj periudhe, siç ishte ai i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe këto risi autori i jep nëpërmjet referencash mjaftë të pasura të akademikëve, profesorëve e studiues me më të shquar. Pikërisht nga një bibliografi e tillë me 244 referenca nga autorë e botime të shumta studimore, autori Xh. Lashi arrin të skicojë në mënyra e forma sa më bindëse konturet e qeverisjes vendore të pjesës së dytë historike (1912-1944). Në këtë pjesë që ju vjen në ndihmë studiuesve të historisë së këtij harku kohor flitet për veçanti të qeverisjes vendore pas shpalljes së pavarësisë; Kongresin e Lushnjës dhe hedhjen e bazave të qeverisjes vendore; ndarjen administrative dhe qeverisjen vendore në periudhën e republikës (1925-1927); për qeverisjen vendore në vitet e monarkisë si dhe për qeverisjen vendore në vitet e pushtimit fashist. Krahas këshillave Antifashistë Nacionalçlirimtarë, që si kudo u ngritën edhe në qarkun e Kukësit, autori për këtë periudhë reflekton edhe formimin e Brigadës së 24-të S në Bicaj mbi bazën e batalionit partizan të Lumës. Po këtu ai evidenton Rrahman Parllakun e Lumës, pjesëmarrës në Kongresin e Përmetit (24-28 Maj 1944) si i vetmi përfaqësues për Kukësin dhe si ushtarak e kuadër drejtues që nga viti 1942 në qarkun e Vlorës dhe që për pesë legjislatura do të ishte deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor.


Sigal