Qaret dhe zararet nepotike të ish-rektorit Albert Qarri

1812
Prokuroria e rrethit Vlorë, seksioni i Task-Forcës, me kallëzimin nr.745 të regjistrit datë 14.06.2016, pranë kësaj prokurorie ka nisur hetimet ndaj ish-rektorit të universitetit “I.Q.” Vlorë Albert Qarri për “Shpërdorime të detyrës” më shumë se një herë. Shtetasi A. Qarri, në cilësin e ish- rektorit të Universitetit “I.Qemali” Vlorë, deri në datën 07.03.2016, datë që ka përfunduar mandatin si rektor i këtij universiteti, me veprimet dhe mosveprimet e tij, prej 5 vitesh në krye të këtij institucioni ka shpërdoruar detyrën duke i sjellë institucionit dhe individëve të ndryshëm dëm financiar, devijim me dashje të procedurave për punësimin duke shkelur kërkesat e përcaktuara në ligj.

Për çfarë hetohet ish-rektori Qarri?

Që prej 2011, kur shtetasi Qarri u zgjodh për mandatin e dytë në krye të universitetit “I. Qemali” të Vlorës, në postin e rektorit, ka kryer rekrutime për stafin akademik, pa zbatuar asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligjin për Arsimin e Lartë, Kodin e Punës, statutin dhe rregulloren e universitetit. Në të gjitha rekrutimet e kryera nuk është zbatuar asnjë nga kriteret e parashikuara në ligjin e Arsimit të Lartë, statutin dhe rregulloren e Universitetit, parimi i meritokracisë, por përzgjedhja është bërë në bazë njohjesh personale, lidhjeve familjare, farefisnore, krahinore dhe rekomandimeve shoqërore. Rekrutimet për staf akademik nuk janë bërë duke u përzgjedhur në bazë të CV të kandidatit dhe kualifikimeve të tij, sipas përcaktimeve të ligjit, por përzgjedhja ka qenë fiktivë. Janë skualifikuar kandidatë me CV shumë herë më të pasur që plotësonin kriteret e kërkuara nga ligji dhe janë kualifikuar kandidatë pa përmbushur asnjë nga kriteret e mësipërme. Si detyrim ligjor kandidati për staf akademik duhet të kalojë disa faza deri në përzgjedhjen përfundimtare. Për aplikim kandidati duhet të plotësojë dhe dorëzojë CV e tij, diplomat e të gjitha niveleve të studimit; mesataren e notave dhe dokumentacionin që përcaktohet në thirrje. Në nenin 50, pika 2 dhe 3 i ligjit nr. 9741 dt 21.05.2007 “Për Arsimin e Lartë në RSH”, i ndryshuar, Punësimi në institucionet e arsimit të lartë, thuhet “Kandidatët konkurrojnë në bazë të konkurseve publike në njësitë kryesore të IAL-së. 

Procedurat transparente

Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen procedura transparente për përzgjedhjen e kandidatit fitues, që plotëson kërkesat e publikuara dhe i përgjigjet më mirë përshkrimit të vendit të punës”. Për emërimin e personelit akademik, autoriteti drejtues i njësisë kryesore i paraqet autoritetit drejtues të institucionit të arsimit të lartë kandidatin e renditur i pari në klasifikimin e bërë nga komisioni ad hoc i konkursit publik, i krijuar nga autoriteti drejtues i njësisë kryesore. Autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë lidh kontratë pune me kandidatin e përzgjedhur, mbështetur në këtë ligj dhe në Kodin e Punës të RSH. Kontrata duhet të përmbajë përshkrimin e vendit të punës dhe detyrimin e personelit akademik, sipas përcaktimeve të pikës 1 të nenit 47 të këtij ligji. Në nenin 41, kërkesat për punësim në Statutin e Universitetit është përcaktuar: “Personat kandidatë për punësim të të tre niveleve, duhet të plotësojnë këto kërkesa të përgjithshme: a. të zotërojnë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin e punës për të cilin konkurrojnë; b. të kenë aftësinë e punës në grup dhe të komunikimit profesional me kolegët dhe studentët; c. të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë; d. të mos jetë marrë më parë ndaj tyre masa disiplinore e largimit nga puna apo zgjidhjes së kontratës nga universiteti; e. të mos kenë vepruar ose propaganduar në veprim të prishjes së imazhit të universitetit dhe autoriteteve drejtuese, në median vizive dhe të shkruar, rrjetet sociale etj. Komisionet ad-hoc të vlerësimit kontrollojnë me rigorozitet plotësimin e këtyre kërkesave më parë se të fillojë procedura e vlerësimit duke eliminuar kandidatët që nuk i plotësojnë. Kërkesa të tjera të veçanta vendosen në njoftimin e konkurrimit për vendin e lirë të punës mbështetur në pozicionin dhe përshkrimin e punës. Këto kërkesa i propozohen paraprakisht rektorit nga njësitë përkatëse që kërkojnë plotësimin e vendit vakant”. Në nenin 43 të statutit të Universitetit thuhet se “Procedura e konkurrimit fillon me publikimin e vendit të lirë të punës. Publikimi i vendit të lirë të punës dhe njoftimi për konkurrim bëhet nga Rektori, konform procedurave standarde për këto raste dhe njëkohësisht publikohet në faqen zyrtare te internetit apo në stendat e njoftimeve në ambientet e Universitetit. Njoftimi duhet të përmbajë: pozicionin, përshkrimin e vendit të punës, kërkesat e përgjithshme dhe të veçanta, listën e dokumenteve që duhet të paraqesin kandidatët, afatin brenda të cilit do të kryhen aplikimet për vendin vakant, vendin e dorëzimit të dokumentacionit dhe mënyrën e dorëzimit të tij (personalisht, me postë apo elektronike). Pas paraqitjes së dokumentacionit nga aplikantët, për vendin vakant dhe dokumentimit të këtij dokumentacioni nga struktura përkatëse e rektoratit, fillon procesi i vlerësimit nga komisionet përkatëse, në përfundim të të cilit i paraqesin Rektorit rezultatet e konkurrimit dhe i bën ato publike”.

Neni 44/Komisioni i Vlerësimit, sipas Statusit të Universitetit 

Komisioni i vlerësimit të kandidaturave për personel akademik zgjidhet me votim nga departamenti përkatës dhe përbëhet nga tre anëtarë të departamentit, një anëtar nga një departament tjetër dhe përgjegjësi i departamentit i cili është njëkohësisht dhe kryetar i komisionit. Ky komision pasi miratohet nga dekani i fakultetit përkatës, bën vlerësimin e gjithë kandidaturave të paraqitura mbi bazën e dosjeve dhe intervistës. Vlerësimi bëhet me pikë dhe ndiqet proceduara konform e përcaktuar në rregulloren e universitetit dhe udhëzimin përkatës. Komisionet ad-hoc plotësojnë pasqyrën përmbledhëse të rezultateve të konkurrimit në të dy fazat dhe së bashku me gjithë dokumentacionin përkatës ia përcjellin dekanit të fakultetit. Më tej dekani i fakultetit, përcjellë dosjet përkatëse dhe klasifikimin tek rektori brenda një periudhe një javore. Rektori vendos përfundimisht mbi kandidaturat e paraqitura. Ndërkohë që në rregulloren e universitetit “I. Qemali” Vlorë ka të përcaktuar në nenin 29, përzgjedhjen dhe emërimi i personelit akademik me kohë të plotë, ndihmës mësimor-shkencor dhe administrativ. 

Procedura e konkurrimit

Procedura e konkurrimit të hapur për përzgjedhjen dhe emërimin e personelit akademik me kohë të plotë, ndihmës mësimor shkencor dhe administrativ realizohet si më poshtë: 1. Njësitë bazë dhe kryesore përcjellin në rektorat kërkesat e tyre për personel akademik me kohë të plotë dhe ndihmës mësimor-shkencor. Kancelari përcjell kërkesat për personel administrativ; 2. Pas vlerësimit të kërkesave në referencë të nevojave të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe administratës apo sektorëve të tjerë, bëhet publikimi i vendeve të lira të punës në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në mënyrat e tjera si është përcaktuar në statut. Njoftimi përmban pozicionin, përshkrimin e vendit të punës, kërkesat e përgjithshme te përcaktuara dhe në statut si dhe kërkesa të tjera të veçanta të miratuara nga rektori, listën e dokumenteve që duhet të paraqesin kandidatët, afatin brenda të cilit do të kryhen aplikimet për vendin vakant, vendin 17 e dorëzimit të dokumentacionit dhe mënyrën e dorëzimit të tij (me postë apo elektronike); 3. Pas njoftimit rektori urdhëron ngritjen e komisioneve ad-hoc pranë çdo njësie dhe pranë rektoratit për përzgjedhjen e personelit administrativ. Komisioni për personelin administrativ miratohet nga rektori dhe propozohet nga kancelari; 4. Dosjet e kandidateve pranohen dhe protokollohen duke bërë regjistrimin e emrit të kandidatit dhe datën e vulës postare, e cila do të shërbejë për të përcaktuar nëse është respektuar apo jo afati i aplikimit; 5. Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, por jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë, përgjegjësi i sektorit të burimeve njerëzore, merr në dorëzim gjithë dosjet e kandidatëve dhe u përcjell komisioneve të vlerësimit listën e kandidatëve; 6. Komisionet ad-hoc fillojnë procedurën e vlerësimit të dosjeve të kandidatëve sipas udhëzimit përkatës. Në një pasqyrë të veçantë paraqiten rezultatet e konkurrimit të të gjithë kandidatëve sipas pikëve të fituara dhe e përcjellin atë dekanit të fakultetit ose kancelarit në rastin e kandidatëve për personel administrative; 7. Të gjithë kandidatët njoftohen nga sektori i burimeve njerëzore për datën dhe orën e intervistës së punësimit. Ky njoftim publikohet në ambiente pranë rektoratit; 8. Intervista zhvillohet me punëdhënësin dhe komisionin e intervistës. Komisioni i intervistës për personel akademik përbëhet nga dekani dhe përgjegjësit e departamenteve të fakultetit përkatës. Në rastin e kandidatëve për personel administrativ në intervistë është i pranishëm komisioni ad-hoc dhe kancelari; 9. Pas përfundimit të intervistës, komisioni bën vlerësimin me pikë të kandidatëve të intervistuar dhe e nënshkruan. Rezultatet i përcillen më tej komisioneve ad-hoc; 10. Komisionet ad-hoc plotësojnë pasqyrën përmbledhëse të rezultateve të konkurrimit në të dy fazat dhe së bashku me gjithë dokumentacionin përkatës ia përcjellin dekanit të fakultetit ose kancelarit të institucionit në rastin e kandidatëve për personel administrative; 11. Dekani i fakultetit ose kancelari i institucionit përcjellin dosjet përkatëse dhe klasifikimin tek rektori brenda një periudhë një javore. Rektori vendos përfundimisht mbi çdo kandidaturë që paraqitet; 12. Sektori i Burimeve Njerëzore bën njoftimin e kandidatëve fitues dhe atyre që nuk përzgjidhen (jo fitues); 13. Kandidatët jo fitues kanë të drejtën e ankimimit tek Rektori brenda 5 ditëve pas marrjes së vendimit të komisionit.

(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal